Nderojnë të rënët, injorojnë të gjallët
Liderët institucionalë Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë bërë homazhe te kompleksi memorial i Jasharëve në Prekaz, duke thurur lavde për Adem Jasharin dhe heronjtë e Kosovës. Por as Veseli e as Thaçi nuk kanë shkuar në kullën e Jasharëve për t’ua uruar këtë festë Jasharëve të gjallë. Opozita nderoi të rënët, por edhe të gjallët
Thurin lavde për heroizmin e ikonës së luftës së UÇK-së Adem Jasharin, duke thënë se në Prekaz marrin forcë dhe energji për punën e mëtutjeshme për ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Por, asnjëri prej tyre nuk shkoi në kullën e Jasharëve për t’i uruar burrat e familjes Jashari, të cilët mbajnë derën hapur për të gjithë shqiptarët që duan të takohen me ta, jo vetëm për festat e nëntorit, por edhe në ditë të tjera.
Kadri Veseli e Hashim Thaçi, dy figurat kyçe të shtetit të Kosovës, nuk gjetën forcë për t’u kthyer deri në kullë të hënën, ditën më të madhe të shqiptarëve - 28 Nëntorin.
Derisa Veselin në Shalë dhe në Drenicë e quajnë “Kryeministër”, ai herë-herë kthente kokën nga kulla, Thaçi nuk shikonte fare andej.
Presidenti Hashim Thaçi tha se ndihet krenar që festat e nëntorit i festojnë të gjithë shqiptarët kudo që janë, ndërsa përkujtoi se 28 Nëntori është festë e bashkimit dhe e sakrificës. Në Prekaz Thaçi përcolli mesazhe bashkimi për të mirën e vendit.
“Është kjo festë e bashkimit, festë e sakrificës, festë e kujtimit, por edhe e përgjegjësive për të ardhmen. Andaj dëshiroj t’i uroj të gjithë me mesazhin e bashkimit. Dëshiroj të shpreh vlerësimin dhe respektin më të lartë për të gjithë ata njerëz që sakrifikuan për lirinë e Kosovës, për bërjen e Shqipërisë së pavarur, për këtë progres të madh. Ndërsa sot ndihemi shumë mirë që sot Kosova është vend i lirë, i pavarur, sovran në rrugë të sigurt për integrime euroatlantike. Sot kujtojmë sakrificën e të gjithë komandantëve të UÇK-së, sakrificën e Jasharëve, sakrificën e të gjithë invalidëve të luftës, të gjithë atyre veteranëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës që dhanë gjithçka për këtë ditë e që e gëzojmë sot”, tha Thaçi.
Veselin në Boletin e quajnë “Kryeministër”
E ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, homazhet i ka filluar tek varri i Isa Boletinit, në Boletin të Mitrovicës.
Ai mori pjesë në një ceremoni festive në Kullën e Isës, me ç’rast u ngrit flamuri kombëtar. Shumë nga të pranishmit Veselin e pritën me fjalët “Mirë se erdhe kryeministër”, ndërsa me të njëjta fjalë është pritur edhe në Drenas nga drenicasit të cilët kanë për zemër PDK-në.
Veseli tha në Boletin se kjo ditë – 28 Nëntori, është shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët.
“Për një shekull rresht e kemi festuar këtë ditë të madhe me sy dhe zemër nga Vlora. Sot kësaj feste i shtohet dimensioni i munguar për 100 vjet. I shtohet Boletini, vendlindja e heroit kombëtar Isa Boletinit. Në fillim të shekullit 20-të, kodrës së Boletinit i ngjiteshin sa e sa burra. Vinin nga të katër anët e Kosovës, vinin për të kuvenduar me tribunin popullor për fatet e atdheut, në një kohë të zymtë dhe plot rreziqe për kombin. Sot, ne i ngjitemi përsëri kësaj kodre për të nderuar kujtimin e tyre”, tha Veseli, i cili siguroi se sfidat tani nuk janë sfida lufte.
