Kufiri dhe vizat shtyhen për kohë të pacaktuar
Kosovarët nuk mund të lëvizin të lirë në zonën Schengen as vitin e ardhshëm nëse institucionet e Kosovës nuk arrijnë t’i përmbushin kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian për Liberalizim Vizash. E me qëndrimet e ngurta të të dy palëve, koalicionit dhe opozitës, rreth demarkacionit të kufirit me Malin e Zi shihet se liberalizimi i vizave është proces pa fund. Fajin për këtë zvarritje palët ia hedhin njëri-tjetrit.
Kështu të paktën mendojnë njohës të çështjeve politike dhe deputetë të opozitës. Ndërsa ata të koalicionit fajësojnë opozitën për këtë dështim, ndërsa shprehen optimistë se Marrëveshja për Demarkacionin, e nënshkruar më 26 gusht 2015, do të ratifikohet në Kuvend. Madje, për këtë çështje kryeministri Isa Mustafa ka takuar në fundjavë kryeministri malazez për të gjetur një zgjidhje për kufirin.
Kryeministri Mustafa para disa ditësh ka deklaruar se nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga ratifikimi i marrëveshjes.
“Unë nuk kam hequr dorë. Po bëj përpjekje dhe kërkoj që të gjithë të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje për demarkacionin sepse është humbje shumë e madhe për Kosovën”, ka deklaruar Mustafa, sipas të cilit, Marrëveshja për Demarkacionin do të kthehet në Kuvend në muajin dhjetor, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.
Në Qeverinë e Kosovës, të kontaktuar nga gazeta “Zëri” për kthimin e Demarkacionit në Kuvend, nuk kanë pranuar të japin detaje për këtë çështje. “Ne s’mundemi të japim prononcim për këtë sepse është çështje që është duke u zhvilluar, kështu që nuk kam prononcim për Demarkacionin”, ka deklaruar këshilltari i kryeministrit Mustafa, Sokol Havolli.
Sipas tij, ratifikimi i kësaj marrëveshjeje ka qenë njëra ndër sfidat me të cilat është ballafaquar qeverisja “Mustafa”.
“Komisioni Evropian në maj të këtij viti ka dhënë rekomandimin pozitiv për liberalizmin e vizave, ndërsa ne nuk kemi arritur që me votën e Kuvendit të Republikës së Kosovës
të ratifikojmë këtë marrëveshje dhe t’ua mundësojmë qytetarëve tanë lëvizjen e lirë në shtetet e Schengenit”, ka deklaruar Havolli.
Kadaj-Bujupi: Demarkacioni s’do të kthehet në Kuvend
Në anën tjetër, në subjektin opozitar më të madh në vend në Lëvizjen “Vetëvendosje”, shprehen të sigurt se Demarkacioni s’do të kthehet në Kuvend.
Deputetja e këtij subjekti, Donika Kadaj-Bujupi, vlerëson se Demarkacioni mund të vijë para deputetëve vetëm nëse kthehet në pikën zero.
“Çështja e demarkacionit s'mund dhe s'duhet të kthehet më, pasi që dështimi për votimin e tij më 1 shtator është edhe përgjigjja përfundimtare për versionin aktual të këtij Demarkacioni. Ai mund të kthehet vetëm nëse rishqyrtohet tërësisht, pra kthehet fillimisht në pikën zero”, ka deklaruar ajo.
Sipas Bujupit, dy fajtorët kryesorë që kosovarët kanë mbetur ende pa viza janë presidenti dhe kryeministri i Kosovës.
“Z. Mustafa duhet t’i ndalojë përpjekjet për t'i falur territor Malit të Zi. Ai dhe Hashim Thaçi bartin përgjegjësi për këtë cenim të integritetit territorial të Kosovës dhe pikërisht këta dy dhe partitë e tyre janë fajtorë për vonesat në procesin e liberalizimit të vizave”, ka potencuar më tutje ajo.
Ndryshe, Bujupi thekson se liberalizimi është i mundshëm vetëm me largimin e pushtetit të tanishëm. “Prandaj, ky proces mundësohet vetëm duke e larguar këtë pushtet dhe me një mendësi të re qeverisëse”, ka përfunduar ajo.
Lekaj: Kjo marrëveshje ka marrë përgjigje nga deputetët
Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, vlerëson se Demarkacioni nuk duhet të kthehet në Kuvend më. Pasi që, siç thotë ai, kjo marrëveshje ka marrë përgjigje një herë nga deputetët.
“Çështja e versionit aktual të Demarkacionit dhe tendenca për ta sjellë në Kuvend do të duhej të ishte kapitull i mbyllur. Kuvendi i ka dhënë një përgjigje një herë, duke dhënë sinjale se nuk do t'ia japë votën”, ka potencuar ai. Më vonë, Lekaj thekson se ekzekutivi i vendit duhet të rishikojë në tërësi procesin e Demarkacionit.
“Ajo me të cilën do të duhej të merrej kryeministri dhe qeveria e tij në këtë kohë është rishikimi në tërësi i procesit të Demarkacionit, shkarkimi i Komisionit i cili e ka bërë punën keq, po ashtu të krijohet një komision i ri dhe kredibil, i cili do ta kryente punën e vet sipas mandatit me përgjegjësinë më të plotë të mundshme”, ka deklaruar ai.
Sipas Lekaj, liberalizimin e vizave e mundëson shteti ligjor dhe transparenca institucionale e asnjëherë votimi i çështjeve që e dëmtojnë vendin.
“Vendimi i fundit i BE-së për Ukrainën dhe Gjeorgjinë (që të dyja me konteste të hapura kufitare, njëra edhe në gjendje lufte), që morën liberalizimin e tregon më së miri se bëhet fjalë për dobësitë qeverisëse e jo për diçka tjetër sa i përket liberalizimit për Kosovën”, ka thënë Lekaj.
Abazi: Kthimi i Demarkacionit në Kuvend, veprim i gabuar
Drejtori i “Rock Foller Brothers Fund” në Kosovë, Haki Abazi, e vlerëson si shumë të gabuar vendimin për kthimin e Demarkacionit në Kuvend.
“Asnjë gjë nuk ka ndryshuar dhe kjo gjë duhet filluar nga e para, duke e konsideruar mundësinë për arbitrazhe ndërkombëtare duke përdorur modelin korat-slloven”, ka deklaruar Abazi. Sipas tij, mundësia që kosovarët të lëvizin të lirë në zonën Schengen është e pamundur jo vetëm këtë vit, por edhe vitin tjetër.
“Dosido, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë liberalizimi i vizave është shumë pak e mundur të ndodhë jo vetëm këtë vit, por edhe vitin tjetër”, ka deklaruar Abazi. Duke thënë se njohja e pasaportave varet edhe nga aspekte të tjera siç është: siguria e të dhënave personale, funksionimi i drejtësisë së pavarur dhe njohja e Kosovës nga pesë vendet e BE-së.
Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike në vend, Krenar Shala, e konsideron kthimin e Demarkacionit në Kuvend si largim të fajit nga vetja e fajësim të opozitës.
“Qeveria po mundohet ta shtyjë përpara idenë shkakore kinse liberalizimi i vizave ndodh nëse Kuvendi i Kosovës e miraton Demarkacionin”, ka deklaruar Shala.
Ndërkohë, ai vlerëson se e gjithë kjo po bëhet për shkak të pamundësisë së kësaj Qeverie për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. “Kjo bëhet për shkak të pamundësisë së kësaj Qeverie për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe kështu të ketë alibi tek elektorati nesër kinse opozita është fajtore për mosliberalizim të vizave”, ka përfunduar Shala.