Koalicioni i 'dembelëve'
Kuvendi ka miratuar vetëm 41 nga 138 ligjet e parapara për miratim për këtë vit. Ky vlerësohet si dështim i partnerëve të Koalicionit Qeverisës, pasi nuk i ka proceduar në Kuvend projektligjet sipas planit të paraparë
Kur kanë mbetur rreth një muaj deri në përfundim të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka përmbushur vetëm 29.71 % të agjendës legjislative për vitin 2016. Në bazë të platformës “vota ime” gjatë këtyre 11 muajve janë miratuar 41 ligje, 23 janë në procedurë të miratimit, ndërsa 74 të tjera janë në pritje. Ky vlerësohet si dështim i koalicionit qeverisës PDK-LDK, përkatësisht i Qeverisë së vendit, pasi nuk i ka proceduar ligjet në Kuvend, sipas planit të paraparë. Gjithashtu kritika ka për faktin që janë mbajtur numër i vogël i seancave dhe kështu ato pak seanca që kanë qenë janë ngarkuar me shumë pika në rend dite, gjë që sipas deputetëve dhe mbikëqyrësve të punës së Kuvendit ka ndikuar negativisht në kualitetin e ligjeve. Madje më shumë se gjysma e agjendës legjislative për këtë vit ka të bëjë me plotësime dhe ndryshime të ligjeve që janë miratuar më herët.
Nënkryetar i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka thënë për “Zërin” se në një periudhë të caktuar në fillim të këtij viti, Kuvendi ka qenë i bllokuar nga opozita, por pavarësisht kësaj, ai ka thënë se Kuvendi i ka miratuar të gjitha projektligjet që kanë ardhur nga Qeveria. Haliti ka thënë se përgjegjësia për ngecje në përmbushjen e agjendës legjislative është Qeveria.
“Një kohë kemi qenë të bllokuar, por sidoqoftë të gjitha ligjet që i ka proceduar Qeveria kanë hyrë në proces dhe janë miratuar, ndërsa disa tjerë janë në proces të miratimit. Parlamenti nuk është përgjegjës në fund të fundit pse nuk ka ligje, por sipas rregullave Qeveria i përgatit ligjet dhe i propozon ato”, ka deklaruar Haliti.
Gazeta “Zëri” ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Qeveria e Kosovës, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur, pasi qeveritarët nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje.
Opozita: Koalicioni është joserioz
Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka thënë se agjenda legjislative nuk ka qenë prioritet i Qeverisë.
“Agjendën e vet primare Qeveria e ka shtyrë më shumë sesa agjendën legjislative. Agjenda legjislative është përmbushur vetëm 30% sepse nuk ka qenë prioritet i shumicës, prioritet i tyre ka qenë formimi i “Zajednicës”, Marrëveshja e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi, disa marrëveshje me Serbinë dhe të ngjashme. Pra, pushteti nuk e ka pasur prioritet agjendën legjislative dhe as sot nuk e ka prioritet. Përndryshe, nuk ka asnjë arsyetim që të mbetet kaq prapa në përmbushjen e saj”, është shprehur Selimi duke thënë se ky koalicion duhet ta kuptojë që seanca mund të ketë më shpesh.
Kurse, deputetja e “Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, Teuta Haxhiu, ka thënë se koalicioni PDK-LDK është treguar joserioz, ndërsa Qeverinë “Mustafa” e ka vlerësuar si më të dobëtën në këto 17 vjet të pasluftës.
“Mosmiratimi i ligjeve apo mospërmbushja e agjendës legjislative është dështim i Qeverisë. Madje kjo Qeveri është më e dobëta që nga paslufta. Disa herë kur ka munguar opozita, koalicioni qeverisës megjithëse i ka më shumë se dy të tretat e deputetëve nuk ka arritur të mbajë seanca. Kjo dëshmon se ky koalicion është joserioz në punën e tij”, ka theksuar Haxhiu.
Qeveria, përgjegjëse për mospërmbushje të agjendës
Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se përgjegjësia për mospërmbushje të agjendës legjislative është e Qeverisë. Ai po ashtu ka përmendur edhe faktorët tjerë që kanë ndikuar në këtë çështje.
“Kuvendi ka pasur një përmbushje të dobët të agjendës legjislative, e cila ka ardhur kryesisht për shkak se Qeveria nuk i ka proceduar projektligjet në Kuvend ashtu siç i ka planifikuar. Po ashtu nuk ka pasur një koordinim të mirë ndërmjet Qeverisë dhe Kuvendit sa i përket kësaj agjende legjislative dhe shumë ligje pastaj janë tërhequr nga votimi në mënyrë të njëanshme nga Qeveria, sa herë që e ka parë se nuk i ka votat për ta miratuar atë projektligj”, ka vlerësuar Krasniqi duke thënë se edhe mungesa e koordinimit të partnerëve të koalicionit në mes vete ka ndikuar negativisht.
Krasniqi ka thënë se ka pasur edhe më pak seanca dhe kështu në disa raste kanë qenë shumë pika në rend dite duke bërë që ligjet të miratohen pa u diskutuar në Kuvend apo në diskutime publike, prandaj ai thotë se kjo ka ndikuar edhe në kualitetin e ligjeve.
“Më shumë se gjysma e agjendës legjislative të këtij viti është me plotësim-ndryshim, pasi që ligjet janë hartuar pa iu nënshtruar shqyrtimeve dhe debateve publike me grupe të ndryshme të interesit dhe as brenda Kuvendit”, ka përfunduar Krasniqi.
Publicisti, Halil Matoshi, ka thënë Kuvendi vazhdimisht nuk ka arritur që të përmbushë agjendën legjislative. Sipas tij, kjo është edhe si rezultat i joseriozitetit nga deputetët të cilët shpeshherë nuk e kanë bërë as kuorumin për mbajtjen e seancave.
“Kuvendi i Kosovës pas zgjedhjeve të vitit 2014 në të shumtën e kohës ka qenë i bllokuar dhe në rrethana objektive për shkak të protestave nuk ka mundur që të funksionojë në mënyrë normale. Por, as në legjislaturat paraprake Kuvendi nuk e ka përmbushur obligimin e vet. Ka mungesë serioziteti të skajshme nga deputetë dhe në të shumtën e kohës ekzekutivi ia ka diktuar Kuvendit agjendat, në vend se të ndodhte e kundërta”, ka potencuar Matoshi.
Seanca e radhës së Kuvendit do të jetë më 30 nëntor, në të cilën përveç pikave të rregullta të seancave (deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare) do të shqyrtohet në lexim të parë shtatë projektligje, ndërsa disa tjera në shqyrtim të dytë, gjithashtu do të shqyrtohen disa raporte vjetore si dhe disa vendime tjera.