Reforma e Thaçit, e dështuar pa opozitën

Aktuale November 25, 2016 - 08:20

Reforma zgjedhore e iniciuar nga presidenti Hashim Thaçi konsiderohet se nuk mund të kryhet për shkak të refuzimit të subjekteve opozitare për të marrë pjesë në këtë proces. Opozita thotë se reforma duhet të bëhet menjëherë pas zgjedhjeve të reja të parakohshme që i kërkon

Iniciativa e presidentit të vendit, Hashim Thaçi për të kryer reformën zgjedhore vlerësohet si e dështuar qysh në start. Kjo për shkak të refuzimit të subjekteve opozitare për të marrë pjesë në këtë proces, për të cilin thonë se duhet të bëhet vetëm pasi të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Analistët politikë dhe njohësit e proceseve zgjedhore edhe në dy takimet e para të presidentit me përfaqësuesit e subjekteve politike kanë thënë se nuk mund të bëhet reforma pa kontributin e opozitës. Megjithatë, në takimin e fundit presidenti Thaçi ka thënë se reforma zgjedhore duhet të përfundojë në pranverën e vitit të ardhshëm.“Çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimin e ligjeve mund të bëhen më shpejt, amandamentimi i neneve në Kushtetutë merr më shumë kohë – por të gjitha këto duhet të përfundojnë deri në pranverë”, ka deklaruar Thaçi.
Pavarësisht kësaj, tri subjektet opozitare e përsërisin qëndrimin e tyre kundër këtij procesi të nisur nga i pari i shtetit.
Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, Zgjim Hyseni, ka thënë për “Zërin” se vendi ka nevojë për zgjedhje të parakohshme.
“Kosova ka nevojë për zgjedhje të parakohshme dhe jo për shpikje të temave që i shtyjnë zgjedhjet. Cenimi i sovranitetit dhe i integritetit territorial përmes Marrëveshjes së "Zajednicës" dhe Demarkacionit nuk vijnë si rezultat i ligjit zgjedhor; as korrupsioni dhe krimi i organizuar që ia kanë zënë frymën kësaj shoqërie nuk burojnë nga Ligji për Zgjedhje; madje as vjedhja e blerja e votave nuk vijnë nga ligji aktual i zgjedhjeve, por pikërisht nga shkelja e këtij ligji”, është shprehur Hysenik, duke thënë se ligji aktual parasheh sanksione për ata që devijojnë dhe manipulojnë me vullnetin e qytetarëve.

Sipas tij, Ligji për Zgjedhje mund të përmirësohet pas zgjedhjeve nga një qeverisje legjitime.

“Në fund të fundit, nëse duhet përmirësuar ligji për zgjedhjet, këtë gjë mund ta bëjë vetëm një qeverisje legjitime që do të dalë pas zgjedhjeve të parakohshme, por kurrsesi figura si: Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Kadri Veseli që janë shkaktarët e kësaj gjendjeje”, ka theksuar Hyseni.
Kurse, zëdhënësi i “Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, Muharrem Nitaj ka thënë se vendimi i kësaj partie për ta refuzuar iniciativën e presidentit të vendit është qëndrim i formuar me kujdes.

“Qëndrimi ynë që të mos marrim pjesë në reformën që e ka iniciuar Presidenti, nuk është çështje e kryeneçësisë apo e inateve, por është një qëndrim i formuar me shumë kujdes. Nuk është hera e parë që ne përballemi me të ashtuquajtura reforma zgjedhore dhe gjithmonë këto janë bërë shkel e shko, ose janë përshtatur për ata që kanë qenë në pushtet. Reforma zgjedhore nuk mund të jetë një improvizim dhe të bëhet në momentet e fundit, e në rastin konkret po provohet të bëhet pikërisht kjo”, ka deklaruar Nitaj.

Më tej anëtari i Kryesisë së AAK-së ka thënë se reforma zgjedhore nëse ka vullnet të bëhet siç duhet, duhet të fillojë që ditën e parë pas zgjedhjeve. Në fund, Nitaj ka thënë se nuk ka dëgjuar për asnjë rast kur reforma zgjedhore është bërë pa kontributin e opozitës.
“Unë nuk kam dëgjuar të ketë ndodhur diku, që reforma zgjedhore të jetë bërë pa opozitën. Nuk besoj se do të ndodhë as në Kosovë. Të paktën kjo është jashtë logjikës dhe normave demokratike”, ka shtuar Nitaj.

Edhe sekretari i Përgjithshëm i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi, ka thënë se është i bindur se nuk ka reformë zgjedhore pa kontributin e opozitës.
“Jam i bindur se nuk ka reformë pa pjesëmarrjen e opozitës”, ka potencuar Sherifi.

Ndërkohë, profesori universitar, Blerim Burjani ka vlerësuar se iniciativa e presidentit të vendit për të kryer reformën zgjedhore do të dështojë.
“Dështimi është shumë i mundshëm për shkak se opozita këmbëngul që të mos pranojë bisedime me pushtetin për çështje të tilla si reforma zgjedhore, gjë që e bën të papranueshëm edhe fillimin e punës për reformën zgjedhore. Kjo do të mbetet vetëm iniciativë, pasi opozita nuk është e interesuar për reformë zgjedhore por për zgjedhje. Gjithashtu mendoj që kjo është nisur më shumë për interesa personale të Thaçit, sesa për ta marrë si iniciativë”, ka vlerësuar Burjani.