Shumë universitete, shumë analfabetë!
Përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend kanë kërkuar që rezultati i PISA-s të diskutohet edhe në Parlamentin e Kosovës. Ekspertë të arsimit thonë se politika ka rol vendimtar në degradimin e universiteteve në Kosovë, të cilët janë pjesë e ciklit vicioz të gjendjes katastrofike në arsimin kosovar
Pas rezultateve të dobëta në testimin e PISA-s për cilësinë e arsimit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar të mërkurën Planin Strategjik për Zhvillimin e Arsimit në Kosovë për periudhën pesëvjeçare (2017 - 2021).
Pavarësisht kësaj, përfaqësuesit ndërkombëtarë në vend kanë kërkuar që rezultati i PISA-s të diskutohet edhe në Parlamentin e Kosovës.
Zyra e BE-së në Kosovë, Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim, Agjencia Austriake për Zhvillim, Ambasada e Zvicrës dhe World Learning në Kosovë kanë lëshuar dje një deklaratë të përbashkët, duke shprehur shqetësimin lidhur me rezultatin në PISA. “Si përfaqësues të komunitetit të donatorëve që mbështesin zhvillimin e Kosovës, ne presim që MASHT-i të sigurojë një diskutim të gjerë të rezultateve të PISA-s në Qeveri dhe në Parlament”, kanë theksuar ata.
Testi i PISA-s tregoi se nxënësi mesatar kosovar i klasës së nëntë mund të krahasohet me një nxënës të klasës së gjashtë nga vendet e industrializuara për nga aftësia për ta zbatuar njohurinë e vet në zgjidhjen e problemeve praktike. Por, ky veprim i Qeverisë nuk e mbulon dështimin e sistemit arsimor, që sipas analistëve, anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Arsim, sociologëve dhe SBASHK-ut ka ardhur edhe si pasojë e buxhetit të ulët që ndahet për arsim dhe moskërkimit të llogaridhënies.
Eksperti i arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë për “Zërin” se rezultatet e PISA-s janë shkaktarë të problemeve të akumuluara me dekada në arsimin kosovar. “Është mirë që Ministria ka lejuar mbajtjen e testit për të parë shkallën e degradimit të arsimit në Kosovë në të gjitha nivelet. Për cilësinë e dobët duhen fajësuar të gjitha nivelet dhe faktorët. Arsimi në Kosovë nuk merret seriozisht nga asnjëra palë. U bënë dhjetë vjet që në Kosovë pagat e arsimtarëve rriten në kohë të zgjedhjeve dhe pa asnjë kriter e asnjë dallim për të gjithë”, ka thënë Rexhaj për “Zërin”.
Kërkohet një pakt kombëtar për sektorin e arsimit
Rexhaj thotë se vetëm në Kosovë ndodh që të themelohen pesë universitete për një javë, pa asnjë përgatitjeje, pa asnjë ndërtesë, si dhe me borde politike që nuk e dinë se çka do të thotë ai post. “Vetëm në Kosovën e varfër ndërtohen shkolla në çdo kodër për të mbledhur vota politike, vetëm në Kosovë emërohesh drejtor për besnikëri të verbër politike ndaj kryetarit të komunës (më herët ka qenë ndaj ministrisë) vetëm në Kosovë mësuesi shkon në klasë vetëm me një shkumës… Ne e kemi humbur rrugën në oborr në arsimin tonë”. Rexhaj thotë se problemi më i madh është se nuk ka pasur as ngritje graduale sado të vogël nëpër vite. “Nëse e shikojmë me vëmendje do të vërejmë se cilësia në arsim bie me rritjen e nivelit arsimor. Sa për ilustrim: shkolla fillore mbahet më mirë sesa shkolla e mesme e ulët e kështu me radhë deri te universiteti. Gjendja më e keqe besoj se është në arsimin e mesëm të lartë, për shkak të numrit të madh të nxënësve në klasë, diversitetit më të madh të programeve-drejtimeve dhe mungesës së kualifikimeve dhe trajnimeve cilësore për mësimdhënësit”. Sipas tij, politika ka rol vendimtar në degradimin e shkollës dhe universitetit në Kosovë. “Nuk mund të emërohesh ose të zgjidhesh drejtor e profesor - mësimdhënës nëse nuk je luajal ndaj partisë në pushtet në nivelin përkatës. Si shembull kemi bordet e universiteteve të reja, në kohën që kërkohet sa më shumë