Kërkohen dorëheqjet për rastin 'Dehari'

Aktuale November 21, 2016 - 07:56

Për t’u hapur rrugë hetimeve të pavarura në lidhje me vdekjen e aktivistit të lëvizjes “Vetëvendosje”, kërkohen shkarkime dhe dorëheqje për krerët e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë

Ndonëse një ekip i pavarur ka monitoruar obduksionin e Astrit Deharit, raporti që është hartuar në lidhje me vdekjen e tij ka ngjallur reagime të shumta.

Mjeku shqiptar në Berlin, Milot Rama, është shprehur se është i trishtuar me raportin e autopsisë për Astrit Deharin, aktivistin e “Vetëvendosjes” që vdiq në Burgun e Prizrenit.

“Unë si mjek me përvojë katër vjeçare në mjekësi intensive, në njërën nga klinikat më prestigjioze kardiologjike dhe pulmologjike gjermane jam më shumë se i trishtuar me raportin e autopsisë”, ka thënë Rama.

Ai është shprehur se shumë shpesh edhe anestezistët dhe mjekët e reparteve intensive me metoda shumë të sofistikuara kanë vështirësi të fusin tubusin me gjerësi maksimale 2 centimetra në rrugët e frymëmarrjes. “Prandaj tani përdorim gjithnjë e më shumë videolaringoskop, ku rrugët e frymëmarrjes i vëzhgojmë në kamerë për intubim më të shpejtë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se këtë procedurë zakonisht e kryejnë kur pacientët janë në sedacion të plotë (të vënë në gjumë me anestezion) dhe duke qenë nën ndikim të relaksantëve të muskulaturës. “Te pacientët e zgjuar për shkak të refleseve mbrojtëse futja edhe e një objekti sa lapsi është e pamundur për shkak të refleskeve mbrojtëse”, ka thënë doktori, duke shpjeguar se “hyrja në laring” nënkupton futjen e objektit në rrugët e frymëmarrjes që kanë gjerësi 1.75 deri në 2.5 centimetra.

“Ta fusë njeriu një shishe të mjaltës në sistem respirator me koshiencë të plotë dhe me reflekse mbrojtëse e tejkalon edhe fantazinë e Steven King. Jam i tmerruar!”, ka thënë doktori Rama.

VV: MD e as MPB s’janë palë neutrale për të udhëhequr apo ndërmjetësuar një hetim ndërkombëtar

Ndërkohë që Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha disa ditë pas vdekjes së Astrit Deharit i ka shkruar letër ambasadorit britanik në Kosovë, Ruairi O'Connell, nga i cili ka kërkuar përfshirjen në hetimet shtesë për të mos lënë asnjë hapësirë për dyshime potenciale.

Në letrën që "Zëri" e ka siguruar nga burimet e saj, ministrja Hoxha ka ftuar policinë metropolitane (Scotland Yard) që në mënyrë të ndarë të kryejë një hetim në lidhje me këtë rast. Kjo pasi, siç i ka shkruar ajo ambasadorit britanik, në pjesë e caktuar e opinionit publik, kanë shfaqur dyshime në lidhje me integritetin dhe paanshmërinë e procesit të hetimit.

“E kuptoj se Qeveria juaj dhe e jona ndajmë shqetësimin e njëjtë se është tejet e rëndësishme që hetimet rreth vdekjes së z.Astrit Dehari në paraburgim të kryhen dhe kompletohen në mënyrë profesionale dhe të paanshme. Në këtë kontekst, po ashtu i referohem vizitës së fundit të Sekretarit të Shtetit, Johnson në Kosovë dhe fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, ku ai ka adresuar këtë shqetësim”, i ka shkruar ministrja Hoxha ambasadorit O'Connell.

Ajo ka thënë se autoritetet e Kosovës janë në proces të kryerjes së një hetimi të hollësishëm në këtë rast dhe ka thënë se “të gjitha autoritetet e Kosovës, që janë të përfshira në këtë proces, janë të zotuara që të kryejnë një hetim profesional, të paanshëm dhe të gjerë”.

