Fushata nis para kohe

Aktuale November 26, 2016 - 07:46

Drejtuesit e partive të koalicionit qeverisës kanë nisur para kohe fushatën zgjedhore, duke përuruar çdo ditë fabrika e shkolla të reja. Analistët politikë thonë se udhëheqësit e shtetit në vend që të fokusohen në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme për qytetarët, po merren me çështje sekondare, shkruan sot, gazeta Zeri.

Kryeparlamentari Kadri Veseli po përuron fabrika e shkolla në Drenas, ndërsa zëvendëskryeministri nga radhët e LDK-së, Ramiz Kelmendi, po zhvillon takime me biznesmenë në qytete të ndryshme të vendit.
Edhe paraardhësi i Kelmendit në Qeveri, ish-zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i cili njëherësh është president i partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), ditë më parë ka vendosur gurthemelin e dy fabrikave në Drenas.

Përfaqësues të opozitës dhe analistë politikë thonë se dy partitë e koalicionit qeverisës, si dhe drejtues të disa partive jashtëparlamentare, tashmë kanë nisur fushatën, ende pa u caktuar data e zgjedhjeve të parakohshme në vend.

PDK-ja vlerëson se veprimet e Veselit nuk kanë të bëjnë fare me një gjë të tillë. Megjithëkëtë, përfaqësues të këtij subjekti thonë se janë të gatshëm kurdoherë që të shkojnë në zgjedhje. Ndërkohë, deputetë nga LDK-ja, vlerësojnë se përurimi i fabrikave dhe përdorimi i këtyre vizitave për qëllime politike, nuk ndodh vetëm në Kosovë.

Izmaku: PDK, e gatshme për zgjedhje

Deputetja e PDK-së Xhevahire Izmaku, ka vlerësëuar për “Zërin” se pjesëmarrja e kryeparlamentarit Kadri Veseli nëpër përurime të fabrikave e shkollave nuk ka të bëjë me fushatë.

“Pjesëmarrja e tij në këto përurime duhet të shihet si kontribut i tij për promovim të relacionit të mirë qytetarë-politikë. Nuk shoh arsye që këto paraqitje të jenë sinjal për zgjedhje”, ka deklaruar ajo.

Kjo pasi, sipas saj, Veseli që nga ardhja e tij në krye të Kuvendit ka sjellë një kulturë të re në politikën e pozitës.

Megjithëkëtë, ajo ka thënë se PDK-ja është e gatshme për zgjedhje po qe se ka konsensus politik.

“PDK-ja duke qenë e organizuar shumë mirë dhe e konsoliduar në terren nuk e ka fobi aspak procesin zgjedhor. Por, nuk neglizhon të mbajë kontaktin me degët e nëndegët në çdo periudhë. Nëse faktori politik do të ketë koncensus, PDK-ja kurdo është e gatshme të hyjë në zgjedhje”, ka theksuar ajo.

Kikaj: Të gjithë i gëzohen hapjes së fabrikave

Deputeti i LDK-së, Agim Kikaj, ka thënë se përurimit të shkollave e fabrikave i gëzohen të gjithë, qoftë edhe për qëllime politike.

“Besoj se përurimeve të shkollave, të fabrikave e të objekteve të tjera infrastrukturore u gëzohemi e na lumturojnë të gjithëve pa përjashtim. Përdorimi, edhe për qëllime politike, ndodh sot dhe jo vetëm tek ne”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas tij, secila parti i ka vlerësimet e saja për mbajtjen e zgjedhjeve dhe kjo siç shprehet ai, i prin votës për subjektin.

“Secili lider politik a parti politike ka projeksionet e veta politike dhe vlerësimet politike për momentumin e mbajtjes së zgjedhjeve dhe kjo i prin interesit dhe maksimalizimit të votës për subjektin”, ka theksuar ai.

 “Demokracitë e konsoliduara kanë ciklet e rregullta dhe kur ky rregull thyhet, arsyet janë të qëndrueshme dhe shoqëria e shteti janë përfitues nga një proces i parakohshëm zgjedhjesh. Sidoqoftë, vendimi do një konsensus më të gjerë brenda dhe konsultim me partnerët”, ka shtuar ai.

