Premtime megalomane për Drenasin

Aktuale December 03, 2016 - 08:05

Gjatë fushatës 5-ditëshe subjektet politike kanë premtuar investime të mëdha në Drenas. Kadri Veseli dhe kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci, kanë premtuar bashkërisht 83 milionë euro investime, ndërsa Pacolli dhe AKR-ja 200 milionë euro. Të tjerët nuk kanë përmendur shifra, por shprehen të sigurt së në Drenas do të ndodhë ndryshimi, shkruan sot, gazeta Zeri.

Është përmbyllur të premten fushata zgjedhore për kryetar të Komunës së Drenasit me premtimet megalomane, që nuk do të mundte t’i realizonte as Qeveria e Kosovës brenda një viti. Gjatë fushatës 5-ditëshe subjektet politike, të cilat garojnë me kandidatët e tyre, e kanë “lëshuar dorën” ndërsa vetë kandidatët janë shprehur të sigurt se do të jenë fitues të kësaj gare. Zgjedhësit janë joshur me premtime për investime të mëdha të cilat do t’i mbajnë, “natyrisht nëse kandidatët e tyre fitojnë garën”.

Më të bindshëm në premtimet e tyre janë PDK-ja, e cila garon me Ramiz Lladrovcin, dhe AKR-ja që kandidon me Ilmi Thaçin. Ata edhe kanë premtuar investime të mëdha në Drenas nëse arrijnë të fitojnë. Kadri Veseli dhe kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci, kanë premtuar bashkërisht 83 milionë euro investime, ndërsa Pacolli dhe AKR-ja 200 milionë euro investime në Drenas.

Të tjerët nuk kanë përmendur shifra, por shprehen të sigurt së në Drenas do të ndodhë ndryshimi. Kandidati i cili mund ta sfidojë PDK-në kësaj here konsiderohet ai i koalicionit “Nisma” dhe AAK, Isa Xhemajli, që nuk ka premtuar shumë.   

 PDK-ja premton 83 milionë euro investime

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë sigurt se zgjedhjet në Drenas do t’i fitojë PDK-ja. Ai që në hapje të fushatës ka premtuar 13 milionë euro investime, ndërsa kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka premtuar 70 milionë investime në Drenas. Këto premtime tejkalojnë edhe nivelin e gjithë Kosovës. Megjithatë Lladrovci ka thënë se do t’i fitojë zgjedhje pa balotazh, pasi është i bindur se qytetarët e Drenasit e duan dhe e çmojnë kontributin e tij dhe të familjes së tij për lirinë e Kosovës.

Gjatë gjithë fushatës në Drenas kishin zbarkuar pothuajse të gjithë ministrat e PDK-së dhe deputetët, si dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.
Në fushatë është parë edhe Agim Çeku, i cili e ka cilësuar Lladrovcin si njeri të guximshëm, punëtor dhe i cili nuk synon mesataren. Lladrovci ka marrë mbështetjen edhe të shoqatave të dala nga lufta.

Kryetari i Veteranëve të Drenasit, Enver Hajdari, ka thënë se shoqatat e dala nga lufta mbështesin fuqishëm si çdoherë PDK-në dhe kandidatin e PDK-së. “Kjo për shumë arsye, por edhe e kemi besimin se më mirë se z. Lladrovci nuk i kupton asnjëri, as nevojat, as synimet e shoqatave të dala nga lufta”, ka thënë Hajdari.

Por fushata e Lladrovcit dhe e Veselit nuk ka shkuar edhe aq mirë. Përplasje në mes të vetë anëtarëve dhe simpatizantëve të PDK-së ka pasur në Abri të Epërme, madje edhe janë rrahur në mes vete, si dhe në Bajicë, ku Lladrovcit dhe Veselit u është përmendur rasti “Kiçina”.

 Kritikojnë PDK-në

Ndërkaq, në LDK-në e Drenasit kanë thënë se në ndihmë Lladrovcit i ka dalë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili ka mbajtur një tubim me mësimdhënësit e kësaj komune.

