Shumë dështime, pak suksese

Aktuale December 14, 2016 - 08:09

Opozita dhe analistët politikë kritikojnë partnerët e koalicionit qeverisës se nuk i kanë mbajtur premtimet për punësime, liberalizim të vizave, për anëtarësim në UNESCO, etj. Ndërsa zyrtarët qeveritarë si sukses përmendin nënshkrimin e MSA-së,...

As 100 mijë punëtorë të rinj nuk janë punësuar gjatë mandatit dyvjeçar të qeverisë “Mustafa” ashtu siç kishin premtuar partnerët e koalicionit qeverisës në fushatën zgjedhore të vitit 2014 e as nuk u janë hequr vizat kosovarëve me Bashkimin Evropian (BE).

Në fushatën e fundit për zgjedhjet parlamentare kryeministri, Isa Mustafa, kishte premtuar hapjen e 120 mijë vendeve të reja të punës gjatë mandatit katërvjeçar të Qeverisë, ndërsa shefi i PDK-së në atë kohë, Hashim Thaçi, 200 mijë vende pune.

Pikërisht kur kryeministri Isa Mustafa ka bërë dy vjet në krye të ekzekutivit të vendit, partitë opozitare dhe analistët politikë numërojnë shumë dështime të kësaj Qeverie, madje kjo e fundit, siç thonë ata, është më e dobëta që nga paslufta.

Ndërsa zyrtarët qeveritarë thonë se gjatë dy vjetëve të para Qeveria e Kosovës ka pasur shumë rezultate pozitive, duke e përmendur nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me BE-në, etj.

Haki Abazi, nga “Rockfeller Brothers Fund”, ka thënë për “Zërin” se koalicioni PDK-LDK e ka rrënuar demokracinë në Kosovë.

“Qeveria e koalicionit jonatyror dhe pa parime i LDK-së dhe i PDK-së ka vazhduar me rrënim të kualitetit të demokracisë dhe funksionalitetit të sistemit gjyqësor dhe veprimit institucional”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, korrupsioni mbetet problemi kyç, i cili ka përshkuar këtë qeverisje përgjatë dy vjetëve.

Ai më tej ka thënë se mosliberalizimi i vizave, mosanëtarësimi në UNESCO, vdekja e ish-aktivistit të Lëvizjes “Vetëvendosje” paraqesin disa prej dështimeve më të mëdha të qeverisë “Mustafa”.

 Premtimet e papërmbushura

Ndërsa analisti Imer Mushkolaj ka vlerësuar se i pari i ekzekutivit në vend se të merrej me realizimin e programit qeverisës, është marrë me Demarkacionin e Asociacionin.

“Qeverisja e Isa Mustafës gjatë këtyre dy vjetëve është fokusuar kryesisht në menaxhimin e krizave politike, shpesh të shkaktuara nga vetë ai. Në vend se të merret me realizimin e programit qeverisës, Mustafës i është dashur të merret me Demarkacionin e Asociacionin, problemet rreth çështjeve të cilave i ka shkaktuar vetë ai me qasjen refuzuese ndaj opozitës”, ka deklaruar ai.

Andaj, sipas tij, premtimet e kryeministrit nuk janë përmbushur fare gjatë këtij dyvjeçari qeverisës.

Kurse Artan Murati, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, ka vlerësuar se i pari i Qeverisë së Kosovës e ka marrë detyrën në një periudhë mjaft të vështirë.

“Kryeministri Mustafa e ka pranuar detyrën në një periudhë të vështirë politike. Përveç problemeve dhe çështjeve që kërkojnë zgjidhje në baza ditore, siç janë luftimi i krimit dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik, arsimi e shëndetësia, Qeveria aktuale vazhdimisht është dashur të përballet edhe me probleme të trashëguara nga ajo paraprake”, ka deklaruar ai.

Madje, sipas tij, gjatë kësaj kohe skena politike kosovare ka qenë më e polarizuar se kurrë më parë, gjë që, siç është shprehur ai, ka ndikuar direkt edhe në funksionimin normal të Qeverisë.

Kurti: Qeveria “Mustafa”, më e dobëta

Tinka Kurti, zyrtare për medie në Lëvizjen “Vetëvendosje”, ka vlerësuar se Qeveria e kryeministrit Mustafa është më e dobëta qysh prej pasluftës.

