Demarkacioni nxit destabilizimin

Aktuale November 21, 2016 - 07:58

Zyrtarët qeveritarë po paralajmërojnë se muajin e ardhshëm do ta rikthejnë në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacionin, përderisa përfaqësuesit e opozitës thonë se nuk do ta lejojnë këtë marrëveshje, pasi që do të organizohen për ta kundërshtuar në legjislativ dhe në rrugë

Paralajmërimi i zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës se Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi do të rikthehet në Kuvend muajin e ardhshëm, po kundërshtohet ashpër nga opozita në vend.

Përfaqësues të kësaj të fundit thonë se është i pakuptueshëm një insistim i tillë i pozitës, derisa nuk i ka votat në Kuvend dhe çdo përpjekje për ta rikthyer këtë marrëveshje pa një dakordim me opozitën, do të jetë manovër e re për të manipuluar me opinionin publik dhe BE- në.

Megjithatë, kthimin e marrëveshjes në Kuvend muajin e ardhshëm, zyrtarët qeveritarë e arsyetojnë me zënien e afatit të fundit për heqjen e vizave për Kosovën.

“Muaji i ardhshëm është koha e fundit për ne që të mund të sigurojmë liberalizimin e vizave”, ka thënë për “Zërin” Bajram Gecaj, zëvendësministër i Pushtetit Lokal, duke shtuar se nëse marrëveshja nuk kalon as në dhjetor, atëherë fajtore për mosheqjen e vizave për qytetarët është opozita bashkë me “Listën Serbe”.

 “Një ditë do ta ratifikojmë marrëveshjen, në kufijtë e njëjtë, por me shtyrje të panevojshme të shumë proceseve te rëndësishme. Dikush do të duhet te japë përgjegjësi, por jo ne. Demarkacionin do ta sjellim ne Kuvend, atëherë kur besojmë se i kemi siguruar 80 vota”, ka deklaruar ai.

Deputeti i partisë më të madhe në Kuvend(PDK), Nait Hasani, vlerëson se kthimi i demarkacionit është rezultat i dëshirës së Qeverisë për ta miratuar këtë marrëveshje.

“Në politikë nuk ka asgjë absolute, politika është mundësi. Qeveria ka dëshira dhe e provon mundësinë”, ka deklaruar Hasani.

Hoti: S’ka rikthim të demarkacionit

Në anën tjetër, zyrtarë të partisë më të madhe opozitare në vend (Lëvizjes “Vetëvendosje”), thonë se nuk do të ketë rikthim të demarkacionit në Kuvend.

Shkodran Hoti, zyrtar për informim në LVV, thotë për “Zërin” se nëse një gjë e tillë do të ndodhë, deputetët e VV-së do të jenë aktiv si në Kuvend, ashtu edhe në rrugë për ta kundërshtuar marrëveshjen.

“Nëse Qeveria insiston që të dëmtojë shtetësinë dhe interesin kombëtar, deputetët e VV-së do të jenë në Parlament që ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial. Do të jemi prapë aktivë, si në Parlament, ashtu edhe në rrugë. Kosova s'mund të lihet në mëshirën e Isës, Kadriut apo Hashimit, e asnjë krimineli tjetër”, ka deklaruar ai.

Sipas Hotit, është kryeministri Isa Mustafa që e pamundëson daljen e vendit nga kriza.

“Kryeministri Mustafa është ai i cili po e pamundëson daljen nga kriza sa i përket çështjes së Demarkacionit, sepse në vend që të marrë parasysh zgjidhjen që kemi ofruar ne përmes pesë pikave që i ka prezantuar kryetari Visar Ymeri, ai po insiston që pozita e opozita të pajtohen për këtë version të Demarkacionit”, ka thënë zëdhënësi i VV- së.

Muharremaj: Rikthimi i demarkacionit për ta manipuluar opinionin dhe BE-në

Kundër kësaj Marrëveshjeje të Demarkacionit vazhdon të jetë edhe “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës” (AAK). Deputeti i këtij subjekti në Kuvendin e Kosovës, Bali Muharremaj, thotë për “Zërin” se AAK-ja nuk do të bëjë asnjë kompromis në dëm të territorit.

Përkundrazi,sipas Muharremajt, në rast të kthimit të marrëveshjes në kuvend, opozita do të jetë e gatshme dhe e guximshme për të gjetur një zgjidhje.

“Mustafa dhe klasa në pushtet e kanë degraduar këtë çështje dhe sa më shumë që po kalon koha, vendin po e çojnë në drejtim të gabuar. Nuk ka zgjidhje pa opozitën as Demarkacioni e as çështjet tjera me interes. Deklarata e Mustafës është kërcënim i ri për opozitën, ndaj nuk do të ketë sukses”, ka deklaruar Muharremaj, i cili vlerëson se pozita nuk do ti ketë numrat e nevojshëm për ta kaluar marrëveshjen.

“Çdo përpjekje për ta rikthyer ne Kuvend Marrëveshjen për Demarkacionin pa një dakordim me opozitën, do të jetë manovër e re për të manipuluar me opinionin publik dhe BE- në”, ka potencuar Muharremaj.

Ndërsa deputeti i NISMË-s për Kosovën, Zafir Berisha, thotë se kthimi i demarkacionit në Kuvend do bëhet për të provokuar tensione të reja ndërpartiake.

“Nuk do të kalojë demarkacioni, sepse tash ne kemi deputetë të vetëdijshëm edhe nga partitë në pushtet që nuk votojnë, pavarësisht se ata janë nën presion të vazhdueshëm të patronëve të tyre partiak”, ka thënë Berisha.

Tahiri: Zgjedhje, nëse dështon demarkacioni

Politologu, Ramush Tahiri, nuk beson në kalimin e radhës të kësaj marrëveshjeje në Kuvend.

“Kjo marrëveshje në këtë përbërje të Kuvendit nuk kalon se nuk i ka votat e mjaftueshme, për shkak të kundërshtimit të deputetëve të koalicionit qeverisës edhe të Listës Serbe”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se pikërisht kjo marrëveshje e ka bllokuar punën e Kuvendit.

"Marrëveshja për Demarkacionin ka sjellë tensione në jetën politike dhe në shoqërinë e Kosovës, ka thelluar përçarjet ndërmjet pozitës dhe opozitës dhe në një formë ka bllokuar punën e Kuvendit”, ka potencuar Tahiri.

Sipas tij, mosratifikimi i demarkacionit do të jetë një ndër arsyet që do ta dërgojnë Kosovën në zgjedhje të parakohshme.

“Kjo do të jetë një nga arsyet për zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse Kosova po vonohet në integrimet evropiane, ka marrë obligime që s’po mundet t’i përmbushë. Koalicioni i madh po tregohet i brishtë në unitetin që t’i votojë çështjet në Kuvend”, ka deklaruar Tahiri.