Qeveria në kërkim të votave për Demarkacionin

Aktuale December 09, 2016 - 08:15

Përfaqësuesit e Qeverisë thonë se Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi do të procedohet në Kuvend në momentin që sigurohen 80 votat e nevojshme për ratifikim. Opozita shprehet e bindur se Qeveria nuk do t’i sigurojë ato vota

Koalicioni qeverisës është duke bërë përpjekje që t’i sigurojë votat për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, të cilën për më shumë se një vit nuk arriti ta ratifikonte. Përfaqësuesit e Qeverisë thonë se në momentin që sigurohen 80 votat e nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes së Vjenës ajo do të procedohet në Kuvend për votim. Në anën tjetër, subjektet opozitare thonë se Qeveria po tregohet kokëfortë në këtë çështje, megjithatë ata thonë se koalicioni nuk do t’i ketë asnjëherë votat për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, të cilën opozitarët e konsiderojnë të dëmshme për vendin.

Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit të vendit, ka thënë për “Zërin” se Qeveria nuk ka hequr dorë nga ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi dhe se kjo marrëveshje do të procedohet në Kuvend në momentin që koalicioni qeverisës sigurohet se do t’i ketë votat e nevojshme për ratifikim.

“Marrëveshja do të procedohet atëherë kur besojmë se i kemi siguruar 80 vota”, është shprehur Gecaj.

Në anën tjetër deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë se Qeveria e kryeministrit Mustafa po vazhdon të tregohet kokëfortë sa i përket Demarkacionit.

“Qeveria ishte kokëfortë qysh në fillim, edhe atëherë kur opozita dhe mbi 205 mijë qytetarë përmes peticionit e kundërshtuan atë marrëveshje, Qeveria prej atëherë nuk ka reflektuar dhe tani po tregon jo vetëm që e përkrah këtë dështim”, ka deklaruar Haxhiu.

Megjithatë, ajo është shprehur e sigurt se koalicioni nuk do të arrijë t’i sigurojë votat për ratifikimin e Marrëveshjes së Vjenës.

“Jemi të sigurt se asnjëherë nuk do t’i bëjnë votat, pasi kundërshtim i fuqishëm është duke ndodhur edhe brenda vetë partisë së kryeministrit Mustafa. Ai po bën lojë me ndjenjat e qytetarëve, pasi nuk po i merr seriozisht nënshkrimet e mbi 205 mijë qytetarëve”, ka shtuar deputetja Haxhiu.

Ajo gjithashtu ka thënë se është e pakuptueshme se si kryeministri Mustafa kërkon që të bëhet matja e territorit të Kosovës në kohën kur ende nuk është bërë shënjimi i vijës kufitare me shtetet fqinje. Deputetja e AAK-së ka thënë se Mustafa për këtë çështje duhet të konsultohet me deputetin e partisë së tij, Shpejtim Bulliqin.

“Ai gjithashtu po kërkon të bëhet matja e territorit, por ai duhet ta pyesë deputetin e subjektit të tij, Shpejtim Bulliqin, se si bëhet matja. Pra më e keqja nuk është që kryeministri nuk di se si bëhet matja, por as nuk do t’i dëgjojë ekspertët. Ekspertët kanë sqaruar se matja bëhet pasi të caktohen vijat kufitare”, ka përfunduar Haxhiu.

Ndërsa deputeti i “Nismës për Kosovën”, Haxhi Shala, ka thënë se kryeministri i vendit nuk është i interesuar për zgjidhjen e problemit të demarkacionit më Malin e Zi.

“Kryeministri nuk është i interesuar që ta zgjidhë këtë problem, por deklaratat për çështjen e demarkacionit po i jep vetëm për konsum ditor nëse mund të them, që gjoja se është duke u përpjekur ta kryejë këtë çështje. Këto janë deklarata vetëm sa për t’u arsyetuar para ndërkombëtarëve”, ka theksuar Shala.

Por ai është shprehur i sigurt se marrëveshja e 26 gushtit të vitit të kaluar nuk do të ratifikohet.

“Po të donte kryeministri, ky problem do të zgjidhej. Kjo marrëveshje nuk do të kalojë asnjëherë, pasi shumë deputetë kanë dyshime për këtë marrëveshje, prandaj edhe nuk japin votën e tyre për një marrëveshje, e cila për ta është shumë e dyshimtë”, ka përfunduar Shala.

Ndërkohë profesori, Blerim Burjani, ka thënë se pushteti dhe opozita duhet të tregohen më të përgjegjshme.

“Ishte dashur që të dyja palët të jenë më të përgjegjshme dhe ta zgjidhin këtë çështje. Unë personalisht besoj që ky është problem artificial, qëllimet janë që të shkohet në zgjedhje. Por besoj që do të ishte një zgjidhje e mundshme që pushteti dhe opozita të merren vesh për çështjen e demarkacionit dhe më pas të shkohet në zgjedhje”, ka vlerësuar Burjani.

Sipas tij, në rastet kur koalicioni nuk i ka votat për vendime të rëndësishme më mirë është të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Në kohën kur pushteti nuk i ka votat për këtë marrëveshje dhe kur është pothuajse e pamundshme që Parlamenti ta kryejë punën për shkak të mungesës së votave për marrjen e vendimeve të rëndësishme, do të ishte shumë më e udhës që vendi të shkojë në zgjedhje. Pra, pushteti duhet të kërkojë që të gjejë një zgjidhje me opozitën për Demarkacionin dhe që më pas të shkohet në zgjedhje”, ka thënë Burjani.