Dekoratat që iu refuzuan presidentit!
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar 108 personalitete nga Maqedonia për meritat e tyre në avancimin e shqiptarëve. Por, pati nga ata që refuzuan të dekorohen nga Thaçi, ndërsa kishte edhe të tillë që u shprehën të indinjuar që nuk ishin ne liste për t’u dekoruar.
Kurse, pjesa që pranuan mirënjohjen nga i pari i shtetit të Kosovës, u arsyetuan se atë e kanë marrë si shenjë nderi për punën e tyre shumëvjeçare, në të mirë të shtetit të Kosovës.
Shpëtim Pollozhani, Kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë në Maqedoni, është njëri nga ata që ka refuzuar ta pranojë dekoratën e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi. “Ka 101 shkaqe, por unë do t’i përmend vetëm disa.
Zëri i familjeve të burgosurve, të persekutuarve dhe të diskriminuarve nuk më lejoi që unë të marr mirënjohje nga një president, i cili është shkak i këtyre të këqijave. Shkaku tjetër është nëpërkëmbja e kundërshtarëve politikë po nga ky president”, ka thënë Pollozhani për “Zëri”. Ai konsideron se kjo iniciativë ka të bëjë me fushatë politike.
“Dhënia e mirënjohjeve për politikanë të korruptuar, të cilët një ditë do t’i përgjigjen gjyqit të popullit, dhënia e mirënjohjeve miqve personalë dhe miqve të shokëve të presidentit i vjen era fushatë politike, sikurse që thotë populli ‘ti ma kruaj kurrizin mua, unë do ta kruaj kurrizin ty’”, ka thënë ai, për të shtuar se mirënjohjen e ka refuzuar edhe në emër të varreve të dëshmorëve.
“Mirënjohjen e refuzova në emër të të gjtha varreve të dëshmorëve dhe veprimtarëve që i kanë mbuluar ferrat”, ka theksuar Pollozhani.
Bilall Sherifi: E refuzova dekoratën e Thaçit
Edhe sekretari i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi, ka thënë se ka refuzuar të marrë dekoratë nga i pari i shtetit të Kosovës.
“Pavarësisht ftesës nga Ambasada e Kosovës në Maqedoni që të jem në Shkup për të marrë pjesë në cilësinë e të dekoruarit në ceremoninë e ndarjes të dekoratave nga Hashim Thaçi, unë refuzova të jem aty, sepse refuzoj të pranoj të marr dekoratë nga ai”, ka deklaruar Sherifi.
Sipas tij, ka disa arsye se pse ai ka vendosur ta refuzojë një dekoratë të tillë.
“Arsyet e refuzimit kanë të bëjnë me bindjen time se Hashim Thaçi, dikur drejtues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk i ka kryer detyrimet e tij për të mbrojtur luftën e drejtë të popullit tonë dhe as Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si udhëheqëse e luftës për pavarësinë e Kosovës”, ka shtuar Sherifi.
Presidenca: Sherifi nuk ishte ne listë për dekoratë
Artan Behrami nga Zyra për Informim e Presidencës së Kosovës, ka thënë se sekretari i “Nismës”, Bilall Sherifi, nuk ka qenë asnjëherë në listë për të marrë një dekoratë të tillë.
“Askush askujt nuk mund t’ia mohojë angazhimin për lirinë e Kosovës, por në këtë rast z. Bilall Sherifi asnjëherë nuk ka qenë në asnjë listë për të marrë dekoratë nga presidenti”, ka theksuar Behrami.
Ashtu siç thuhet në përgjigjen dhënë “Zërit”, Presidenca e Kosovës ka ndarë gjithsej 108 dekorata.
“Presidenti i Republikës së Kosovës ka dekoruar 108 personalitete të ndryshme në Maqedoni. Mund të konfirmojmë që të gjitha këto 108 personalitete i kanë pranuar me nder dhe respekt këto dekorata”, ka deklaruar ai.
Nga ana tjetër, kampioni Olimpik në mundje, Shaban Tërstena, ka kritikuar presidentin Thaçi, pasi që nuk e futi në listën e të dekoruarve.
“Nuk kam menduar asnjëherë se ne si komb dimë të vlerësojmë si duhet të kaluarën tonë, e aq më keq që ta shtrembërojmë historinë duke improvizuar, duke heshtur, madje edhe duke i nëpërkëmbur vlerat tona individuale dhe kolektive”, ka thënë Terstena.
Ai më tej, ka thënë se nuk do dekorata nga njerëzit që shkelin mbi gjakun e dëshmorëve.
“Por ndoshta edhe më mirë që ndodhi ashtu, pasi unë nuk dua dekorata të tilla nga ky njeri, nga ky gjoja burrështetas që sillet si politikan që punon për interesa partiake, e jo për gjithë kombin. Nuk dua dekorata nga njerëz që shkelin mbi vlerat, mbi historinë, mbi gjakun e dëshmorëve, por edhe mbi djersën time”, ka shtuar ai.
Vinca: Kam pranuar medaljen për punën 40 vjeçare
Për dallim prej tyre, profesori Agim Vinca, ka thënë për “Zërin” se e ka pranuar dekoratën nga presidenti Thaçi.
“Unë e kam pranuar medaljen nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Dekoratën e kam pranuar por presidentit i kam thënë disa fjalë që duhen të thuhen”, është shprehur ai.
Tutje, ai ka thënë, se dekorata e tij është ndarë në shenjë nderimi për punën e tij 40 vjeçare.
