Drenasi anashkalon Demarkacionin

Aktuale November 30, 2016 - 08:13

Në mungesë të votave për ta ratifikuar Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, Qeveria për më shumë se një vit e ka lënë këtë marrëveshje në sirtarët e saj. Pushtetarët nuk po bëjnë përpjekje për të gjetur një zgjidhje. Ndërsa kohët e fundit, fokusi i partive në pushtet e me theks të veçantë i Partisë Demokratike është gara për kryetar të Drenasit e jo për Demarkacionin.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë përsëritur qëndrimin e tyre se nuk do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën përderisa nuk ratifikohet Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi. Pavarësisht kësaj, drejtuesit e koalicionit qeverisës nuk e kanë në fokusin e agjendës së tyre çështjen e Demarkacionit, por garën elektorale për kryetar të Komunës së Drenasit. Kështu gjatë ditëve të fundit zyrtarë të lartë të partive në pushtet e me theks të veçantë të PDK-së janë parë në tubime elektorale. Zyra e kryeministrit thotë se pret që opozita ose Lista Serbe ta mbështesin Marrëveshjen e Vjenës, ndërsa opozita thotë se koalicioni qeverisës nuk është i interesuar për ta zgjidhur problemin e Demarkacionit.

Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit të vendit, ka thënë se Qeveria nuk po e neglizhon çështjen e demarkacionit. Ai ka thënë se presin që opozita ose Lista Serbe të bashkëpunojnë, ndërsa ka theksuar qëndrimin se Qeveria nuk heq dorë nga qëndrimi aktual.
“Ne nuk jemi duke e neglizhuar fare. Megjithatë. Në situatën e tanishme nuk kemi shumë opsione: Ose opozita, ose Lista Serbe duhet të bashkëpunojnë. Shenjat nuk janë shumë premtuese, por ne nuk do të heqim dorë”, ka deklaruar Gecaj.
Kurse zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë thënë se nuk janë në gjendje të falsin për çështjen e demarkacionit, pasi këtë e kanë cilësuar si kompetencë vetëm të kryetarit të partisë. Në anën tjetër deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Besa Baftija, ka thënë se kundërshtimi i opozitës, i një pjesë të deputetëve të pushtetit, si dhe i mbi 200 mijë qytetarëve përmes peticionit e kanë detyruar Qeverinë ta tërheqë marrëveshjen e 26 gushtit të vitit të kaluar. Por, Baftija ka thënë se Qeveria nuk duket e interesuar që të tejkalohet kriza e demarkacionit.

“Zgjedhja nga ana e Qeverisë besoj ka qenë shumë e lehtë, pasi që është dashur të merren parasysh kërkesat e opozitës, të mijëra qytetarëve që kjo marrëveshje të kthehet në pikën zero, të shkarkohet Komisioni Qeveritar dhe të bëhet rishikimi i demarkacionit me Malin e Zi. Ne po ashtu kemi dhënë si LVV plan pesëpikësh që e tejkalon krizën e demarkacionit, por kjo Qeveri është arrogante dhe po shihet se kriza përfundon veç me largimin e saj nga pushteti”, është shprehur deputetja Baftija.
Edhe deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka thënë se Qeveria qysh para më shumë se një viti e ka ditur se nuk do të mundë ta ratifikojë Marrëveshjen e Vjenës, prandaj ai ka thënë se zgjidhja e këtij problemi ka mundur të ndodhë kohë më parë. Megjithatë, Berisha konsideron se Qeveria nuk është e interesuar që t’i zgjidhë problemet kryesore të qytetarëve, porse angazhohet për interesa të partive në pushtet.

“Kjo Qeveri nuk po merret me gjërat jetike, por po merret me çështje dytësore si puna e garës për kryetar të një komune. Është e qartë se Qeveria nuk është e interesuar të kërkojë zgjidhje për Demarkacionin. Dihet qartë se Qeveria është përgjegjëse për mosliberalizimin e vizave dhe nuk mund t’ia hedhësh fajin askujt tjetër”, ka potencuar Berisha.

Ndërkohë opinionisti, Imer Mushkolaj, ka kritikuar koalicionin qeverisës për mosangazhim në çështjen e liberalizimit të vizave, duke përfshirë edhe gjetjen e një zgjidhjeje për Demarkacionin.  “Në këtë situatë, kur është shumë e ndjeshme çështja e vizave, në vend se të jetë Brukseli kryeqyteti (kushtimisht po e them) i interesimit të politikanëve, një qendër e tillë është bërë Drenasi. Kjo komunë nuk shërben për matjen e forcave në mes të PDK-së dhe të LDK-së, por më tepër po i shërben Kadri Veselit për ta kallëzuar fuqinë që ka. Kjo është fatkeqësi sepse pasi koalicioni nuk po e çon agjendën e liberalizimit të vizave përpara”, ka vlerësuar Mushkolaj.
Më tej ai ka thënë se koalicioni qeverisës po i shmanget temës së Demarkacionit pasi nuk po i ka votat. Por sipas Mushkolajt, që nga tërheqja e Demarkacionit nga Kuvendi për shkak të mungesës së votave më 1 shtator, drejtuesit e koalicionit është dashur të angazhohen për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Kjo shmangie e kësaj teme po bëhet për shkak të pafuqisë së numrave në Kuvend. Pas 1 shtatorit ka qenë kohë e mjaftueshme që Isa Mustafa dhe Kadri Veselit të tentojnë të gjejnë një zgjidhje dhe kështu t’i hapet rrugë liberalizimit të vizave”, ka shtuar Mushkolaj.