“Qeverisja ‘Mustafa’ është më e dobëta që prej pasluftës. Nëse vitin e kaluar kjo qeverisje ka mundur ta llogarisë si sukses shkarkimin e ish-ministrit Jabllanoviq, sivjet listën e balancës së fundvitit e përbëjnë vetëm dështimet”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Sipas saj, Qeveria aktuale nuk mund të mburret me asnjë arritje, pasi që, ashtu si ajo është shprehur, vetëm sa i ka ndihmuar vështirësimit të gjendjes.

“Një qeverisje që ka premtuar qindra vende pune e nuk ka hapur asnjë dhe ka kontribuuar që gjendja e rëndë ekonomike të vështirësohet edhe më tej nuk mund të flasë për kurrfarë arritjesh”, është shprehur ajo.

Ndërkohë më tej ajo ka thënë se kjo Qeveri ka dështuar edhe në premtimet për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në UNESCO, kodin telefonik dhe ndër ngjarjet më të rënda, siç Kurti është shprehur, ka të bëjë me ndërtimin e murit mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Nga ana tjetër deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka vlerësuar se Qeveria e Isa Mustafës nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna.

“Ikja e mbi 100 mijë qytetarëve të Kosovës përmes rrugëve ilegale, ku ka pasur edhe vdekje, pastaj premtimet për 320 mijë vende të reja pune as që ka filluar së përmbushuri. Po ashtu, premtimi për 1.2 miliard euro investime në bujqësi, tani ndahen vetëm nga rreth 50 milionë euro për këtë sektor vital për zhvillimin e Kosovës, edhe ky është dështim”, ka deklaruar ajo.

Edhe deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka vlerësuar se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Mustafa do të kujtohet vetëm për largimin e mbi 100 mijë qytetarëve të Kosovës.

“Qeveria ‘Mustafa’ do të mbahet në mend për largimin e më shumë se 100 mijë qytetarëve nga Kosova që në momentin kur është bërë koalicioni, në të cilin Mustafa të jetë kryeministër”, ka deklaruar ai, duke shtuar se Qeveria aktuale ka dështuar në të gjitha fushat.

Havolli: Mustafa punoi shumë

Në anën tjetër këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Sokol Havolli, ka vlerësuar se gjatë dy vjetëve të qeverisjes “Mustafa” ka pasur shumë rezultate pozitive.

“Për dyvjetorin e qeverisjes nga kryeministri Mustafa ka pasur një mori të sukseseve në fushën e ekonomisë, në fushën e sigurisë, po edhe në shumë fusha të tjera”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas tij, ndër arritjet kryesore gjatë qeverisjes “Mustafa” ka qenë nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Ai më tej ka thënë se ka pasur edhe suksese të tjera sa i takon këtij dyvjeçari qeverisjeje.

“Ka pasur avancim të raporteve formale të Kosovës me BE-në, ka pasur edhe përmirësim edhe në raport me shtetet individuale, ndër vizitat më të rëndësishme të kryeministrit janë zhvilluar gjatë qeverisjes ‘Mustafa’ jashtë vendit, por gjithashtu edhe vizita që janë zhvilluar në Kosovë”, ka theksuar ai.

Por krahas tërë këtyre, sipas Havollit, suksesi më i rëndësishëm ka qenë në fushën e ekonomisë.

“Më e rëndësishmja dhe më kryesorja ka qenë se gjatë këtyre dy vjetëve suksesi i Qeverisë ka qenë në fushën e ekonomisë dhe janë ndërmarrë një masë të reformave, të cilat kanë rezultuar drejtpërsëdrejti në rritjen e procesit të ekonomisë”, është shprehur ai.

Por pavarësisht këtyre, Havolli ka thënë se sfida më e madhe mbetet papunësia, megjithatë, siç ai është shprehur, është punuar mjaft në këtë drejtim.

“Sfida kryesore për ekonominë e Kosovës nuk duhet të harrojmë se është norma e lartë e papunësisë, megjithatë është punuar në këtë drejtim dhe ka pasur rezultate konkrete”, ka theksuar ai.