Kundër iniciativës së Veselit për rastin “Dehari”
“Vetëvendosja” do që seanca e jashtëzakonshme për Astrit Deharin të mbahet sipas thirrjes së shoqërisë civile përmes peticionit e jo nga iniciativa e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Ndërsa, partitë e tjera opozitare do ta mbështesin një seancë të tillë, pavarësisht nga kush thirret, ani pse e shohin të pavend iniciativën e kreut të Kuvendit kur ekzistojnë nënshkrimet e qytetarëve, shkruan sot, gazeta Zeri.
Në mesin e këtij muaji grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës do të iniciojë thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth vdekjes së Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit, më 5 nëntor. Këtë zotim e ka dhënë kryetari i PDK-së, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ani pse opozita, konkretisht Lëvizja “Vetëvendosje”, ka dy javë që po e kërkon një seancë të tillë. Madje në seancën e së mërkurës pati përplasje të ashpër mes Kadri Veselit e deputetëve të “Vetëvendosjes” rreth debatit për këtë vdekje.
Derisa “Vetëvendosja” kërkoi futjen në rend dite të seancës së jashtëzakonshme, kreu i legjislativit Kadri Veseli hodhi në votim kërkesën e subjektit opozitar, e cila mori vetëm 26 vota që nuk mjaftuan për debat. Mirëpo, kreu i PDK-së dhe i Kuvendit bëri me dije se një seancë të jashtëzakonshme do ta kërkojë grupi parlamentar i partisë së tij.
“Më 14 dhjetor grupi parlamentar i PDK-së do të kërkojë seancë të jashtëzakonshme për rastin ‘Dehari’, në mënyrë që të dihet e vërteta, cilado qoftë ajo”, ka theksuar kreu i Kuvendit dhe i PDK-së, Kadri Veseli.
LVV-ja kundër seancës së thirrur nga Kadri Veseli
Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila ka kohë që po kërkon në forma të ndryshme të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme, nuk po e dëshiron atë të thirrur nga pushteti.
Teute Rrusta, koordinatore e Qendrave të Lëvizjes “Vetëvendosje”, e ka quajtur absurde inicimin e një seance të jashtëzakonshme për rastin “Dehari”. “Ky pushtet nuk po do ta përfillë as vullnetin e këtyre 23 mijë qytetarëve, duke na folur për inicim të seancës nga vetë pushteti, gjë e cila është absurde, kur po bëhen disa herë që dështon mbajtja e seancës nga pengesat e këtij pushteti. Këtë gjë duhet ta bëjnë qytetarët, ashtu siç tashmë kanë filluar. Qytetarët kanë kërkuar ngritjen e rastit të Astritit në Kuvend. Dhe kjo do të ndodhë”, ka thënë Rrusta për gazetën “Zëri”, duke vënë dyshime rreth vdekjes së aktivistit të tyre, Astrit Dehari.
“Ndër qytetarë ka revoltë të madhe për vdekjen e Astritit dhe mënyrën sesi është marrë sistemi i drejtësisë me rastin. Arsyet e vdekjes së tij janë shumë të dyshimta. Në anën tjetër, administrimi i dëshmive ka bërë që procesi i hetimit të dëmtohet. Zinxhirit të problemeve që e kanë përcjellë procesin tash e sa kohë i është bashkuar edhe koalicioni PDK–LDK”, është shprehur ajo, sipas së cilës kjo Qeveri, në institucionet e së cilës gjejnë vdekjen qytetarët, nuk është e interesuar për drejtësi.
AAK-ja mbështet debatin nga kushdo që iniciohet
Partitë tjera opozita janë pro mbajtjes së një seance për të diskutuar rreth sigurisë së qytetarëve nëpër burgje, por pa paragjykuar asnjë rast.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se i vetmi vend për të diskutuar për sigurinë e qytetarëve është Kuvendi. “Prandaj çdo iniciativë tjetër, unë nuk e di pse ndodh kjo kur janë 23 mijë e 700 nënshkrime të qytetarëve për t’u mbajtur një seancë e jashtëzakonshme dhe tani del kryetari i Kuvendit me këtë nismë, mendoj që është e pavend. Mirëpo, sidoqoftë AAK-ja do të marrë pjesë në seanca të tilla në të cilat diskutohet për çështjen e sigurisë së qytetarëve”, ka theksuar Lekaj.
Mirëpo, ende nuk kanë marrë vendim nëse do ta përkrahin iniciativën e grupit parlamentar të PDK-së edhe përmes dhënies së nënshkrimeve.
“Nuk e kemi diskutuar ende në parti dhe nuk mund të them diçka më tepër përderisa nuk kemi një vendim partiak”, është shprehur ai.
Por, pavarësisht se përkrahin një seancë të tillë Lekaj mendon se nuk do të ketë efekt fare, madje do të përdoret si fushatë. “Nuk besoj që ka diçka aty, më tepër merret si fushatë për ta keqpërdorur. Ne kemi nënshkruar për ta diskutuar çështjen pa paragjykuar dhe pa u përfshirë në drejtësi dhe AAK-ja çdoherë është e gatshme të japë kontributin e saj për sigurinë e qytetarëve”, ka deklaruar shefi i deputetëve të AAK-së.