Largoni të korruptuarit nga pozitat!

Aktuale December 07, 2016 - 08:02

Matthew Palmer, drejtor për Çështje të Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ka inkurajuar Qeverinë e Kosovës që t’i largojë nga pozitat e tyre zyrtarët e korruptuar dhe të paaftë, përderisa ministrat, sipas tij, duhet të kenë të kaluar të pastër dhe të jenë të përkushtuar për kryerjen e misionit dhe mandatit të tyre me një kapacitet profesional

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) inkurajojnë Qeverinë e Kosovës që t’i largojë nga pozitat e tyre zyrtarët e korruptuar dhe të paaftë, përderisa ministrat duhet të kenë të kaluar të pastër dhe të jenë të përkushtuar për kryerjen e misionit dhe mandatit të tyre me një kapacitet profesional. Këto komente gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” i ka bërë Matthew Palmer, drejtor për Çështje të Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH).

Palmer po ashtu ka folur edhe për Gjykatën Speciale, ku, sipas tij, drejtësia ndërkombëtare është e dizajnuar për t’i hetuar në mënyrë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse dyshimet për sjellje kriminale dhe të atribuojë përgjegjësitë për individët dhe jo grupet etnike, jo për kombe/shtete, jo për një organizatë të tillë si UÇK-ja, si një institucion. “Pra, në atë masë saqë ky proces identifikon veprimet e individëve përmes një procesi të drejtë, transparent dhe llogaridhënës, duke bërë ata përgjegjës si individë dhe jo si përfaqësues të popullit të Kosovës”, ka thënë ai.

Duke komentuar nëse administrata e presidentit të ri Donald Trump do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën njëjtë siç e kanë përkrahur paraardhësit e tij demokratë, Palmer konfirmon për “Zërin” se administrata Demokratike, administrata Republikane e kanë përkrahur dhe përkrahin vizionin për një Evropë të tërë të lirë dhe paqësore. Dhe, siç thotë ai, një Kosovë demokratike multietnike, e integruar në familjen e kombeve evropiane dhe institucioneve euroatlantike është plotësisht një pjesë e atij vizioni.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin”, zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit ka folur edhe për kushtet e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën, luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, interesin e presidentit turk Erdogan për Ballkanin, etj.

Zëri: A do të jenë vendet e Ballkanit në fokus të politikës së jashtme amerikane gjatë mandatit katërvjeçar të presidentit Trump?

Palmer: Në lidhje me çështjen e zgjedhjeve dhe të tranzicionit kjo është një pjesë normale e demokracisë, sigurisht një pjesë normale e demokracisë amerikane, diçka që ne kemi kaluar shumë herë në më shumë se dyqind vjet. Dhe në qoftë se kemi parasysh në mënyrë të veçantë Ballkanin dhe politikën amerikane në Ballkan, ajo ka qenë e shtyrë në më shumë se dy apo tri dekadat e fundit nga interesat themelore dhe të qëndrueshme amerikane dhe ne nuk do të donim të shihnim shkrirjen e atyre interesave. Këto interesa mbesin konstante, të qëndrueshme dhe politika jonë buron nga këto interesa. Pra, politika jonë në rajon, politika jonë ndaj Kosovës ka gëzuar mbështetje të gjerë dypartiake. Unë do të inkurajoja Kosovën për të parë këtë si një mundësi të prezantojë veten para administratës së re në mënyrën më të mirë të mundshme, duke bërë një hap përpara dhe duke demonstruar angazhimin tuaj për të bërë progres në rrugën drejt integrimit evropian. Por në këtë pikë nuk do të shohim ndonjë ndryshim domethënës të interesit të SHBA-së dhe politikës amerikane.

Zëri: Historikisht kemi pasur mbështetje të marrëdhënieve të mira nga të dyja palët, nga demokratët gjatë luftës 1999 pastaj nga republikanët kur kemi shpallur pavarësinë më 2008-n. Por, deklaratat e zotit Trump janë parë si një flirt me Rusinë, duke pasur parasysh se Serbia ka mbështetjen e drejtpërdrejtë nga Rusia. Sa do të ndikojë kjo ndaj Kosovës?

Palmer: Duket se jeni duke kërkuar nga unë të parashikoj të ardhmen, e cila është diçka që me të vërtetë nuk jam në gjendje ta bëj. Por, unë do të theksoja se administrata Demokratike, administrata Republikane e kanë përkrahur dhe përkrahin vizionin për një Evropë të tërë të lirë dhe paqësore. Dhe një Kosovë demokratike multietnike, e integruar në familjen e kombeve evropiane dhe të institucioneve euroatlantike, është plotësisht një pjesë e atij vizioni.

Ministrat, të jenë me të kaluar të pastër

Zëri: Si e shihni Kosovën 17 vjet pas luftës duke pasur parasysh të gjitha raportet e huaja në lidhje me korrupsionin dhe Gjykatën Speciale, e cila po vjen së shpejti?

Palmer: Sigurisht, dua të them se janë të qarta disa sfida të mbetura mjaft të rëndësishme. Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm në 17 vjetët e fundit dhe ka ende shumë më tepër për të bërë. Pa dyshim se çështja e korrupsionit është ajo që ne mendojmë se është veçanërisht e rëndësishme. Zëvendëspresidenti Biden gjatë vizitës së tij në Kosovë në muajin gusht i bëri thirrje Kosovës që të përqendrohet në tri prioritete: përmirësimin e sundimit të ligjit dhe të qeverisjes, luftën kundër korrupsionit dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe zbatimin e plotë të përkushtimeve të dialogut. Ka pasur pak progres në secilën nga këto fusha, por ka ende shumë më tepër për të bërë. Ne inkurajojmë Qeverinë për të çuar përpara zotimin e saj me një riorganizim të kabinetit, për të siguruar që personat të cilët janë caktuar në pozitat e përgjegjësisë dhe të besimit publik, siç janë ministrat, të kenë të kaluar të pastër dhe të besueshme, të jenë të përkushtuar për kryerjen e misionit dhe të mandatit të tyre me një kapacitet profesional. Duhet larguar ata njerëz që janë të paaftë ose të korruptuar nga pozitat e tyre dhe mbylljen e boshllëqeve në Kodin Penal që ne i kemi identifikuar si mjaft shqetësuese.

Për sa i përket Gjykatës Speciale, ne i kuptojmë perceptimet dhe shqetësimet politike në lidhje me Gjykatën, ne mendojmë se është shumë e rëndësishme për njerëzit që të përqendrohen në mundësitë që ofron ajo. Ju kujtoj se ishte presidentja Jahjaga, e cila tha se krijimi i tribunalit të veçantë në bazë të kornizës legjislative tregon përkushtimin e Kosovës ndaj drejtësisë në të gjitha parimet. Kjo është një ndjenjë që ka mbështetjen tonë të fuqishme. Çështja e drejtësisë ndërkombëtare në Ballkan ka qenë pothuajse gjithmonë e diskutueshme dhe shpesh ekziston bindja se ajo përfaqëson një formë të përgjegjësisë kolektive, kur në fakt institucionet ndërkombëtare të drejtësisë janë caktuar për të prodhuar pikërisht rezultate të kundërta. Drejtësia ndërkombëtare është e dizajnuar për t’i hetuar në mënyrë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse dyshimet për sjellje kriminale dhe të atribuojë përgjegjësitë për individët dhe jo grupet etnike, jo për kombe/shtete, jo për një organizatë të tillë si UÇK-ja, si një institucion. Pra, në atë masë saqë ky proces identifikon veprimet e individëve përmes një procesi të drejtë, transparent dhe llogaridhënës, duke bërë ata përgjegjës si individë dhe jo si përfaqësues të popullit të Kosovës.

Mbështesim kushtëzimet e BE-së

Zëri: Fokusi kryesor i ndërkombëtarëve për disa vite ka qenë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, a shihni ju ndryshime pozitive në terren?

Palmer: Dialogu është një proces i vështirë dhe frustrues dhe ne e dimë këtë. Unë mendoj se në qoftë se shikohet në tërësinë e përvojës me kalimin e kohës, atëherë mund të identifikohen fushat konkrete ku është bërë progres, si në rastin e fundit me hapjen e urës së Mitrovicës. Kështu që ju mund t’i identifikoni fushat e qarta në të cilat ka pasur debate, diskutime dhe negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës, marrëveshjet e arritura dhe marrëveshje që janë zbatuar. Është e qartë se ende ka shumë punë për të bërë, por ne mbështesim mënyrën në të cilën Bashkimi Evropian ka kushtëzuar, për shembull, përparimin drejt procesit të anëtarësimit me përparimin drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Dhe në qoftë se ne e kërkojmë atë si një vlerë, me qëllim normalizimin e këtyre marrëdhënieve, atëherë është e vështirë për të parë përparime ndryshe përveç me anë të procesit të dialogut dhe negociatave.

Zëri: Beogradi ka nënshkruar një marrëveshje për të mos penguar Kosovën të bëhet pjesë e organizatave ndërkombëtare, por kemi parë se çfarë ndodhi me UNESCO-n, kështu që në thelb ne ende jemi duke u përballur me probleme elementare?

Palmer: Sigurisht dhe kjo nuk do të jetë diçka që mund të zgjidhet brenda javëve dhe muajve, por kërkon vite. Dhe do të ketë progres, por edhe sfida të vazhdueshme për Kosovën në rrugën e saj përpara. Pra, sa i përket UNESCO-s, rezultati i votimit në UNESCO ishte zhgënjyes, por kjo nuk është fjala e fundit në këtë çështje. Ndërkohë ka pasur fusha të tjera ku Kosova ka qenë në gjendje për të bërë progres. E kam parë gjatë verës sesi një atlet nga Kosova fitoi medaljen e parë të artë për vendin tuaj në Lojërat Olimpike dhe kjo ishte një gjë e mrekullueshme. Dhe kjo do të kishte qenë sinqerisht e paimagjinueshme 15-20 vjet më parë. Kështu që kjo përbën një lëvizje përpara, një mundësi konkrete për Kosovën për të demonstruar rolin e saj në skenën botërore dhe atletët e tuaj ishin dëshmia më e mirë e kësaj në Brazil.

Evropianët i caktojnë kushtet për vizat

Zëri: Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkan i izoluar pa liberalizimin e vizave, sa larg është Kosova nga integrimi në BE?

Palmer: Unë nuk e di nëse është e dobishme në këtë kontekst që thjesht të vajtohet se diçka është e padrejtë. Evropianët janë ata që përcaktojnë termat dhe kushtet për liberalizimin e vizave. Çfarë është ajo që ata duan të shohin nga Kosova para se të mundë të lëvizet përpara me këtë. Dhe asnjë nga këto gjëra nuk është e lehtë. Çfarë është në ofertë është një nxitje mjaft e rëndësishme. Ajo që është kërkuar nga Kosova gjithashtu nuk është e parëndësishme. Por mbetet në kuadër të kompetencave të autoriteteve të Kosovës për të bërë atë që është e nevojshme për të avancuar në këtë rrugë drejt integrimit evropian dhe liberalizimi i vizave është thjesht një uverturë në atë që do të jetë një udhëtim i gjatë drejt anëtarësimit në familjen e kombeve evropiane. Kjo do të marrë kohë dhe e di se gjëja e fundit që njerëzit duan të dëgjojnë është të jenë të durueshëm, të bëhen të durueshëm. Dhe do të kombinoja atë ndjenjë të durimit me punë të vështirë. Ka shumë për të bërë për të ecur përpara dhe kjo nuk është e lehtë. Politika nuk është e lehtë, aspektet teknike të saj nuk janë të lehta për shkak se Bashkimi Evropian, procesi i anëtarësimit evropian është një gjë jashtëzakonisht teknike dhe çdo vend që ka kaluar nëpër këtë rrugë ka hasur në sfida dhe vështirësi, prandaj edhe për Kosovën nuk do të ketë asnjë përjashtim për këtë.

Kosova ta përmbushë premtimin për Demarkacionin

Zëri: Z. Biden kërkoi nga Kosova të kalojë Demarkacioni me Malin e Zi, ndërsa ne kemi partitë e opozitës që po e bllokojnë procesin, si mund të zgjidhet ky problem?

Palmer: Mali i Zi është një vend mik i Kosovës, është një marrëdhënie e rëndësishme për Kosovën, është e rëndësishme politikisht, është e rëndësishme ekonomikisht. Kosova është zotuar ta kalojë Demarkacionin dhe ne do të dëshironim që Kosova të përmbushë këtë premtim. Ne e kuptojmë plotësisht se bindjet politike për këtë janë të vështira, politikat janë gjithmonë të vështira, por kjo është e menaxhueshme dhe ne shpresojmë shumë që Qeveria mund të lëvizë përpara në këtë dhe të mbyllë këtë marrëveshje me Malin e Zi, pasi kjo do të ndihmonte gjërat të lëvizin përpara për Kosovën dhe gjithashtu angazhimi e saj me Evropën. Vendet serioze janë vende që tregojnë se ato mund t’i menaxhojnë sfidat e tyre të brendshme dhe kjo është një mundësi për Kosovën të bëjë pikërisht këtë.

E vlerësojmë luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm

Zëri: Ka qenë një shkrim në faqet e para në “New York Times”, a e shihni si problem të madh radikalizmin dhe luftëtarët e huaj në një vend me më pak se dy milionë njerëz?

Palmer: Kosova është një lider rajonal në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe është një partner i rëndësishëm për ne dhe për evropianët në luftën kundër terrorizmit. Ka pasur vetëm disa arrestime në javët e kaluara, të cilat ne i vlerësojmë si një tjetër shenjë e përpjekjes së vazhdueshme të Kosovës në këtë fushë. Ne jemi duke punuar ngushtë me autoritetet e Kosovës, autoritetet qeveritare dhe Policinë për t’i trajtuar kërcënimet e paraqitura nga luftëtarët e huaj terroristë, për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, adresimin e disa faktorëve themelorë të radikalizmit dhe disa nga arsyet pse njerëzit mund të përfshihen në këtë. Ne jemi duke punuar për të përforcuar zërat e besueshëm në shoqëri që janë kundër kësaj agjende radikale, duke punuar në përforcimin e organizatave civile, shoqërisë civile, për të ndërtuar këtë fortesë, për të ndihmuar që shoqëria kosovare të jetë më fleksibile në kundërshtimin e këtij lloji të presionit.

Zëri: A është korrupsioni një ndër sfidat kryesore për Kosovën?

Palmer: Mendoj se kjo nuk është një sfidë vetëm për vendin tuaj. Korrupsioni përbën një sfidë të madhe për Kosovën, është një sfidë për rajonin, është një sfidë për kontinentin, përbën një sfidë për globin tokësor dhe kjo është një gjë që është e përbashkët mes nesh dhe jush dhe që sinqerisht përbën një kërcënim të madh të sigurisë, dhe diçka që ne kemi nevojë për t'u marrë me të, edhe si një sfidë e brendshme dhe si një kërcënim i jashtëm. Ne jemi duke punuar në disa nga këto çështje. Evropa është duke punuar në këto çështje dhe në partneritet me ju për t’i adresuar këto sfida në Kosovë.

Zëri: Si e vlerësoni interesin e Erdoganit ndaj Ballkanit?

Palmer: Turqia e konsideron për një kohë të gjatë Ballkanin si mjaft të rëndësishëm për interesat turke, si pjesë e fqinjësisë turke, si një rajon që ka lidhje të thella historike me Turqinë dhe Perandorinë Osmane. Kështu që mendoj se ata prej kohësh konsiderojnë se kanë lidhje të veçantë, interes të veçantë, shqetësime të veçanta, kështu që unë mendoj se është e natyrshme që do të ketë përfshirje të rëndësishme turke.

Zëri: Agjenda e qartë e tij është islami politik?

Palmer: Unë nuk do të shkoja aq larg sa për të pranuar se ky është në fakt qëllimi i politikës turke. Por mendoj se është e rëndësishme që Kosova, ndërsa duhet të jetë e hapur për botën e jashtme dhe të fqinjësisë më të gjerë, po ashtu të jetë në një pozitë për të vendosur për veten e saj në drejtimin që dëshiron për të shkuar dhe të promovojë atë, si dhe për të siguruar disa nga liritë themelore evropiane që janë pasqyruese të aspiratave të Kosovës për t'u bashkuar me institucionet euroatlantike, të jetë një vend evropian dhe kjo përfshin mbështetjen për lirinë e lëvizjes, lirinë e adhurimit, lirinë e mendimit, lirinë e shprehjes dhe të gjitha këto vlera thelbësore që na lidhin së bashku, pra të vuloset fati i Kosovës si një anëtare e familjes së kombeve evropiane.

Zëri: Numri i luftëtarëve të huaj të Kosovës në ISIS a e ndryshon perceptimin se Kosova nuk është më vendi më pro-amerikan si më parë?

Palmer: Ndryshimi i perceptimit të Shteteve të Bashkuara? Unë nuk mendoj se kjo është e vërtetë për Kosovën më shumë se që është e vërtetë kur ka një incident terrorist në Paris apo në Belgjikë. Kjo ka të bëjë përsëri në lidhje me veprimet e individëve të identifikueshëm që duhet të mbahen përgjegjës dhe të japin llogari për zgjedhjet e tyre, sjelljet e tyre, veprimet e tyre dhe jo një paragjykim që i mëveshët një shoqërie më të gjerë apo të gjithë kombit.