Mbi 11 milionë vizitorë në Prekaz

Aktuale November 27, 2016 - 10:26

Prekazi mbetet vendi më i vizituar nga shqiptarët, por edhe nga të huajt. Kalimi i viteve, që nga përfundimi i luftës, nuk e ka zbehur dëshirën për ta vizituar vendin prej ku ka nisur liria e Kosovës. Kompleksin memorial “Adem Jashari” vetëm këtë vit e kanë vizituar 400 mijë veta, përderisa numri i vizitorëve që nga paslufta kalon shifrën prej 11 milionësh

Shkojnë me dhjetëra herë, por emocionet asnjëherë nuk u zvogëlohen. Kjo për faktin se qytetarët shprehin ndjenjat e njëjta kur vizitojnë kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, vend ky i shndërruar tanimë në Mekën dhe Jerusalemin e shqiptarëve. Kompleksin memorial “Adem Jashari” nuk kalon asnjë ditë pa u vizituar nga qytetarë të shumtë që e bëjnë vendin me të vizituar në Kosovë.

“Vetëm këtë vit kemi pasur mbi 400 mijë vizitorë”, thotë për “Zërin” ciceroni Ilaz Halimi, teksa kujton se të gjithë vizitorët shprehin emocionet sikurse të ishin për herë të parë në Prekaz, edhe pse mund të jetë e disata herë që shkojnë për t’u përkulur para varrit të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij për sakrificën e bërë për liri. “Vizitorë kemi mjaft, të gjithë vijnë me emocione të veçanta edhe nëse ka qenë me dhjetëra herë. Sa herë që vijnë, sipas mendimeve të vizitorëve, ata e kanë ndjenjën e veçantë”, kujton ciceroni Halimi.

Numër rekord i vizitorëve

Duke pasur për çdo vit numër të madh të vizitorëve, Prekazi që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 e deri më sot është vizituar nga mbi 11 milionë vizitorë nga mbarë trojet shqiptare, Evropa, por edhe me gjerë deri te Japonia e largët. “Sipas statistikave që i kemi, të cilat janë të përafërta sepse shifër të saktë nuk kemi pasi është e pamundshme të kemi, tashmë është kaluar numri prej 11 milionë vizitorëve që nga përfundimi i luftës, pra viti 1999 deri më sot”, thotë Halimi, i cili çdo ditë pret e përcjell vizitorë të shumtë të cilëve ua shpjegon qëndresën heroike të familjes Jashari, për të cilën vizitorët shprehin falënderimin për këtë familje të madhe shqiptare për atë që bëri që Kosova të bëhet e lirë. “Secili vizitor që vjen i ka ato emocionet e veçanta, varësisht prej moshës që ka. Atë që të gjithë e shprehin është falënderimi për familjen Jashari, për flijimin e tyre për lirinë që e gëzojmë sot”, thekson Halimi. Flijimi i familjes Jashari dhe e lagjes “Jashari” është rast unik, vazhdon ciceroni Halimi, sepse, sipas tij, nuk ka një rast në botë ku një familje flijohet me vetëdije për lirinë e vendit të vet.

Hapet Muzeu, pjesa e munguar e kompleksit

Madhështinë e kompleksit memorial “Adem Jashari” ia ka shtuar edhe hapja e Muzeut në mars të këtij viti. Vizitorët tani kanë mundësinë t’i shohin edhe gjërat të cilat i kanë bartur Komandanti legjendar Adem Jashari, bacë Shaban Jashari e deri tek gjërat personale të Blerimit 6-vjeçar. Ciceroni Ilaz Halimi thotë se me hapjen e Muzeut është bërë kompletimi i kompleksit memorial “Adem Jashari”, pasi i ka munguar kjo pjesë kompleksit. “Kjo na ndihmon shumë sepse vizitorët përveçqë i kanë parë objektet, tani mund t’i shohin edhe gjërat tjera që i ka përdorur familja Jashari, e cila tregon se kanë qenë një familje normale si gjithë të tjera, edhe pse ka qenë me një ekonomi më të qëndrueshme. Ky Muze na ndihmon që vizitorët t’i shohin, t’i prekin gjërat origjinale të familjes Jashari”, thotë Halimi, teksa rrëfen për dëshirën e vizitorëve për t’i prekur gjërat personale të familjes Jashari.

“Çdo vizitor ka dëshirë të shohë diçka që ka pasur komandanti legjendar Adem Jashari. Vizitorët kur t’i shohin fotografitë, kallashnikovin e Adem Jasharit ndahen të gjithë me dhimbje, pasi nga familja Jashari ka të vrarë edhe fëmijë. Por, përveç dhimbjes që shfaqin, po ashtu vizitorët ndiejnë njëlloj krenarie se si ka mundur t’i bëjë ballë lagjja “Jashari” një ushtrie të tërë. Pra janë dy ndjenja të përziera, dhimbja dhe krenaria së bashku”, shton Halimi. Në Muzeun e hapur në Prekaz vizitorët mund të shohin armën kallashnikov me të cilën Adem Jashari ra heroikisht duke luftuar përballë forcave serbe me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998. Por, jo vetëm këtë, aty gjendet edhe motori, të cilin e ka përdorur komandanti legjendar. Dhe jo vetëm kaq, vizitorët mund t’i shohin edhe gjërat të cilat i ka përdorur familja Jashari në shtëpi.

Vizitorët e huaj dhe përshtypjet e tyre kur vizitojnë Prekazin

Datat e shënuara janë ditët kur Prekazi mbushet më së shumti me vizitorë. Ciceroni Ilaz Halimi thotë se pos stinës së verës, datat e rëndësishme, siç është 28 Nëntori, datë kjo që festohen katër festa përnjëherë, janë më të ngarkuarat me vizitorë. “Stina e verës është më e ngarkuar se stinët tjera dhe datat e rëndësishme, si 28 Nëntori, ku janë disa festa me këtë datë, Ngritja e Flamurit në Krujë, Ngritja e Flamurit në Vlorë, ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, dalja e parë e UÇK-së në skenë, Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, edhe Epopeja e UÇK-së kur festohet 5, 6 dhe 7 marsi janë më të ngarkuarat me vizitorë”, thotë ai. Vizitorë të shumtë ka edhe nga vendet e huaja, që, sipas Halimit, edhe pse jo për çdo ditë vizitorë të huaj ka. “Vizitorë më së shumti kemi nga gjermanofonët, anglofonët dhe nga Turqia, me numër që theksohen nga vendet tjera.

Por kemi vizitorë edhe nga Japonia e Kina, por më të rralla”, shton ai, derisa tregon edhe për përshtypjet që kanë kur u shpjegohet për vendin e sakrificës dhe të qëndresës. “Ka përshtypje të shumta që kanë vizitorët e huaj, por përshtypja më e madhe e tyre është qëndresa e familjes Jashari përballë një ushtrie të një shteti të fuqishëm e të armatosur mirë, pra shfaqin edhe ndonjë dozë mosbesimi, por kur u shpjegohet e vërteta atëherë vërtet binden”, rrëfen Halimi, teksa tregon edhe për dhimbjet që shprehën shumë prej tyre e madje edhe qajnë kur ua shpjegojmë rezistencën e familjes Jashari.