Zyrtare: MPJ i ndalon hyrjen në Kosovë Marko Gjuriqit
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka refuzuar sërish kërkesën e Marko Gjuriqit për të hyrë në Kosovë.
Këtë e ka konfirmuar për “Zeri.info”, Bashmir Xhemaj, shefi i kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
Sipas Xhemajt, Gjuriq ka kërkuar leje nga MPJ për të hyrë nesër në Kosovë, por që sipas tij, MPJ, ka marrë këtë vendim pas informacioneve se Gjuriq së bashku me disa zyrtarë të tjerë kanë pasur në plan që nesër në veri të Kosovës të vizitojnë disa pika të karburantit në territorin e Kosovës, të cilat nuk janë të licencuara nga autoritetet kosovare.
Xhemaj po ashtu ka thënë se, Marko Gjuriqit i lejohet hyrja në Kosovë vetëm me leje paraprake nga Ministria e Jashtme e Kosovës, ku ai fillimisht duhet të raportojë për agjendën që do ta ketë ndërkohë që është në territorin e Kosovës.