“Janë sfida për ta forcuar shtetin e së drejtës dhe për ta zhvilluar ekonominë prodhuese. Janë sfida për ta zhdukur varfërinë dhe papunësinë nga familjet tona dhe për t’u krijuar perspektivë të sigurt shkollimi dhe punësimi në vendin e tyre të rinjve tanë. Janë sfida për ta bërë të begatshme Kosovën dhe jetën e qytetarëve në jug dhe veri, në lindje dhe perëndim të saj”, ka thënë mes tjerash kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, në Boletin.
Në manifestimin në Boletin merrnin pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe të tjerë.
Ndërsa në Prekaz kryeparlamentari Veseli tha se 28 Nëntori është shndërruar në pelegrinazh, në veçanti në vendin ku prehet komandanti legjendar Adem Jashari.
“Janë duke ardhur me qindra mijëra qytetarë anekënd trojeve shqiptare për t’i bërë nderim heronjve tanë kombëtarë, duke kujtuar lirinë tonë, sakrificën dhe në të njëjtën kohë për ta nderuar dhe për ta respektuar flamurin tonë kombëtar”, tha Veseli, i cili shtoi se institucionet e vendit kanë ende shumë punë për të bërë, në mënyrë që “ta kemi një shtet me të cilin krenohet të gjithë qytetarët, të cilët kanë sakrifikuar shumë për lirinë e Kosovës”.
Komandantin legjendar të UÇK-së e kanë nderuar edhe liderë të subjekteve të tjera politike, si dhe kandidatët për kryetar të Drenasit.
Opozita në Kullën e Jasharëve
Një delegacion i LVV-së, që kryesohej nga lideri i saj Visar Ymeri, kanë qëndruar në Kullën e Jasharëve.
Albin Kurti, deputet i Kuvendit të Kosovës, tha se 28 Nëntori më shumë se festë është projekt, për të cilin u flijua familja Jashari. Ai tha se para varreve të dëshmorëve të Jasharëve u zotua se projektin për të cilin ata ranë do ta çojnë deri në fund.
Ndërkaq i pari i LVV-së tha se të rënët për lirinë e Kosovës tregojnë vlerën e datës 28 Nëntor.
“Të rënët për lirinë e Kosovës, të rënët për bashkimin e kombit, sakrifica e familjes Jashari në krye me Adem Jasharin është dëshmi që 28 Nëntori nuk është vetëm datë e së kaluarës, por është edhe projekt i së ardhmes”, është shprehur ai.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të “Nismës”, Jakup Krasniqi, tha se nëntori i Gjergj Kastriotit, shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e komandantit legjendar dhe dalja publike në skenë e UÇK-së kujtojnë shumë data të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar.
Mijëra njerëz vizitojnë Prekazin
Në anën tjetër, Prekazi legjendar gjatë tërë ditës së hënë është vizituar edhe nga mijëra qytetarë anekënd trojeve shqiptare.
Ata janë shprehur më se të lumtur për këtë ditë. Shumë prej tyre bënin fotografi në këtë kompleks e të tjerë përkuleshin pranë varrit të legjendarit Adem Jashari.
Driton Hoxha, i cili kishte ardhur nga Gjermania vetëm për festën e 28 Nëntorit, shprehet i lumtur për këtë ditë.
Ai tregon se në kohën e paraluftës e kishte të pamundur të ngrejë vetëm një flamur në Kosovë.
Ndërkaq tash ai shprehet më se i lumtur që po shijon këtë liri.
“Jam tejet i lumtur që tash jam i lirë ta ngrejë flamurin tim falë legjendarit Adem Jashari dhe shumë heronjve tanë”, është shprehur ai.
Gjithashtu edhe Shemsi Ibishi thotë se ndihet i lumtur kur sheh kaq shumë flamuj në Prekazin legjendar.
“Nuk kam fjalë të përshkruaj këtë kënaqësi kur sheh gjithë këta flamuj në Prekaz. Jasharët janë shtylla e dytë pas Skënderbeut në vlerën e historisë shqiptare”, ka potencuar ai.