Shefi i Shtabit Zgjedhor të LDK-së, Rifat Bilalli, ka thënë “se dreka, e cila u organizua për arsimtarët e komunës së Drenasit e thirrur nga presidenti Thaçi, i është faturuar Kuvendit Komunal të Drenasit në shumën prej 18 mijë eurosh”.

Investime ka premtuar edhe kryetari i LDK-së e kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa. Ai nuk ka përmendur shifra, por ka siguruar drenicasit se do të investojë në projekte që përmirësojnë jetën e tyre. Kandidati i LDK-së për kryetar të Drenasit, Bedri Nika, thotë sigurt se do të jetë kryetari i ri Drenasit.
“Nuk po them unë, por po thonë qytetarët e Drenasit. Ata po thonë se unë jam kryetar i Drenasit më 4 dhjetor. Kështu, prioritet strategjik i qeverisjes në Drenas nga LDK-ja dhe unë si kandidat i LDK-së për Drenas kemi vënë edhe në program qeverisjen e mirë, arsimin, shëndetësinë, mirëqenien sociale, infrastrukturën, bujqësinë dhe zhvillimin rural dhe ambient të favorshëm për biznese”, tha ai.
Nika tha se premtimet e tij bazohen në realitet dhe në atë që kanë parë qytetarët në qeverisjen e deritanishme, që, sipas tij, ka qenë e keqe.
“Dhe çka do të thotë qeverisje e mirë? Qeverisje e mirë do të thotë të ketë rregull dhe disiplinë në administratën komunale dhe në vetë kryetarin e Komunës, kështu që ne jemi të bindur se do të krijojmë një ambient shumë të mirë edhe në qeverisje dhe në menaxhimin e shumë projekteve për Drenasin”, ka thënë Nika, i cili siguroi se do ta depolitizojë administratën komunale dhe gjithë sektorin publik.

 “Nisma” premton ndryshime në Drenas

I sigurt në fitore shprehet edhe “Nisma” me kandidatin e saj Isa Xhemajli. 

“Qytetarët e Drenasit kanë vendosur të votojnë njeriun e tyre, njeriun që ka ndarë e do t’i ndajë hallet me ata, në Komunë e në qytet. Ai Drenasin nuk e ka trampolinë për kërcime akrobatike, siç e bëjnë deputetët e qeveritarët, që Drenasin e kujtojnë vetëm e vetëm atëherë kur u duhen votat”, thotë “Nisma” nëpërmes një komunikate. Sipas “Nismës” dhe kandidatit të saj Isa Xhemajli, qytetarët e Drenasit i kanë thënë një “Jo” të madhe PDK-së. Xhemajli ka thënë se qytetarët e Drenasit janë ngopur me premtime boshe, të cilat nuk janë realizuar kurrë. “Ata (PDK-ja) kanë harruar një gjë, kanë harruar vendosmërinë e qytetarëve të Drenasit për ta ndryshuar qeverisjen. Ata u kanë thënë mjaft më me mashtrime, sepse ju Drenasit ia keni kthyer shpinën, ju Drenasin e keni lënë pa asnjë lloj infrastrukture të mirëqenë, ju Drenasin e konsideroni vetëm si kazan për votat tuaja, për pushtetin tuaj, për punësimin e familjarëve tuaj”, ka thënë mes tjerash kandidati i “Nismës” për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajli.

 AKR-ja premton 200 milionë euro

I sigurt se do të fitojë beson edhe kandidati i AKR-së, Ilmi Thaçi. “Do ta kthejmë rregullin në punë në të gjitha institucionet, do të bëhemi shërbëtorë të popullit e jo sundues i tij”,  ka premtuar Thaçi. Ai gëzon mbështetjen e madhe të presidentit të AKR-së, Begjet Pacolli, dhe të kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Pacolli ka thënë se në katër vjetët e ardhshme në Drenas do të investohen 200 milionë euro. “Drenasi ka resurse të mëdha si ato njerëzore, po ashtu edhe pasuri me toka pjellore e burime të shumta ujore që ia ka falur Zoti këtij vendi. Pos kësaj Drenasi është në qendër të Kosovës dhe çdo investitor i huaj, por edhe vendor ka dëshirë të investojë këtu për arsye të shumta, por edhe ato të infrastrukturës, pasi që transporti nga këtu është shumë i lehtë”, ka thënë Pacolli.