ekspertizë që ta marrin veten në vitet e para të funksionimit – ato borde gëlojnë nga militantë partiakë krejtësisht injorantë për çështje të arsimit e të shkencës. Përderisa më herët është fajësuar Ministria për emërimet e drejtorëve e të mësimdhënësve nëpër shkolla, tash këtë e bëjnë (në mënyrë edhe më katastrofike) kryetarët e komunave – madje duke i injoruar edhe drejtorët komunalë të arsimit nga partia e tyre”, thotë Rexhaj. Për të mos u përsëritur ky rezultat, Rexhaj thotë se kërkohet një pakt kombëtar për sektorin e arsimit. “Është krejtësisht iluzore të priten përmirësime për ‘PISA 2018’ kur përfundoi viti 2016 e kur dihet buxheti për vitit 2017”, thotë ai. Rexhaj thotë se para se të vlerësohen mësimdhënësit duhet të përkrahen, të bëhen pjesë e proceseve, të përfshihen në përcaktimin e qëllimit, natyrës dhe formës së testimit dhe pastaj të ndihmohen në përgatitje për testim. Duke u bazuar në disa të dhëna të hulumtimit që ka bërë Rexhaj thotë se mungesa e teknologjisë arsimore dhe mjeteve materiale, mospërgatitja për orë, mungesa e planifikimit dhe varësia ekskluzive nga libri janë problemet më të mëdha për cilësinë e tanishme. “Shteti duhet të merret me këto probleme dhe të përkrahë mësimdhënësit në tejkalimin e tyre”. Madje, Rexhaj thotë se edhe universitetet janë pjesë e ciklit vicioz të gjendjes katastrofike në arsimin kosovar. “Në universitete edhe është bërë dëmi më i madh ndaj sistemit arsimor nëpërmjet të instrumentalizimit të tyre për diplomimin, avancimin dhe rehatimin e militantëve partiakë. Këtu ka ndodhur edhe degradimi më i madh i titullit dhe i statusit ‘Profesor’”. Ai thotë se në Kosovë nuk çmohet ekspertiza, përkundrazi. “Vetëm do të doja që sulmet të mos zbrazen në mësimdhënësit kosovarë, ata janë fajtorët e fundit”.
Kurrikula në letër, jo në praktikë
Analistja Besa Luzha ka thënë se rezultatet e PISA-s janë zhgënjyese. Ajo thotë se duhet analizuar çfarë ofrohet për mësim (programi-kurrikula) apo tek mënyra si realizohet mësimi (përgatitja metodike e mësimdhënësve), si dhe mënyrat e vlerësimit të dijeve dhe shkathtësive të të nxënit. Megjithatë, ajo ka thënë se ka mësimdhënës që punën e tyre e bëjnë shkëlqyeshëm dhe nxënësit e tyre janë po ashtu të shkëlqyeshëm. Por Luzha ka thënë se si duket këta mësimdhënës janë një pakicë e konsiderueshme. “Duke qenë e përfshirë për një kohë të gjatë në zhvillim të kurrikulës kam vërejtur se ndonëse ato ndryshime që i parashohim në letër janë të mira dhe do të duhej t’i ngrenë dijet dhe shkathtësitë e nxënësve, ato nuk arrijnë të përkthehen në praktikë nga ana e mësimdhënësve. Përgatitja e mësimdhënësve është faktori kryesor në këtë proces”, ka thënë Luzha.
Sociologu Leutrim Sahiti thotë se nuk mund të ketë vlerësim pozitiv për arsimin në Kosovë në kohën kur provimet kalohen me skripta, pyetjet në provime në shumicën e rasteve janë të njëjta në secilin afat, shumica e profesorëve universitarë pensionohen dhe ende nuk kanë asnjë libër të botuar, pranimi në universitet bëhet me korrupsion e nepotizëm, studentët mbushin muret dhe tavolinat me përgjigje të testeve, pastaj përzgjedhja e mësuesve, arsimtarëve e profesorëve bëhet në bazë të përkatësive partiake... “Ekonomisti ligjëron drejtësinë, filozofi psikologjinë e biologu gjeografinë, e një profesor mban pesë vende pune njëkohësisht...”, thotë Sahiti. Ai thekson se ka jo pak raste kur mësimdhënësi u thotë nxënësve lexojeni mësimin e në fund të orës e përsëritni, ndërkohë ai del jashtë apo luan me telefon. Sahiti thotë se për të ngritur cilësinë e arsimit në Kosovë së pari duhet të ndodhë depolitizimi i sistemit arsimor, duke qëndruar larg universiteteve partitë politike si dhe mësimdhënësit të mos shihen si simpatizantë apo vota të partive politike.
