Parregullsitë në zgjedhjet e Drenasit

Aktuale December 05, 2016 - 08:15

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit janë shoqëruar me parregullsi sikurse edhe gjatë viteve të kaluara.

Ndër shkeljet që e kanë shoqëruar këtë proces kanë qenë: votimet familjare, publikimet e votës, prezenca e personave të paautorizuar në sallën e vendvotimeve, prania e materialit propagandues. Kështu  kanë deklaruar të dielën përfaqësuesit e Koalicionit për Integritet Zgjedhor (KIZ).

Një ndër anëtarët e këtij Koalicioni, Driton Selmanaj, duke folur për procesin zgjedhor në Drenas ka vlerësuar se këto parregullsi janë duke u shndërruar në një kulturë të keqe elektorale.

“Ajo që është shqetësuese sipas vëzhguesve tanë është parregullsia shqetësuese, e cila ka përcjellë edhe këtë elektoral që si duket janë duke u shndërruar në kulturë të keqe elektorale për vendin”, ka deklaruar Selmanaj.

Pavarësisht kësaj, ai e ka vlerësuar procesin zgjedhor në Drenas si të suksesshëm. 

“Koalicioni vlerëson se në përgjithësi procesi i votimit dhe i numërimit në komunën e Drenasit ka qenë i lirë, i drejtë dhe demokratik, përkundër faktit që në disa zona të zgjedhjeve vëzhguesit tanë kanë raportuar për një numër shkeljeje zgjedhjesh dhe sipas vlerësimit tonë ato janë raste të izoluara”, ka potencuar më vonë Selmanaj.

Sipas tij, reagimi i institucioneve të drejtësisë karshi incidenteve të këtij procesi ka qenë profesional e i pa heziteshëm.

“Sidoqoftë, Koalicioni vlerëson se zgjedhjet e 4 dhjetorit edhe pse të jashtëzakonshme kanë qenë mirë të organizuara edhe nga ana e institucioneve, të cilat administrojnë me procesin zgjedhor”, ka përfunduar ai.

Dukuria e votimit familjar e ka shoqëruar edhe kësaj radhe procesin zgjedhor në Drenas, madje duke u referuar statistikave të  Demokracisë në Veprim (DnV) se kjo parregullsi prin në këtë proces zgjedhor.

Sipas DnV-së, vetëm në orët e para të votimit në Drenas janë shënuar 68 raste të votimeve familjare.

“Një person ka asistuar në votim tek tre persona të tjerë. Në shkollën ‘Abedin Ejupi’ një burrë ka votuar në emër të gruas së tij, pavarësisht se ajo nuk kishte nevojë”, thuhet në raportin e DnV-së.

Ndërkohë, një tjetër shkelje që e ka përcjellë këtë proces ka qenë edhe fotografimi i votave, ku gjatë ditës së djeshme janë shënuar 5 raste fotografimi, kur një gjest i tillë bëri që edhe Policia të intervenojë për shkak të rrëmujës që u shkaktua me rastin kur menaxheri i sallës së “Nismës për Kosovën” është përplasur me një votues për shkak të fotografimit të votës.

 “Trendi i votimit familjar ka shënuar rënie. Kurse problemet me listën e votuesve kanë shënuar ngritje. Deri më tani janë evidentuar 156 ankesa në këtë drejtim”, kanë thënë përfaqësuesit e DnV-së.