Kosova nuk mund t’i rivizatojë hartat në Ballkan

Aktuale December 12, 2016 - 08:12

Akademia e Shkencave nuk është konsultuar asnjëherë për çështjen e demarkacionit Kosovë - Mal i Zi. Kryetari i ASHAK-ut, Hivzi Islami, në intervistën ekskluzive për “Zërin”, flet në lidhje me dështimin e institucioneve të Kosovës dhe gjykimin emocional të opozitës që sipas tij rezultoi me mosratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin

Pas një periudhe të gjatë, Hivzi Islami, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), thyen “heshtjen” duke folur për “ngufatjen” që i ka bërë skema politike kosovare gjitha temave jetike për vendin.

Në intervistën ekskluzive për “Zërin”, Isalmi ka thënë se i gjithë konceptimi politik është orientuar në një segment: Demarkacionin Kosovë – Mal i Zi. Demarkacioni, megjithatë është tema bosht e intervistës me kryetarin e ASHAK-ut.

Por, Islami thotë se demarkacioni është i përcaktuar para vitit 1947, prandaj kosovarët nuk munden t’i rivizatojnë hartat në Ballkan, “sikur po mbahet një Kongres Shqiptar i Berlinit, i vetëmandatuar të vizatojë dhe rivizatojë harta në Ballkan!”

Zëri: Z. Islami, Kosova po e përmbyll një vit pa e kryer një detyrë të rëndësishme – ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. A ka pasur përpjekje serioze nga institucionet e Kosovës në lidhje me zgjidhjen e këtij problemi?

Islami: Diskutimet rreth demarkacionit Kosovë - Mal i Zi janë politizuar deri në skajshmëri sa që argumentimi shkencor dhe gjykimi racional kanë humbur tashmë çdo kuptim. Kjo u pa në një “debat shkencor-profesional” të organizuar nga Kuvendi i Kosovës më 3 gusht 2016. Aty kishte vetëm joprofesionalizëm, militantizëm partiak të grupeve dhe individëve, irracionalitet; ishte krijuar një opinion sikur po mbahet një “Kongres Shqiptar i Berlinit”, i vetëmandatuar të vizatojë dhe rivizatojë harta në Ballkan!

Zëri: Mirë, po çka tregojnë të dhënat zyrtare lidhur me këtë proces?

Islami: Të dhënat zyrtare tregojnë se kufiri Kosovë-Mal i Zi është vijëzuar para 15 shkurtit 1947, ndërsa kufijtë e Kosovës me Serbinë (në veri) nga informacionet në dispozicion janë kornizuar për herë të fundit në vitin 1958 kur vetë Serbia ia mori rrethit të vet të Studeniçanit 197 km² dhe ia dha rrethit të Zveçanit (Kosovë) dhe që nga atëherë Kosova ka 10.887 km².

Nuk ka njohuri se janë prekur kufijtë në pjesët e tjera të Kosovës dhe se ka ndryshuar sipërfaqja e përgjithshme e saj. Kufiri administrativ midis Malit të Zi dhe Serbisë, përkatësisht Kosovës dhe Malit të Zi është vënë para afër 70 vjetëve, por deri më sot nuk ka pasur kundërshtime as nga faktorët politikë të kohës së periudhës komuniste dhe postkomuniste, as nga grupacionet politike, as nga komunat që kufizohen me këtë ish-Republikë e as nga popullata shqiptare e këtyre zonave kufitare. Prandaj, i gjithë diskursi aktual është i natyrës politike dhe i luftës për pushtet. Pasojat e këtij politizimi janë mbajtja peng e jetës së gjithmbarshme ekonomike dhe shoqërore të Kosovës për më se një vit, rrezikimi i integrimit të Kosovës në proceset euroatlantike dhe bllokimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve të vendit në zonën Schengen.

Zëri: Megjithatë gjatë gjithë historisë në Ballkan, eksperiencat më të hidhura sa i përket kufijve i kemi ne shqiptarët?

