Akademia s’i pranon mjekët

Aktuale December 05, 2016 - 08:21

Në grupin shkencor kanë kaluar tre kandidatë që do të votohen për të qenë kandidatë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Gazeta “Zëri” merr vesh se mjekët që kanë synuar titullin e akademikut janë përjashtuar nga gara

Asnjëri nga kandidatët e Fakultetit të Mjekësisë që kanë synuar të marrin titullin e “Akademikut” nuk do të votohen në Kuvendin që do të mbahet pas tri javësh.

Këtë informacion e ka marrë gazeta “Zëri” nga burimet e besueshme brenda Akademisë, në të cilën anëtarët e Komisionit Vlerësues për Departamentin e Shkencave u kanë dhënë besimin tre kandidatëve të drejtimeve të tjera.

Në kuadër të shkencave kanë qenë 14 kandidatë prej të cilëve vetëm 3 kanë kaluar për votim në Kuvendin e Akademisë, që do të mbahet më 21 dhjetor 2016.

“3 kandidatët që kanë kaluar janë nga shkencat teknike, bujqësore dhe nga ato matematiko-natyrore. Bëhet fjalë për profesorin Fetah Podvorica, Shukri Fetahun dhe Myzafere Limanin”, ka thënë burimi i besueshëm i gazetës “Zëri”.

Sindikata e Shëndetësisë: Është skandaloze që asnjë kandidat i Mjekësisë të mos jetë anëtar i Akademisë

Disa nga kandidatët e Fakultetit të Mjekësisë nuk kanë preferuar të flasin shumë për këtë çështje.

Gani Bajraktari është njëri nga mjekët që ka konkurruar për titullin e “Akademikut”. Ai ka thënë se nuk është në dijeni nëse dikush në këtë proces është diskualifikuar.

“Më 21 dhjetor e di që mbahet Kuvendi dhe bëhet shpallja definitive”, ka thënë Bajraktari. 

Sueda Latifi-Hoxha është profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.

Ajo ka thënë se nuk është fare në dijeni se kush janë kandidatët që kanë synuar për titullin më të lartë akademik. Por është shprehur se Fakulteti i Mjekësisë ka kuadro të mira që meritojnë të jenë në Akademinë e Shkencave.

“Fakulteti ka kuadro që pa dyshim e meritojnë këtë titull”, ka thënë Latifi-Hoxha.

Nga Fakulteti i Mjekësisë anëtar i Komisionit Vlerësues në Grupin Shkencor është neurokirurgu Arsim Morina.

Derisa gjithë kandidatët nga Fakulteti i Mjekësisë, siç merr vesh “Zëri”, kanë marrë numër minimal të votave, akademik Morina nuk ka pranuar të komentojë në lidhje me këtë çështje.

“Drejtohuni Sekretarisë së Akademisë”, ka qenë përgjigjja e vetme e Morinës pasi është pyetur nga “Zëri” për këtë çështje.

Ai është aktualisht i vetmi anëtar korrespondent në Akademinë e Shkencave të Kosovës nga Fakulteti i Mjekësisë.

Por kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë se është skandaloze që asnjë kandidat i Mjekësisë të mos jetë anëtar i Akademisë.

“Kjo tregon që edhe si shtet, edhe si pushtet, edhe si Akademi ne nuk kemi qenë kurrë të interesuar për shëndetësi. Është shumë e dhimbshme kur një Akademi që në momentin kur standardet evropiane kërkojnë që nga të gjitha fushat të kemi akademikë, kurse në Kosovë akademikët tanë as që e shohin para sysh që shëndetësia të ketë përfaqësuesin e vet në Akademi”, ka thënë Syla.

Syla ka thënë se nëse kësaj i shtohet fakti që shëndetësia ka nevojë për një “infuzion akademik” atëherë, siç thotë ai, “përllogaritja është e dhimbshme, por e vërtetë se ne nuk kemi as interes nacional për shëndetësi”.

ASHAK: Politikanët nuk e kanë të ndaluar të aplikojnë për titull “Akademik”

Në anën tjetër kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, në një prononcim për “Zërin” ka thënë përmes telefonit se tash për tash nuk mund të thotë asgjë në lidhje me procesin.

“Procesi nuk ka përfunduar ende. Procesi përfundon më 21 dhjetor. Tash, si të them jemi në proces ‘elektoral’”, ka thënë akademik Islami.

Islami ka thënë se përpjekjet e Akademisë janë që të ndodhë një “përtëritje” e Akademisë edhe në kuptimin e moshës, edhe në atë gjinor. “Edhe ligji parasheh që kandidatët të jenë nën 65 vjeç. Por edhe angazhimi ynë i brendshëm është që të sjellim edhe femra që meritojnë. Unë nuk mund t’iu them diçka tjetër rreth kësaj çështjeje”, ka thënë akademik Islami.

I pyetur në lidhje me kandidaturat e njerëzve të politikës si ministri i Kulturës, Kujtim Shala, dhe nëse kjo reflekton indikacione për ndikime politike në këtë proces akademik Islami ka thënë se kjo nuk mund të ndodhë.

“Kurrë nuk ka pasur ndikime politike. Ligji e as Statuti i Akademisë nuk ua ndalon askujt të aplikojë. Ne punojmë me ligje dhe me Statut. Ne respektojmë dispozitat ligjore dhe statutare. Qysh ecën, ecën ajo… Votimi është i fshehtë, por ligji e as Statuti nuk guxon të shkelet”, ka thënë kryetari i Akademisë së Shkencave, Hivzi Islami.