Qeveria, fajtore për vizat

Aktuale December 10, 2016 - 07:56

Akuza e kryeministrit Isa Mustafa në drejtim të opozitës se këto të fundit janë fajtore pse Kosovës nuk iu hoqën vizat këtë fundvit, njejtë si Ukrainës dhe Gjeorgjisë, vlerësohet si e pabazë.

Por, analistët politikë në vend thonë se pikërisht Qeveria e Kosovës është fajtorja pse Kosovës nuk iu hoqën vizat, pasi që, siç thonë ata, ky koalicion qeverisës ka pasur më shumë se 80 depuetë në Parlament, të cilët pa kurrfarë problemi kanë mundur ta kalojnë çdo marrëveshje, apo Ligj, ndonëse kanë dështuar në këtë drejtim.

Ndërsa opozita, sipas tyre, nuk e ka fuqinë politike e as mandatin për të qeverisur me vendin.

Fajin e ka Qeveria, opozita s’ka mandat për të qeverisur

“Sot është dita kur duhet të turpërohen të gjithë ata që duke shpikur dhe duke u bërë avokat të një kauze të rrejshme penguan liberalizimin e vizave për Kosovën, derisa Ukraina dhe Gjeorgjia fituan për qytetarët e tyre”, ka deklaruar ditë më parë shefi i Qeverisë.

Por, Krenar Gashi, doktorant në shkencat politike, ka vlerësuar për “Zërin” se mënyra për ta fajësuar tjetrin për mosliberalizim të vizave është e çuditshme.

“Kjo lojë e fajësimit të ndërsjellë po tregon se sa e çuditshme është situata politike. Në njërën anë e kemi qeverinë që ani pse është formalisht e fuqishme, nuk e ka mbështetjen e publikut”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

E në anën tjetër, sipas tij, gjendet opozita e cila ka arritur ta pozicionojë publikun kundër marrëveshjes së demarkacionit.

Ai më tej, ka thënë se partitë opozitare e kanë pasur të lehtë që t’i prijnë pozicionimit në fjalë.

“Duke qenë dëshmitarë të një qeverisjeje jo të mirë gjatë dekadës së fundit, opozita e ka pasur fare lehtë që t’i prijë këtij pozicionimi dukë përdorur diskurs nacionalist dhe duke e ndërlidhur demarkacionin, që është një çështje e kohës, me narrativin e historisë së popullit shqiptar, pra me konceptin e 'humbjes së tokës”, ka vazhduar Gashi.

Ai ka shtuar se përgjegjësinë për mosliberalizimin e vizave e mban qeveria, pasi që, siç thotë, opozita nuk e ka mandatin për të qeverisur.

 “Së këtejmi, të dy palët kanë hise në këtë situatë e cila na ka zhvendosur jashtë agjendës së liberalizimit të vizave. Përgjegjesinë, megjjithatë, e mban qeveria, e cila nuk mund të shfajësohet përmes opozitës, sepse opozita, tek e fundit, nuk e ka fuqinë politike as mandatin për të qeverisur”, është shprehur Gashi.

Po humbet treni i fundit i liberalizimit

Kurse, Haki Abazi nga “Rockfeller Brothers Fund”, ka vlerësuar se heqja e vizave për Kosovën nuk po ndodh si pasojë mosarritjes së një konsensusi mes pozitës e opozitës.

“Liberalizimi i vizave është vonuar nga udhëheqja jodemokratike, mungesa e vullnetit politik për të krjuar koncensus me opozitën dhe shoqërinë civile, arrogancë e tre-katër njerëzve që e shohin veten mbi ligjin”, ka deklaruar ai.

Sipas Abazit, liberalizimi i vizave është vetëm një nga dështimet e shumta të qeverisë.

“Siç janë dështimi për anëtarësim në UNESCO, dinamika e vdekur e njohjeve ndërkombëtare, dështimi në krijimin e vendeve të reja të punës, sistemi jofunskisonal i drejtesisë dhe mungesës në luftën kundër korrupsionit, dështimet në dialogun me Serbinë dhe ballafaqimin me murin e Mitrovicës”, është shprehur ai.

Tërë këto siç ka potencuar Abazi,  tregojnë dështimin e qeverisë. Kurse, vonesat sipas tij, kanë ardhur si pasojë e koalicionit jonatyror ndërmjet LDK-së dhe PDK-së.

Ndërkohë, ka vlerësuar se Kosova është duke e lëshuar edhe mundësinë e fundit për heqje të vizave.

“Me këtë trend të zhvillimeve dhe rritjes së të djathtës ekstreme në Evropë, Kosova është duke humbur trenin e fundit për liberalizim dhe ecje progresive drejt Evropës në përgjithësi”, ka përfunduar Abazi.

LVV: Qeveria, përgjegjëse për mosheqje të vizave

Nga ana tjetër, Donika Kadaj-Bujupi, deputete e Lëvizjes “Vetëvendosje”, njëherit anëtare e Komisionit për Integrime, ka vlerëusuar se qeveria e ka fajin kryesor për mosliberalizim të vizave.

“Natyrisht se përgjegjësia për mosliberalimin e vizave i takon krejtësisht Qeverisë. Kriteri më i rëndësishëm për liberalizimin e vizave është luftimi i korrupsionit. Kjo kërkesë është injoruar vazhdimisht nga Qeveria”, ka deklaruar ajo.

E luftimi i korrupsionit sipas saj, do të arrihej vetëm nëse kryeministri bashkë me kolegët e tjerë të tij, të dorëzoheshin në organet e drejtësisë.

“Në fakt nënkupton luftimin në majat e zhvillimit të këtij fenomeni. Luftimi i korrupsionit do të thotë që Isa Mustafa t’ia nisë prej vetes dhe t’i dorëzojë edhe kolegët e tij të koalicionit ‘Pronto’ tek organet e drejtësisë. Por, një kryeministër me 70 dosje të korrupsionit, sigurisht që nuk merret me këtë çështje”, ka theksuar deputetja e LVV-së.

AAK: Kur të ndryshohet mentaliteti i Qeverisë, vijnë vizat

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka vlerësuar se kryeministri Mustafa duhet ta përgëzojë opozitën për veprimet që ka bërë në të mirë të Kosovës.

“Isa Mustafa duhet ta përgëzojë opozitën që ka qenë, është e do të jetë gardiane e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror, derisa të ketë kanosje nga kryeministra të papërgjegjshëm si puna e Isa Mustafës”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Ndërkaq, ka thënë se vizat do të hiqen vetëm atëherë kur do të ndryshohet mentaliteti i qeverisë aktuale.

“Nisma”: Fajtori të gjendet brenda Qeverisë

Nga ana tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Dushica-Bajrami, ka vlerësuar se fajtori për mosliberalizim të vizave duhet të gjendet brenda qeverisë së Kosovës.

“Për mosrealizimin e premtimeve që i kanë prezantuar edhe gjatë fushatës e madje edhe gjatë gjithë kësaj kohe nga z. Mustafa, ashtu edhe nga partneri i tij për liberalizimin e

vizave, si çdo herë këta duan ta gjejnë fajtorin”, ka deklaruar ajo.

Ajo tutje, e ka cilësuar si të ulët mospërmbushjen e detyrave të Qeverisë.