Ai ka shtuar se mbi 600 hektarë tokë pjellore në Drenas gjenden nën hidrosistemin “Ibër-Lepenc”. “Kjo është ndër pasuritë kryesore dhe për këtë jemi duke biseduar me kompani të mëdha franceze, të cilët janë të gatshme të investojnë në bujqësi, por duhet të kenë siguri e jo dikush t’u kërkojë haraç si deri më tani. PDK-ja po ju mashtron, po premton 80 milionë euro, po këto janë para të buxhetit të Kosovës, ndërsa AKR-ja premton 200 milionë euro para këto që do të vijnë nga investitorët e huaj e jo para të buxhetit”, ka thënë Pacolli.

Shoqatat e UÇK-së kanë shkelur Statutin

Në anën tjetër, kandidati i pavarur për kryetar të Drenasit Xhavit Drenori është revoltuar në shoqatat e dala nga lufta të Drenasit, pasi që ato ia kanë mbyllur derën gjatë fushatës. Drenori ka vlerësuar se shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së në Drenas kanë shkelur Statutin, duke e mbështetur vetëm kandidatin e PDK-së për kryetar të Komunës, Ramiz Lladrovcin.

“Organizatave të dala të luftës së UÇK-së në Drenas jo vetëm që e kanë pritur kundërkandidatin tim, në këtë rast kandidatin e PDK-së Ramiz Lladrovcin, por ata kanë dalë hapur në mbështetje të tij. Ka pasur shumë shqetësime nga shumë kolegë të mi veteranë të luftës së UÇK-së, të cilët kanë thënë që kjo është e padrejtë dhe që nuk pasqyron realisht realitetin në terren”, ka thënë Drenori. 

Burjani: Premtimet, të parealizueshme

Ish-anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Blerim Burjani, ka thënë se premtimet që janë dhënë gjatë këtyre ditëve në fushatën zgjedhore për kryetar të Drenasit janë të çuditshme dhe të parealizueshme, por, sipas tij, subjektet politike në vend janë mësuar tashmë të japin këso premtimesh.
“Kjo është e çuditshme, por për subjektet politike në Kosovë është normale. Ato bëjnë premtime të atilla që edhe vetë e dinë se nuk do të mundë t’i realizojnë. Nuk kanë mundësi që të bëhen gjithë ato investime, prandaj nuk duhet të jenë të pranueshme premtimet e tilla sepse kjo është lojë me qytetarin”, ka vlerësuar Burjani.

Më tej Burjani e ka vlerësuar si të qetë fushatën parazgjedhore. Megjithatë, ka thënë se do të ishte mirë që edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë të bënte monitorimin e zgjedhjeve.“Fushata ka qenë deri diku e pranueshme, ka qenë fushatë e qetë, jo shumë problematike. Tensione të vogla ka pasur, por nuk kanë qenë të vërejtshme për publikun. Mendoj se do të ishte mirë që OSBE-ja të bënte vëzhgimin e zgjedhjeve”, ka shtuar Burjani.

Ndryshe, në garë për karrigen e të parit të Drenasit, të lënë bosh pas dorëheqjes së Nexhat Demakut, i dënuar me 3 vjet heqje lirie për “Krime lufte”, janë Ramiz Lladrovci nga Partia Demokratike e Kosovës, Isa Xhemajli nga “Nisma për Kosovën”, Bedri Nika nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ilmi Thaçi nga Aleanca Kosova e Re, Vehbi Berisha nga partia “Fjala”, si dhe Xhavit Drenori, kandidat i pavarur.

Lëvizja “Vetëvendosje” nuk ka kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit, ndërsa AAK-ja për shkak të probleme në Degën e AAK-së në Drenas ka mbështetur kandidatin e “Nismës”. Lëvizja “Vetëvendosje” ka vlerësuar se nuk dëshiron të garojë për një mandat, i cili zgjat më pak se një vit.