Ndërsa Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka kërkuar të mos fajësohen vetëm mësimdhënësit. Rrahman Jasharaj, kryetar i kësaj Sindikate, ka thënë për “Zërin” se tani do të ishte gabim më i madh nëse institucionet dhe të tjerët bëjnë gisht vetëm nga një faktor dhe mundohen ta lënë fajtor vetëm mësimdhënësin. Jasharaj thotë se institucionet duhet të kenë kujdes edhe në tekste shkollore të shohin nëse janë adekuatë për shkollimin e shekullit 21. “Shteti ynë duhet të jetë konkret dhe të ndajë më shumë buxhet, e kam fjalën për buxhet për t’i përmirësuar kushtet e punës në shkollat tona, ngase mësimdhënësit ishin përgatitur edhe me ECDL-së (trajnim për kompjuter) edhe me trajnime të shumta e madje të tepruara shpesh, por kur janë kthyer në shkollë, shkollën e kanë gjetur të njëjtë dhe kanë punuar më shpuzë dhe me shkumës”, ka thënë Jasharaj për “Zërin”
Reforma në arsim, e paqëlluar për Kosovën
Shpejtim Bulliqi, anëtar i Komisionit Parlamentar për Arsim nga radhët e LDK-së, ka vlerësuar se raporti i PISA-s është real dhe i pritur. “Kosova qysh para 16 vjetësh gjendet në një reformë, prej së cilës nuk po mund të dalë ende”, ka thënë Bulliqi për gazetën. Që nga viti 2000, ai thotë se sistemi arsimor është në një reformë, por nga e cila reformë, për fat të keq, as sot nuk po arrihet të dilet. “Një reformë substanciale, që në shumicën e rasteve ndoshta nuk ka qenë e qëlluar për Kosovën”, ka shtuar deputeti i LDK-së. Bulliqi ka thënë se duhet përqendruar që kjo reformë të përfundojë sa më parë. “E për ta ndryshuar këtë rezultat, ai ka thënë se duhet të punohet shumë në këtë drejtim. “Duhet bërë një punë shumë më e madhe, sidomos me Fakultetin e Edukimit, por edhe me njësitë e tjera akademike të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me mësimdhënien”, ka thënë ai. Ndërsa, ish-zëvendësministri dhe kryesuesi i Komisionit për Testin e Maturës Shtetërore, Nehat Mustafa, ka vlerësuar se publikimi i raportit të PISA-s është në të mirë të Kosovës. “E para është mirë që doli ky raport dhe arsimi u bë temë qendrore në Republikën e Kosovës dhe kjo ndoshta do të jetë një thirrje për të gjitha institucionet e Kosovës, duke përfshirë presidentin, kryeministrin, të gjitha ministritë, shoqërinë civile, mësimdhënësit, prindërit, në mënyrë që çdo ditë të diskutojnë dhe të merren me arsimin”, ka deklaruar ai për “Zërin”. Mustafa ka thënë se Ministria e Arsimit në një konferencë ndërkombëtare para 4 vjetësh e kishte pranuar vetë të bëhej një testim i tillë, sado që ka qenë në dijeni se nuk do ta nxirrte Kosovën në nivel të kënaqshëm.
Ai thotë se Ministria e Arsimit duhet të formojë grupe të veçanta të analizave në fushat e vlerësimit.
Të gjitha qeveritë e pasluftës “bojkotuan” arsimin
Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, anëtar i Komisionit Parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi, ka vlerësuar se nxënësit janë ata që më së paku kanë faj lidhur me rezultatin e dobët të PISA-s. “Nxënësit nuk e kanë fajin për këtë rezultat i cili tani po na shqetëson të gjithëve”, ka deklaruar ai. Sipas tij, deri te kjo gjendje Kosova ka ardhur si pasojë e mungesës së angazhimit të duhur në fushën e arsimit të të gjitha qeverive të pasluftës.
“Përgjegjësi e veçantë bie mbi qeveritë, drejtoritë komunale dhe udhëheqjet komunale që nuk kanë punuar mjaftueshëm ose nuk kanë ditur të punojnë si duhet për të arritur rezultate në arsim”. Kurteshi ka vlerësuar se gjendja aktuale në arsim është tejet e rëndë. E nga kjo gjendje, sipas tij, mund të dilet vetëm me angazhimin e gjithë shoqërisë. “Duhet ta pranojmë të gjithë që gjendja në arsim është shumë e rëndë, por kjo nuk mund të ndodhë me klanet e Qeverisë ‘Pronto’”, ka theksuar Kurteshi.
Kurse, Shukrije Bytyçi, deputete e “Nismës për Kosovën”, pjesë e Komisionit për Arsim ka vlerësuar se raporti i PISA-s i cili radhiti Kosovën gati krejt në fund, është mjaft i rëndë.. Bytyçi ka thënë se Qeveria bashkë me Ministrinë e Arsimit e kanë fajin kryesor për një rangim të tillë të Kosovës.
“Vlerësoj që fillon prej Qeverisë e cila nuk e ka prioritet aspak të ardhmen e këtij vendi, pastaj ministri i Arsimit, që shqetësim kryesor e ka të punësojë njerëz të afërm të tij dhe nuk jep përgjegjësi si udhëheqës i këtij dikasteri”, ka potencuar ajo. Andaj, sipas saj, duhet të japë dorëheqje e gjithë Qeveria pasi ka dështuar totalisht në të gjitha obligimet që i ka.