Islami: Padyshim se po, sepse kufijtë janë vënë në rrethana të imponuara e të dhunshme dhe fatkeqësisht padrejtësitë historike nuk mund të korrigjohen ngase në terren është krijuar një gjendje faktike krejtësisht tjetër dhe në të gjitha konferencat paqësore ndërkombëtare të shekullit 20 kjo gjendje ka marrë legjitimitetin. Serbia i pushtoi Kosovën dhe Maqedoninë në vitin 1912 dhe pasuan ndarja e territorit gjeoetnik shqiptar (Konferenca e Ambasadorëve, Londër, 1912/1913) dhe tragjedi të papara njerëzore dhe materiale ndaj shqiptarëve (dy Luftëra Ballkanike dhe Lufta e I Botërore), por Konferenca e Versajës (1918/1919) i pranoi rezultatet e dhunës dhe të copëtimit të trojeve shqiptare, ndërsa Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene e formoi dhe e njohu si shtet legjitim, ndonëse ishte një krijesë artificiale! Mjerisht, rrudhja e trungut tonë gjeoetnik po vazhdon edhe sot përmes shpërnguljes intensive dhe shpopullimit mekanik dhe natyror!

Kufijtë i bëjnë forca ushtarake, në shumë raste, bashkë me atë diplomatike, dhe marrëveshjet.

Zëri: Vlerësoni se janë emocionale qasjet e subjekteve opozitare të Kosovës në lidhje me demarkacionin. Apo mendoni se janë të bazuara?

Islami: Qasjet emocionale-folklorizante ndaj kufijve nuk janë produktive dhe kujtesa historike e realiteti juridik dhe pastaj edhe faktik qëndrojnë larg njëra-tjetrës. Kufijtë midis shteteve negociohen në terren dhe në tavolinën diplomatike; sot kufijtë bëhen kryesisht me marrëveshje e jo me dhunë. Konferenca e Helsinkit (1975) ka vënë pikë në këtë çështje. Ne ende nuk kemi kufi ndërkombëtar me Malin e Zi ani pse është nënshkruar marrëveshja, sepse ajo nuk është ratifikuar në Parlamentin e Kosovës. Në momentin që ratifikohet marrëveshja, atëherë Kosova do t’i ketë fqinjë jo vetëm Malin e Zi, por edhe NATO-n, që është një siguri e madhe për Kosovën dhe gjithë rajonin. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO po i irriton shumë Serbinë dhe veçanërisht Rusinë, ndërsa sjelljet tona të pamatura ndaj Malit të Zi lidhur me kufirin po u shkojnë në favor interesave të këtyre të fundit.

Zëri: Nuk na u përgjigjët nëse është politizuar çështja e demarkacionit Kosovë – Mal i Zi?

Islami: Problemi i demarkacionit Kosovë-Mal i Zi është politizuar deri në skajshmëri dhe zhvillimet kanë arritur deri aty sa argumentimi shkencor dhe gjykimi racional kanë humbur tashmë çdo kuptim. Diskursi ashtu siç po rrjedh nuk ka lidhje me territor, por bëhet fjalë për luftë për pushtet midis grupacioneve partiake-politike, duke u krijuar raporte absurde midis tyre, të karakterizuara vetëm me epitetet: “patriot” ose “tradhtar”! Por aty vërehej edhe diçka tjetër: lufta e ashpër midis llojit, qoftë midis partnerëve të koalicionit, qoftë brenda vetë këtyre dy partive të mëdha shqiptare!

Kjo u pa dhe në një “debat shkencor-profesional” të organizuar nga vetë Kuvendi i Kosovës, më 3 gusht 2016, ku dominuan joprofesionalizmi, militantizmi ekstrem politik, injoranca dhe emocionet. Takimi i përkiste një panairi të llojit të vet, ku ziheshin në gojë edhe kufijtë deri te “Molla e Kuqe”: Mendonin se kishte ardhur koha për një “Kongres Shqiptar të Berlinit”, i vetëmandatuar për vizatimin dhe rivizatimin e kufijve të rinj në Ballkan! Ata që përpiqeshin të ofronin argumente shkencore për historikun e vijës kufitare dhe mundësi të zgjidhjes së çështjes ishin në pakicë të madhe, të përbuzur e të sharë, sepse kështu ishte orkestruar “debati shkencor” nga vetë organizatorët dhe drejtuesit e tij. Klithmat, ulërimat dhe harbutëria pro et contra, kjo ishte atmosfera!

Zëri: Megjithatë edhe Ju si kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës ishit i ftuar në këtë debat?

Islami: Më kishte ftuar kryetari i Kuvendit me ftesë speciale në cilësi të ekspertit, por në prani të tij, drejtuesi i “debatit”, nënkryetar i Kuvendit, ma merr fjalën dhe nuk më jep të drejtën të replikoj me “përfaqësuesit e popullit” dhe profiterët politikë, të cilët me sjelljet e tyre populliste gjendeshin në anën tjetër të arsyes! Isha aty vetëm në emër timin, jo të Akademisë, për ta prezantuar një opinion personal dhe për t’iu kundërvënë me argumente injorantëve dhe profiterëve politikë. Ishte i bezdisshëm “debati” më se 12 orësh dhe më të neveritshme ishin sjelljet e “përfaqësuesve të popullit” ndaj të gjithë atyre që mendonin ndryshe, por e vlejti që qëndrova deri në fund, me gjithë ofendimet që më bëheshin mua personalisht dhe Akademisë, sepse vetëm nga afër arrita të nxjerr përfundimin se në atë Kuvend nuk ka vetëm “deputetë të popullit”, por midis tyre ka edhe shumë harbutë dhe huliganë!

Zëri: Mirë, ku të gjejmë bazën hartografike për të gjetur së pari një ujdi të brendshme në lidhje me këtë çështje?

Islami: Të gjitha hartat e territorit të Kosovës bazën hartografike e kanë tek ish-Drejtoria Krahinore e Gjeodezisë së Kosovës, sot Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe të gjithë shfrytëzuesit tanë janë mbështetur aty, përfshirë edhe këta që po kundërshtojnë sot. Kufijtë janë çështje e shtetit. Shteti me fqinjët merren vesh për vijën kufitare pas hulumtimit të dokumentacionit dhe mbledhjes së të dhënave në terren dhe arkiva: kadastrale, gjeodezike, gjeografike, historike, ekonomike, etnike, hartografi me ekspertë të planifikimit hapësinor të komunave përkatëse, të trashëgimisë kulturore, përmes bisedave me njerëzit e atjeshëm të moshës së vjetër, me politikanë lokalë që i kanë drejtuar apo i drejtojnë ato komuna të zonave kontestuese kufitare.

Zëri: Në rregull, po sa ishte profesional Komisioni Shtetëror për Demarkacionin?

Islami: Shteti e formon Komisionin Shtetëror të Demarkacionit, tepër profesional dhe kredibil. Edhe Kosova e formoi një Komision, por jo me një cilësi profesionale në nivel që e kërkonte çështja. Ai kishte për detyrë që bashkë me Komisionin Shtetëror të Malit të Zi ta vërtetonte ku ka qenë kufiri administrativ midis Kosovës dhe Malit të Zi, që do të bëhet kufi shtetëror pas pavarësisë së Kosovës. Pas punës disavjeçare ky Komision paraqiti një Raport përfundimtar. Sipas mendimit tonë Raporti ishte ekstensiv, me plot paqartësi dhe materiale irelevante për kufirin - u referohej disa viteve, dokumenteve e ngjarjeve që nuk kanë fort lidhje me kufirin Kosovë - Mal i Zi, Kosovë -Serbi, prandaj ka lënë hapësirë për interpretime të ndryshme. Komisioni që nga themelimi, së bashku me Qeverinë, nuk ishte as transparent sa duhet për punën e kryer; në mungesë të transparencës dhe megalomanisë se votat janë të siguruara në Kuvend për miratimin e Raportit, nuk ditën ta plasonin edhe pjesën produktive të punës së bërë, të mbështetur në të dhëna dhe fakte të pakontestueshme.

Pjesë e këtij Komisioni është dashur të ishte patjetër një kuadër nga Peja (ekspert, politikan tepër kredibil, i dikurshëm apo i sotëm etj.). Detyra e Komisionit ishte që të gjendej kufiri administrativ midis Malit të Zi dhe Serbisë, përkatësisht Malit të Zi dhe Kosovës, i vënë padrejtësisht, dhe ai kufi i padrejtë do të ishte kufi “i drejtë”, të cilin sot duhet pranuar si të tillë. Mbetet i panjohur fakti se a është gjetur njëmend ajo vijë kufitare, e shënuar me diçka, me gur të posaçëm, me piramida përkatëse apo shufra të trasha hekuri, derisa dihet se mezhdat e të gjitha arave ose pronave të tjera në gjithë ish-Jugosllavinë janë shënuar së paku me gurë.

Zëri: Po Akademinë e Shkencave a e ka pyetur ndokush në lidhje me Demarkacionin dhe a do të duhej të pyeteshit edhe Ju?

Islami: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës nuk është konsultuar për asgjë, nga formimi i Komisionit Shtetëror për Demarkacion e deri më sot. Në maskaradën e 3 gushtit isha për ta prezantuar vetëm një opinion timin, meqenëse përveç demografisë si profesion bazë që e kam, kam mbajtur shumë vjet ligjërata në UP nga gjeopolitika dhe gjeografia politike dhe disa baza parimore dhe supozime teorike mund t’i dija, por kam bërë dhe hulumtime në terren, në pjesën më të ndjeshme të zonave kufitare për të cilat po debatohet tash e një vit.

Pra nuk isha në emër të Akademisë, por të gjitha instancat mediatike e të tjera e cilësonin mendimin tim si të kryetarit të Akademisë. Në anën tjetër, Akademia nuk është agjenci profesionale, me infrastrukturë operative, që të merrej më çështje të kufijve. Por po të ishte pyetur, do të ishte përpjekur që të ndihmonte me këshilla rreth përbërjes së Komisionit. Mjerisht që nga paslufta gati të gjitha instancat profesionale në Kosovë, kompanitë publike, agjencitë, departamentet, këshillat, bordet, komisionet etj., me shumë ingjerenca dhe përgjegjësi, janë drejtuar dhe ende drejtohen nga joprofesionistë, nga njerëz në vija partiake, klanore, farefisnore. Profesionistët shumë shpesh janë mënjanuar, prandaj sot po i vuajmë pasojat e joprofesionalizmit, të nepotizmit dhe privilegjeve të njerëzve të grupeve dhe klikave partiake.

Zëri: Mirë, a mund të na thoni se cila është zgjidhja lidhur me këtë problem?

Islami: Meqenëse çështja e demarkacionit të kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi ka shkaktuar polarizim të skajshëm midis aktorëve politikë në vend dhe tash e një vit i ka lënë anash të gjitha çështjet tjera ekonomike, sociale etj., sipas mendimit tonë, si zgjidhje mund të jetë një matje e re e territoreve (gjendja e kornizimit të fundit në vitin 1958) të të dy shteteve nën mbikëqyrje ndërkombëtare dhe krahasimi i rezultateve me gjendjet që kanë sanksionuar kushtetutat përkatëse për të parë nëse ka hapësirë që del përtej dhe kujt i përket ajo. Për këtë duhet të ketë një konsensus të gjerë të të gjitha forcave politike në vend. Ekspertët pohojnë se sot posedojnë teknologji shumë të sofistikuar që të bëhet kjo matje, madje shumë shpejt. Të shihet përputhja ose mospërputhja e sipërfaqes, që as të mos japim asnjë centimetër tokë tonën, por as të mos marrim asnjë centimetër tokë të huajën. Mali i Zi ndoshta këtë kërkesë nuk e pranon, por kjo nuk ka rëndësi. Ta dimë ne vetveten!

Ekspertët e matjes të jenë plotësisht të pavarur,  edhe ekspertët që i dërgojnë grupacionet politike edhe ekspertët e huaj. Komisioni mund të bëhej nga një grup i ekspertëve të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës pa asnjë anëtar të Komisionit Shtetëror dhe grupit të “ekspertëve” që e kanë kundërshtuar vijën e caktuar nga Komisioni. Ose arbitrazhi i ri ndërkombëtar. Por një lloj arbitrazhi ndodhi: State Departamenti Amerikan dhe një Komision Ndërkombëtar dhanë mendimet e tyre – verifikuan rezultatin e dy Komisioneve Shtetërore. Zgjidhje tjetër nuk po shohim, pos t’i kapim sëpatat e ta vazhdojmë konfliktin dhe ta shkatërrojmë edhe atë që e kemi ndërtuar me shumë mund dhe sakrifica, bashkë me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në. Pa ta nuk do të kishte ardhur as çlirimi e as pavarësia, madje as që do të kishim pasur mundësi të bisedonim për çështjet kaq të rëndësishme e të ndjeshme, siç është problemi i kufijve ndërshtetërorë. Pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht të SHBA-së dhe BE-së, ne nuk mund ta shtrijmë sovranitetin shtetëror në pjesën veriore të vendit tonë e lëre më t’i zgjidhim çështjet e kufijve ndërkombëtarë të Kosovës me vendet fqinje.