Kthehen mbrapsht kosovarët që nuk kanë autorizimet e veturave në serbisht

Aktuale November 20, 2016 - 08:29

Policia e Serbisë po kthen qytetarët e Kosovës të cilët me vetura po mësyjnë shtetin fqinjë e që nuk kanë autorizimet për ngasjen e veturave të përkthyera në gjuhën serbe. Noterët po detyrohen që shqiptarëve që synojnë të shkojnë në Serbi t'iu shkruajnë autorizimet edhe në serbisht

Alban Selimi / Depcë, Preshevë

Ai ka bërë 75 kilometra deri në pikën kufitare të Depcës. Por, ndonëse kishte të gjitha dokumentet e nevojshme për të kaluar me veturën e të vëllait të tij në Serbi, Flamur Ejupi nuk ka arritur të kalojë kufirin me veturë. Autorizimin që kishte marrë tek një noter në Prishtinë për të ngarë veturën që kishte në emrin e vëllait e kishte vetëm në gjuhën shqipe, që nuk është pranuar nga policët kufitarë.
"E kalova kufirin e Kosovës mirëpo sapo arrita në anën serbe më urdhëruan se duhet të kthehem apo të kaloj pa veturë, pasi autorizimin e kisha vetëm në gjuhën shqipe. Vetura është e regjistruar në emrin e vëllait tim dhe për ta ishte e papranueshme që ishte vetëm në gjuhën shqipe", thotë Ejupi.

 Dy orë në kufi “sherri” i autorizimit shqip

Ai ka thënë se ka pritur rreth dy orë në kufi mes Kosovës dhe Serbisë, derisa një familjar i bashkëshortes së tij ka shkuar nga Presheva për ta marrë me veturë të regjistruar në Serbi.
"Një person tjetër u kthye mbrapsht pasi edhe ai kishte të njëjtin problem", tregon burri rreth 40 vjeç.
Ai ka thënë se vendi ku kanë pritur ishte shumë i bezdisshëm. "Dy orë aty me fëmijë. Ata nuk rrinin. Kur dilnin nga vetura ishte shumë ftohtë", thotë Ejupi. Sipas tij, gjithë këto lojëra po bëhen nga ana e Serbisë, pasi pala kosovare nuk është treguar syçelë për të siguruar materiale të nevojshme siç është letërngjitësi që do të mundësonte respektimin e Marrëveshjes për qarkullimin e lirë për dy palët.
"Unë kam kaluar disa herë me të njëjtin dokument në gjuhën shqipe. Por, momentin që nuk filloi zbatimi i marrëveshjes, filluan të dalin në shesh rregulla të reja", është shprehur ai.
Pala kosovare nuk ka arritur t’i përfundojë procedurat e tenderimit për letërngjitësin që do t’u vendoset në simbolet shtetërore veturave me targa serbe që hyjnë në Kosovë, duke u bazuar në Marrëveshjen për Qarkullim të Lirë. Qytetarët e të dyja shteteve thonë se kjo marrëveshje ngjason në lojërat e fëmijëve të zemëruar .
Dy ditë para se Ejupin ta kthejnë nga kufiri, Gorani, nga fshati Partesh, ka shkuar në drejtim të Bujanocit. 29-vjeçari që jeton në Kosovë ka regjistruar veturën e tij me targa RKS, por shkuarja drejt Serbisë me këto targa ka thënë se është një sfidë.
Ai është shprehur se i duhet që ato t’i ndërrojë sapo të futet në pjesën tjetër të kufirit. Në karrigen e pasme të veturës së tij ai i ka të vendosura targat provuese prej letre me regjistrim të Bujanocit, të cilat vlejnë dy muaj.
“Ende nuk ka filluar asnjë marrëveshje. Kështu që duhet t’i heqim targat RKS për t’i vendosur këto prova të Serbisë, të cilat duhet paguar rreth 5 euro për dy muaj”, ka thënë ai . I riu serb që jeton në Kosovë thotë se do të ishte më mirë që qarkullimi të bëhej pa pengesa.
Në anën e kundërt pa pengesa nga Presheva në drejtim të Gjilanit kalon Mustafë Hasani nga fshati Raincë e Preshevës.
“Vij shpesh në Gjilan. Zakonisht këtë e bëj të shtunave kur në Gjilan është treg. Nuk kemi asnjë pengesë. Vetëm pala serbe nuk po na lejon të blejmë mallra më shumë se 100 euro dhe për ato duhet të kemi kupon fiskal se ndryshe nuk munde t’i kalosh", thotë ai. Ai me veturën e tij me targa të qytetit të Vranjës së Serbisë futet pa asnjë barrierë në Kosovë.
“Nuk kemi asnjë telashe. Shkojmë lirshëm në Kosovë”, ka thënë ai, duke përmendur faktin se vite më parë kanë pasur problem me pagesën e taksave të sigurimit për automjete.
Hasani nga Presheva thotë se ka dëgjuar që flitet që në targa të Serbisë duhet të vendoset një letërngjitës. "Por, këta në Kosovë nuk po kanë ngjitës", shprehet ai dhe qeshet.

Preshevarët: Po të kishim mundësi, do t’i mbulonim simbolet e Serbisë në targa edhe kur jemi në Serbi

Ai thotë se do të pajtohej me veprimin e anës kosovare. "Jo, nuk është problem. Bile ma mirë të mbulohet flamuri i Serbisë. Pse a mos e kemi në qejf a. Po të kisha mundësi edhe në Serbi kur jam do ta mbuloja", thotë burri. Por ai nuk anashkalon faktin se politikanët po tallen me qytetarët.
“Megjithatë, krejt këto procedura po bëjnë që qytetarët të presin gjatë nëpër kufij. Po, këto janë tallje, sepse këta po të jenë si duhet do t’merreshin vesh dhe secili me targat e shtetit të vet do të shkonte aty ku do", ka thënë ai.
Ndërkohë, vonesat e administrative kanë bërë që këtë javë të mos fillojë zbatimi i Marrëveshjes për Reciprocitet të Plotë për Targat e Veturave mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas kësaj Marrëveshjeje, qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë t’i largojnë targat RKS kur kalojnë në anën tjetër të kufirit, por vetëm të vendosin një fletëngjitës mbi simbolet e Republikës së Kosovës. Derisa qytetarët e Serbisë, që kanë hyrë pa asnjë barrierë me veturat e tyre në Kosovë, në shenjë reciprociteti do të vendosin gjithashtu fletëngjitës mbi simbolet shtetërore serbe.
Fajin për moszbatim të kësaj marrëveshjeje në një prononcim për “Zërin” ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ua ka lënë autoriteteve kosovare.
Ajo ka deklaruar se është pala kosovare fajtore për këto vonesa. “Sot është data e fundit kur është dashur të fillojë zbatimi i marrëveshjes”, ka thënë Tahiri.
"Zbatimi i Marrëveshjes për Reciprocitet me Tabela është dashur të fillojë sot. Kjo ende nuk ka ndodhur. Arsye është procedura administrative për prodhimin e këtyre letërngjitëseve, që nënkupton edhe procedurat e tenderimit që duhet t’i bëjë Ministria e Punëve të Brendshme”, ka thënë Tahiri, sipas së cilës kjo nuk është arritur për shkak të kohës së shkurtër.
Ministrja Tahiri ndër të tjera ka thënë se Prishtina dhe Beogradi së bashku me BE-në kanë arritur këtë marrëveshje mes dy palëve, me qëllim të lehtësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve.