Nuk matet territori pa u caktuar kufijtë
Ideja e kryeministrit Isa Mustafa për ta matur territorin e Kosovës, në mënyrë që të dëshmohet se nuk humbet territor me Marrëveshjen e Vjenës për Demarkacionin me Malin e Zi, konsiderohet absurde nga opozita dhe nga gjeografët. Sipas tyre, vendi nuk ka si ta bëjë matjen e sipërfaqes përderisa nuk ka përcaktim të qartë të kufijve me disa shtete
Propozimi i kryeministrit, Isa Mustafa, për t’u formuar një komision i cili do ta bënte matjen e territorit të Kosovës në mënyrë që të dëshmohet nëse Kosova humb territor me Marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi po vlerësohet si e papranueshme nga opozita dhe nga gjeografët. Sipas tyre, nuk mund të bëhet matja e sipërfaqes së Kosovës pa u përcaktuar qartë kufijtë e saj. Ata thonë se matja e territorit mund të bëhet vetëm pasi Kosova ta ketë kryer demarkacionin me tri shtetet fqinje, që ende nuk është bërë: Malin e Zi, Serbinë dhe Shqipërinë.
Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit të vendit, i pyetur nëse mund të bëhet matja e territorit pa u bërë demarkacioni i kufirit me të gjithë fqinjët ka thënë se beson që Kosova ka të dhëna të mjaftueshme sa për ta bërë matjen e territorit.
“Kjo është pyetje për profesionistët, megjithatë, unë besoj se Kosova ka të dhëna të mjaftueshme t’i hyjë këtij procesi”, është përgjigjur Gecaj.
Në anën tjetër nënkryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Driton Çaushi, ka thënë për “Zërin” se përpjekjet e Qeverisë në lidhje me demarkacionin nuk synojnë zgjidhjen apo daljen nga kriza, në të cilën Kosovën, sipas tij, e ka sjellë pikërisht arroganca e kokëfortësia e kësaj Qeverie.
“Kur tashmë është mjaftueshëm e qartë se versioni aktual i Demarkacionit është i parikthyeshëm, Isa Mustafa ka vendosur që të na flasë për komisione të cilat bëjnë matjen e territorit, ndonëse nuk dihen qartë pikat e kufirit. Pra as me Malin e Zi, as me Shqipërinë e Serbinë. Një propozim i tillë është absurd dhe si tillë edhe i papranueshëm. Ne mendojmë që duhet një komision i cili e shqyrton në tërësi Demarkacionin dhe përveç kësaj edhe një komision që e heton punën e deritanishme të Murat Mehës dhe të Komisionit Shtetëror, konkretisht shkeljet procedurale dhe ato penale nëse ka”, është shprehur Çaushi.
Edhe zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, e ka cilësuar si të papranueshëm idenë e kryeministrit Isa Mustafa për ta bërë matjen e territorit.
“Përpjekja e kryeministrit për të na bindur që Mali i Zi është rritur, por nuk është zvogëluar Kosova, është ofendimi i radhës që ky njeri provon t’ia bëjë Kosovës dhe qytetarëve të saj. Përpjekja e radhës e kryeministrit Mustafa për të krijuar një komision gjeodetësh të tij, i cili do ta legjitimonte teorinë e tij se Kosova nuk ka humbur territor duke zbritur kufiri nga Çakorri në Kuqishtë dhe nga Kulla në Savino Vodë është mashtrim ordiner dhe jo përgjegjësi prej burrështetasi që për qëllim ka ta zgjidhë një çështje jetike”, ka deklaruar Nitaj.
Më tej anëtari i Kryesisë së AAK-së ka thënë se Qeveria fillimisht duhet ta pranojë dështimin e Marrëveshjes së Vjenës dhe të shkarkojë komisionin aktual e pastaj të rishikohet procesi i demarkacionit.
“Nuk mund të bëhet asnjë komision pa u shkarkuar komisioni ‘Meha’. Nëse ai ka vullnet për ta zgjidhur këtë çështje, së pari duhet ta pranojë dështimin e Marrëveshjes për Kufirin dhe më pastaj të krijojë një komision i cili e trajton këtë çështje nga e para e jo dofarë komisionesh që as nuk dihet çka janë, as çfarë kompetencash kanë, por që për detyrë kanë ta legjitimojnë një marrëveshje e cila është në kundërshtim me tërësinë tokësore të shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Nitaj.
Ndërsa shefi i Departamentit të Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës, Shpejtim Bulliqi, njëherësh edhe deputet i Lidhjes Demokratike, ka thënë për “Zërin” se propozimi për matjen e territorit të Kosovës është gafë e kryeministrit të vendit, pasi, sipas Bulliqit, nuk mund të bëhet matja e territorit pa u përcaktuar kufijtë shtetërorë.
“Kjo është edhe një gafë, por shpresoj i këshilltarëve të kryeministrit, të cilët nuk po e këshillojnë mirë sepse nuk mund të bëhet matja e sipërfaqes së Kosovës pa u përcaktuar paraprakisht kufijtë e jashtëm të saj. Në momentin kur i përcaktojmë dhe i definojmë saktë kufijtë e Kosovës atëherë mund të bëhet matja e territorit”, ka vlerësuar Bulliqi.
Më tej ai ka thënë se matja e territorit është e thjeshtë dhe e cila përmes teknologjisë së avancuar mund të bëhet brenda dy minutave. Por, Bulliqi thotë se ajo nuk është e vlefshme, përderisa nuk ka përcaktim të vijave të jashtme të kufijve të Kosovës. Deputeti i LDK-së ka thënë se para se të bëhet matja e sipërfaqes së Kosovës duhet të kryhet demarkacioni me tri shtetet fqinje, që ende nuk është bërë, Malin e Zi, Serbinë dhe Shqipërinë. Në fund ai ka thënë se nëse ka vullnet për ta rishikuar procesin e Demarkacionit kjo mund të bëhet brenda dy javëve.