Kosova ua zgjat jetën targave 'Proba'

Aktuale December 02, 2016 - 08:09

Qytetarët e Kosovës, të cilët kalojnë në territorin e Serbisë me vetura, vazhdojnë t’i heqin targat e Kosovës dhe t’i zëvendësojnë me targat “Proba”. Tani fajin për aplikimin e këtyre targave nuk e ka Beogradi si rëndomtë, por autoritetet e Kosovës, të cilat dy muaj pas marrëveshjes nuk kanë letërngjitës për t’i vendosur në targa. Në mungesë të letërngjitësit nuk po fillon zbatimi i Marrëveshjes Reciproke për Targat, e cila është arritur më 15 shtator dhe është dashur të hyjë në fuqi më 15 nëntor.

Në Prishtinë asnjëri institucion nuk e merr përgjegjësinë për këtë dështim.
Udhëheqësja e dialogut me Serbinë, Edita Tahiri, thotë se kompetente për vendosjen dhe sigurimin e letërngjitësit është Ministra e Punëve të Brendshme. Mirëpo pavarësisht kësaj, përfaqësues të kësaj Ministrie nuk kanë ofruar sqarim lidhur me këtë çështje. Ndërkohë, partitë opozitare kanë vlerësuar se marrëveshja në fjalë është e dëmshme për shtetin e Kosovës, pasi që, sipas tyre, Serbia është e vetmja që përfiton me anë të kësaj marrëveshjeje. Ndërkohë, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se qytetarët e Republikës së Kosovës janë ata që humbin më së shumti nga moszbatimi i marrëveshjes në fjalë.

Marrëveshja për Targat, kompetencë e MPB-së

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë për “Zërin” se Ministria e Punëve të Brendshme është kompetente për zbatimin e Marrëveshjes për Targat.

“Jam në bisedime, nuk kam kohë. Bisedoni me Ministrinë e Brendshme, ata janë kompetentë”, ka deklaruar ajo.

Pavarësisht kësaj, i pyetur se pse nuk janë gati letërngjitëset dhe kur priten të jenë gati ato, Driton Gashi, sekretar në MPB, duke mos saktësuar ka thënë se për çështje të tilla duhet drejtuar te ministrja për Dialog. “Për tema të cilat kanë të bëjnë me dialogun, ju lutem drejtohuni tek ministrja për Dialog”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Mirëpo, para pak ditësh ministrja Tahiri pati thënë se pikërisht MPB-ja është ajo e cila duhet ta finalizojë këtë proces.

“Ministria e Brendshme është ajo e cila është zbatuese e marrëveshjes dhe e cila i realizon procedurat e prodhimit të letërngjitësve. Ne po presim prej tyre njoftimet gjatë kësaj jave, të shohim dhe ua bëjmë me dije”, qe shprehur ajo ditë më parë për “Zërin”.  

Selimi: Justifikimi se MPB-ja nuk i ka gati letërngjitëset, vetëm arsyetim

Ndërkaq deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, njëherësh anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Rexhep Selimi, ka vlerësuar se Marrëveshja për Targat nuk është marrëveshje për reciprocitet.
“Përveçse shenjat në targat e Kosovës duhet të mbulohen simbolet RKS dhe stema, kjo nuk vlen, siç thuhet në marrëveshje, edhe për targat serbe në përdorim të banorëve të Kosovës. Pra, kjo marrëveshje nuk vlen për veriun dhe enklavat me shumicë serbe në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, deklaratat se MPB-ja nuk i ka gati letërngjitëset paraqesin vetëm arsyetim. “Justifikimi që MPB-ja nuk ka arritur t'i shtypë letrat mbulesë është thjesht një arsyetim sa për ta prolonguar implementimin e kësaj marrëveshjeje, që edhe ashtu është e dëmshme për interesin e Kosovës”, ka shtuar Selimi. Ai më tej ka thënë se Kosova nuk duhet kurrsesi të pranojë të sillet me inferioritet ndaj Serbisë.

Lekaj: Marrëveshja për Targat, e dëmshme për Kosovën

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka vlerësuar se marrëveshjet me Serbinë nuk janë aspak të mira për Republikën e Kosovës. “E kemi përsëritur vazhdimisht që dialogu me Serbinë është abuzim me Kosovën. Marrëveshjet as nuk janë të mira për Kosovën e as nuk po zbatohen nga Serbia. Në të dyja anët ajo që humb është Kosova”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, edhe Marrëveshja për Reciprocitet të Targave është në dëm të shtetit të Kosovës.

“Edhe Marrëveshja për Targat është e dëmshme për Kosovën, por edhe si e tillë nuk po zbatohet nga Serbia. Si duket moti i ftohtë ia ka ngrirë gojën ‘Zonjës flluskë’ që nuk po reagon për këtë joseriozitet nga ana Serbisë”, ka shtuar Lekaj, sipas të cilit, për një gjë të tillë më së shumti humbin qytetarët.

“Ata që kanë vuajtur më së shumti dhe që do të vazhdojnë të vuajnë edhe më tutje janë qytetarët tanë, të cilët vazhdimisht kanë paguar shuma të majme për të kaluar nëpër Serbi. Serbia asnjëherë nuk është penalizuar për veprimet e saja që ka financuar e shtypur gjithfarë targash ilegale, me të cilat qytetarët serbë kanë qarkulluar nëpër Kosovë”, ka theksuar deputeti i AAK-së.

Moszbatimi i marrëveshjes sjell vështirësi për qytetarët e Kosovës

Nga ana tjetër, politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se Marrëveshja për Targat nuk po zbatohet për shkaqe teknike, gjë që sipas tij, paraqet problem për qytetarët e Kosovës.

“Marrëveshja për mbulimin e simboleve në targat e makinave nuk po zbatohet për çështje të mospërgatitjeve teknike, gjë që po sjell vështirësi për kosovarët se po duhet t’i heqin tabelat kur hyjnë në Serbi e kjo kushton në kohë e para”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë, sipas tij, marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë janë në interes të të dyja palëve.

“Marrëveshjet ndërmjet Kosovës e Serbisë që po arrihen në Bruksel me ndërmjetësimin dhe lehtësimin e Bashkimit Evropian janë në interes të qytetarëve të të dyja vendeve, sepse rregullojnë e lehtësojnë komunikimin e qarkullimin e lirë”, është shprehur Tahiri.

Kurse profesori universitar, Blerim Burjani, ka vlerësuar se vonimi i zbatimit të marrëveshjes në fjalë është tërësisht i paarsyeshëm.

“Vonimi është i paarsyeshëm. Serbia është përgjegjëse, kur dihet se Lista Serbe po e  bojkoton praninë e saj në Qeveri dhe po shantazhon dhe kushtëzon kthimin e vet në institucionet e Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas tij, vonesat e tilla i shkojnë në favor vetëm shtetit të Serbisë. “Vonesa i shkon në favor Serbisë, pasi që fluksi i ardhjes së bashkatdhetarëve për festa mund ta rrisë numrin e tyre të pritjes në pikat kufitare me Serbinë”, ka shtuar Burjani.

Ndryshe, Marrëveshja për Targat ishte planifikuar të niste së zbatuari më 15 nëntor të këtij viti.