Por, Xhelal Sveçla, anëtar i Kryesisë së “Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë për “Zërin” se Ministria e Drejtësisë nuk është palë neutrale në këtë proces dhe realisht nuk mund të udhëheqë e as të ndërmjetësojë një hetim ndërkombëtar.

“Ata janë palë për t’u hetuar, sepse e patën mundësinë për të bërë një hetim të pavarur dhe për të marrë masa për shkeljet e zyrtarëve të ndryshëm por nuk e bënë. Kështu që as Ministria e Drejtësisë e as Ministria e Punëve të Brendshme nuk janë palë neutrale”, ka thënë Sveçla.

Ai ka thënë se duhet pritur që ekspertët mjeko-ligjorë të angazhuar nga familja të përfundojnë raportin e tyre rreth autopsisë dhe pasi që të përfundojë ky raport, familja të kërkojë hetime të pavarura dhe inkuadrimin e faktorëve që vetë familja Dehari i sheh si neutral.

“Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme është mirë t’i bëjë shkarkimet e para dhe ministrat e këtyre ministrive të japin dorëheqje që t’u hapin rrugë hetimeve vërtetë të pavarura që nuk lënë pikë dyshimi për atë që ka ndodhur”, ka thënë Sveçla.

 Raporti i autopsisë nuk tregon se si janë shkaktuar të gjeturat e autopsisë

Ndërkohë që Hatixhe Latifi – Pupovci, profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë e që ka qenë e pranishme gjatë kryerjes së autopsisë së Deharit ka thënë se raporti nuk shtjellon në mënyrë të besueshme mënyrën se si janë shkaktuar të gjeturat e autopsisë. “Mjeku ligjor nuk e ka për detyrë vetëm të përshkruajë të gjeturat e autopsisë, por bazuar në provat të mundohet të gjejë edhe mënyrën se si janë shkaktuar dhe arsyetuar lëndimet”, ka thënë Latifi – Pupovci në një intervistë për “Zëri”.

Për të thënë se vdekja është vrasje apo vetëvrasje, sipas saj, raporti i autopsisë duhet të jetë i shtjelluar maksimalisht, ndërkaq raporti i bërë nga ekspertët mjeko-ligjorë është nxjerrë në atë frymë që vetëvrasjen e merr si supozim fillestar prandaj edhe përfundimi nxirret mbi këtë supozim. Kështu, që në start përjashtohet mundësia e vrasjes.

“Të gjithë jemi pajtuar se Astriti ka vdekur si pasojë e asfiksisë sepse për ketë kanë treguar shenjat (gjakderdhja subpleurale) në mushkëritë e Astritit. Megjithatë, përshkrimi se asfiksia është shkaktuar me mjet të fortë (solid) nuk do të thotë se qëndron që edhe për këtë është dashur të mendojnë e analizojnë ata që kanë bërë raportin në bashkëpunim me hetuesinë”, ka thënë Pupovci.

Ajo shpjegon se në shishen e cila është gjetur në gojën e Astritit janë parë shenja gjaku, por në pjesën e cila nuk ka qenë e futur në gojë.

Ajo ka thënë se ky rast kaq shumë i komplikuar, kërkon një superekspertizë nga mjekë ligjorë ndërkombëtarë në mënyrë që të binden familjarët dhe qytetarët e Kosovës se si ndodhi vdekja e Astritit dhe të vërtetohet nëse ishte vrasje apo vetëvrasje?

P.s.

Sqarim

Në nëntitullin e kryeartikullit të sotëm të gazetës “Zëri” është përvjedhur një gabim që pastaj ka rezultuar me nxjerrje nga kontesti të komplet fjalisë.

Në vend se të thuhet se Vetëvendosje ka kërkuar dorëheqjet, në tekst ceket gabimisht se ato janë kërkuar nga policia “Scotland Yard”.

Për këtë, redaksia kërkon falje nga lexuesi dhe palët e përfshira në tekst.