Rrusta: Ata që i mbyllën fabrikat, tashmë po bëhen kinse po hapin të reja

Teutë Rrusta, Koordinatore e Qendrave të Lëvizjes “Vetëvendosje”, ka vlerësuar se personat në fjalë vetëm gjatë kohës elektorale bëhen sikur po hapin fabrika.

“Kosova është nga shtetet më të pazhvilluara ekonomikisht në rajon dhe më gjerë dhe krejt kjo si pasojë e politikave të gabuara dhe mungesës së një alternative zhvillimore, nga këta që gjatë periudhave elektorale bëhen kinse po hapin fabrika”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, pikërisht partitë që tashmë po vizitojnë fabrika janë ata që kanë mbyllur fabrika të shumta.

“Të kujtojmë se përmes privatizimit të egër neoliberal, janë pikërisht këto parti që kanë mbyllur me qindra fabrika, e kanë lënë pa punë mbi 75.000 punëtorë. E tërë kjo ka rezultuar që Kosova të prijë në rajon me varfëri dhe papunësi”, ka shtuar Rrusta.

Ajo më tej, ka thënë se Kosova duhet të hapë sa më shumë fabrika, që të ketë sa më shumë prodhim vendor, por siç është shprehur ajo, kjo s'mund të bëhet me këtë klasë politike.

Ndërkohë, ka thënë se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt që është e mundur.

“Ne presim dhe kërkojmë vazhdimisht që zgjedhjet të mbahen sa më parë sepse vendi është në rrezik edhe në rrafshin politik, edhe në atë ekonomiko-social”, ka përfunduar ajo.

AAK e “Nisma”: Veprimet e Veselit e Kelmendit, fushatë mashtruese

Ndërsa deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu, ka vlerësuar se veprimet e figurave të lartcekura po bëhen nga frika e zgjedhjeve të ardhshme.

“Kjo në realitet është frika nga zgjedhjet e ardhshme, sepse populli do t’i ndëshkojë për mospunë dhe mosmbajtje të premtimeve”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, këto veprime kanë të bëjnë me përzierje të kompetencave.

“Kjo që po ndodhë kohëve të fundit është përzierje e përgjegjësive, obligimeve dhe detyrave të institucioneve”, ka shtuar Haxhiu.

Ajo më tej, ka thënë se detyra e tyre është që tashmë të kërkojnë zgjedhje.

“Detyrë e tyre tani është të kërkojnë edhe vetë zgjedhje të shpejta, se nuk kanë më arsyetime për premtimet e pambajtura. Ajo që do të duhej ta bëjnë është t’i kërkojnë falje popullit dhe të jetojnë me realitetin që vendi ynë nuk është në rrugë të mbarë, pikërisht falë tyre”, është shprehur ajo.

Edhe deputeti i “Nismës për Kosovën”, Enver Hoti, ka vlerësuar se veprimet e tilla kanë të bëjnë pikërisht me fushatë politike.

“Kjo është plotësisht fushatë me qëllim mashtrimi për të fituar sa më shumë vota.
Besoj se kësaj radhe qytetarët do ta refuzojnë këtë stil politik, tanimë të dëshmuar si veprim politik i mashtrimit”, ka thënë ai.

Andaj, sipas Hotit, vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje.

“Ne kërkojmë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme sepse jemi në krizë të thellë politike e institucionale, prandaj nuk ka alternativë tjetër për të dalë nga situata aktuale”, është shprehur ai.

Analisti politik Imer Mushkolaj, ka vlerësuar se fushata parazgjedhore ka nisur qysh moti.

“Fushata parazgjedhore ka kohë që ka filluar. Udhëheqësit e shtetit në vend që të fokusohen në zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme për qytetarët, janë fokusuar të tregojnë fuqinë politike që e kanë”, ka deklaruar ai.

Sipas Mushkolajt, në vend se ata të merren me çështje të rëndësishme për vendin, fokusohen në fushatë.

“Në vend që të merren me çështjen e demarkacionit dhe liberalizimin e vizave, ata merren me fushatë parazgjedhore, ndërkohë që qeverisja e tyre ka mbetur pa legjitimitet. E qytetarët janë viktima të veprimeve të tyre”, është shprehur ai.