“Më është dhënë për punën time intelektuale 40 vjeçare”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, shqiptarët e Maqedonisë e kanë ndihmuar shumë Kosovën, por ajo prapë nuk është në nivelin e duhur të zhvillimit.
Kurse, Muhamer Pajaziti, gazetar dhe njohës i rrethanave politike në Maqedoni, ka vlerësuar se refuzimi i dekoratave të presidentit Thaçi nga disa persona, është bërë pasi që ato janë ndarë pa asnjë kriter, në kohë fushatash.
“Mendoj se refuzimi i pranimit të dekoratave nga disa personalitete ka të bëjë me atë se, ndarja e këtyre mirënjohjeve është bërë pa ndonjë kriter profesional dhe në një kohë të papërshtatshme, për faktin se të hënën në Maqedoni filloi fushata për zgjedhje të parakoshme parlamentare”, ka deklaruar ai në një prononcim për “Zërin”.
Sipas tij, ndarja e dekoratave në kohë fushate mund ta dëmtojë edhe garën politike në Republikën e Maqedonisë.
“Tendenca e presidentit të Kosovës për të shpërndarë dekorata në kohë fushate i ngjante një teatri politik që mund ta dëmtojë garën politike në Maqedoni. Pastaj, presidenti kosovar i nderoi këto personalitete për kontributin e tyre në shtetndërtimin dhe pavarësinë e Kosovës, por sikur i gjithë ky mision nuk është kuptimplotë”, ka shtuar Pajaziti.
Mehmeti: Shqiptarët e Maqedonisë përkrahën shqiptarët e Kosovës
Ibrahim Mehmeti, njohës i çështjeve politike në Maqedoni, ka thënë se ndarja e dekoratave erdhi pikërisht në kohën e fushatës zgjedhore. Andaj, sipas tij, kjo i dha një kahje më ndryshe kësaj iniciative.
“Mendoj se vetë fakti që kjo ndarje e dekoratave ndodhi në ditën kur në Maqedoni filloi fushata zgjedhore, i dha asaj një dimension pak më ndryshe”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Sipas tij, një gjë e tillë solli edhe reagime pozitive, por edhe kritika.“Kuptohet se mirënjohjet per veprimtarinë e shqiptarëve të Maqedonisë për pavaresinë e Kosovës u pritën mirë nga shumë njerëz, gjë që mund të vërtetohet nga reagimet e shumta publike, por kishte edhe kritika”, ka potencuar ai.
Mehmeti gjatë bisedës, ka thënë se shqiptarët e Maqedonisë masovikisht e kanë përkrahur dhe ndihmuar përpjekjen e shqiptarëve të Kosovës për shtet të pavarur, përfshirë edhe periudhat më të vështira gjatë luftës në vitet e ‘90-ta.
Andaj, sipas tij, mirënjohjet në fjalë përjetohen si për të gjithë shqiptarët e Republikës së Maqedonisë. Mirëpo, ashtu si Mehmeti ka deklaruar, momenti i politizuar bën që kjo të konsiderohet si një përkrahje politike.
“Andaj, kjo mirënjohje përjetohet si mirënjohje për gjithë shqiptarët e Maqedonisë, por momenti i politizuar bën që disa këtë ta përjetojnë si përkrahje politike për struktura të caktuara politike dhe kjo pjesërisht e vë në hije këtë ngjarje”, ka shtuar ai.
Mushkolaj: Dekoratat e Thaçit, vetëm për show
Nga ana tjetër, analisti politik nga Kosova, Imer Mushkolaj, ka vlerësuar se veprimi i fundit i Thaçit ishte vetëm një “show”, jo më shumë.
“Ishte një show i Hashim Thaçit, çfarë di të bëjë shpesh ai. Thaçi e ndërmori këtë veprim në mes të fushatës zgjedhore në Maqedoni, duke u përpjekur të tregohet në njëfarë forme kujdestar edhe i shqiptarëve atje”, ka deklaruar ai për “Zërin”.
Kurse, ka thënë se disa prej personave nuk pranuan dekorata nga i pari i shtetit të Kosovës, për arsye se e konsiderojnë jo të sinqertë atë. Sipas tij, Thaçi e ka ndërmarrë këtë iniciativë vetëm për përfitime politike.
“Dekoratat e tij nuk u pranuan nga disa për shkak se e konsiderojnë Thaçin të pasinqertë në veprimet e tij. Ai i bën këto veprime vetëm që të përfitojë politikisht. Po të ishte ndryshe, së pari do të duhej ta luante rolin e tij unifikues, e jo përçarës, në Kosovë”, ka theksuar ai.
E politologu Ramush Tahiri, po ashtu nga Kosova, ka thënë se dekoratat në fjalë duhet të shihen si të ndara nga presidenca, e jo nga personi që e udhëheq atë institucion.
“Presidenti është president kushdo që është ai. Është institucioni, e jo Hashim Thaçi që ndan dekorata e mirënjohje.
Ndërkaq, ka vlerësuar se nuk ka qenë e rrugës që nuk janë dekoruar disa persona.
“Unë e shoh lëshim jo të vogel që nuk është dekoruar Abdurrahman Haliti, lider i PPD-së, nismëtar i proceseve demokraike dhe i ardhjes së BDI-së në qeverisje, gjithashtu edhe Mithat Emini. Të gjithë e dinë kontributin e tyre për çështjen kombëtare”, ka përfunduar ai./Zëri