Tahiri: Nga 33 marrëveshje, vetëm 3 nuk po zbatohen

Aktuale November 20, 2016 - 08:17

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri thotë për “Zërin” se nuk do të ketë Asociacion të Komunave Serbe derisa Serbia nuk i shpërbën të gjitha strukturat paralele dhe nuk e zbaton Marrëveshjen për Telekomin dhe Energjinë. Ajo po ashtu thotë se nga 33 marrëveshjet sa janë arritur në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së, vetëm tri nuk janë zbatuar në praktikë. Ndërsa marrëveshja e fundit për targa, sipas saj, është shtyrë, pasi autoritetet kosovare nuk e kanë përmbyllur tenderin për letërngjitës.

Tahiri në intervistën dhënë “Zërit” thotë se procesi i bisedimeve me Serbinë nuk do të zgjasë aq sa ka zgjatur dhe në fazën e tretë, siç thotë ajo, do të trajtohet edhe çështja e të pagjeturve. Ministrja për Dialog është e bindur se epilogu i bisedimeve do të jetë njohja reciproke e dy shteteve

Zëri: Znj. Tahiri, a ka dështuar Marrëveshja për Targat, meqë nuk ka ngjitës?

Tahiri: Jo, në fakt marrëveshja është në proces të përgatitjes për zbatim. Më rëndësi është që kemi arritur marrëveshje për reciprocitetin e targave të automjeteve mes dy shteteve. Në kohën kur e kemi arritur marrëveshjen në shtator të këtij viti, unë kisha paralajmërime nga përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme të Kosovës se është kohë e shkurtër për procesin e tenderimit për prodhimin e këtyre letërngjitësve. Por, vlerësova që më rëndësi është një herë të arrihet marrëveshja. E kështu sa më shpejt zgjidhim problemin e letërngjitësve, menjëherë fillon zbatimi.

Pra, për mua më mirë ka qenë të arrihet marrëveshja, sepse ju e dini që pala serbe e ka shtyrë këtë punë për pesë vjet dhe tash varet nga ne, sa më shpejt që i kryejmë punët aq më shpejt nis puna.

Zëri: A mund të na thoni cilat marrëveshje janë duke u zbatuar plotësisht e cilat pjesërisht?

Tahiri: Janë gjithsej 33 marrëveshje. Prej tyre 30 janë duke u zbatuar edhe nga Kosova edhe nga Serbia. Ajo që ende nuk po zbatohet është Marrëveshja e Telekomit dhe kjo duhet të zbatohet. Deri sa nuk e lëshojnë operatorin, ne nuk e konsiderojmë marrëveshjen të zbatuar. Kemi po ashtu Asociacionin dhe Energjinë, të cilat duhen të zbatohen. Për energjinë dhe kodin, Serbia është përgjegjëse për zbatim, ndërsa për Asociacionin jemi ne përgjegjës. Dhe ne kemi thënë që në momentin që APIU zyrtarisht me 15 dhjetor ia jep kodin Kosovës, ne do të fillojmë përgatitjet për zbatimin e Asociacionit.

Zëri: A po zbatohet Marrëveshja për Energjinë?

Tahiri: Marrëveshja për Energjinë, përkatësisht fillimi i punës së KOSTI-it si operator i pavarur është bllokuar nga Serbia tash një vit e gjysmë. Serbia që nga paslufta ka ndërhyrë në operatorin ilegal në fushën e energjisë në pjesën veriore të vendit dhe praktikisht qasja e operatorëve tonë publik të energjisë në veri ka qenë e bllokuar për krejt këto vite. Pra, kur ne ju japim energji konsumatorëve në veri dhe ata nuk na i paguajnë faturat por ju paguajnë operatorëve ilegal. Ky është dëmi i parë. Serbia po ashtu, prej pasluftës i shfrytëzon linjat tona të energjisë, nuk paguan qira dhe nuk i komenton financiarisht shfrytëzimin e linjave transmetuese të Kosovës.

Zëri: A do të jetë presidenti Hashim Thaçi kryenegociatori i ardhshëm në dialogun me Serbinë?

Tahiri: Tani faza e tretë e dialogut ende s’ka filluar. Faza e tretë e dialogut fillon kur zbatohen këto marrëveshje që janë në pritje. Ndërkohë ka filluar një diskutim se si duhet Kosova të përfaqësohet në fazën e tretë. Faza e ardhshme për ne është fazë përmbyllëse e bisedimeve mes dy shteteve, që duhet të rrumbullakësohet me njohjen mes të dyja shteteve. Në këtë fazë të tretë me rëndësi është që Kosova të përfaqësohet në mënyrë gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet prej presidentit, ministrave, si dhe gjithë spektrit politik relevant.

Zëri: Edhe sa vite duhet të zgjasë dialogu mes Kosovës e Serbisë për të ardhur deri tek një pajtim mes dy vendeve në mënyrë që të mos pengojnë njëri-tjetrin në integrimin evropian?

Tahiri: Pyetje me vend, edhe ne vazhdimisht e shtrojmë këtë pyetje para autoriteteve të BE-së dhe një prej përgjigjeve të fundit që kemi marrë është që nuk do të zgjasë aq sa ka zgjatur.

Zëri: Si po ecë procesi i integrimit të strukturave paralele, rivitalizimi i urës së Ibrit dhe kur do të fillojë hartimi i Statutit të Asociacionit, pas Marrëveshjes për kodin?

Tahiri: Strukturat paralele i kemi shuar në shumë fusha të rëndësishme. E para, kemi shuar strukturat paralele në Polici dhe i kemi integruar policët në sistemin e Kosovës. Kemi shtuar strukturën paramilitare, atë të mbrojtjes civile, kemi punësuar ish-pjesëtarët e saj në institucionet qendrore civile të shtetit të Kosovës. Kur them civile ata nuk janë punësuar as në polici, as në FSK, por në institucione tjera, ministri dhe agjenci. Kemi shuar strukturat paralele të doganave, mirëpo, një kohë para dialogut janë përdorur zyra paralele doganore, vula paralele doganore, dhe janë shuar të gjitha ato. Pastaj kemi komunat legale që kanë marrë pjesë në zgjedhje, por problemi është se ende vazhdon të funksionojë ilegalisht në disa komuna ato struktura ilegale, që Serbia po i përkrah. Asociacioni krijohet vetëm kur bëhet Statuti dhe shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese. Pra do të thotë para se të krijohet ky Asociacion të gjitha strukturat e mbetura paralele në Kosovë të shuhen. Kur të ndodhë verifikimi i shuarjes japim sinjalin apo dritën e gjelbër për themelimin e Asociacionit.

Zëri: Kur do të jetë pikë e rendit të ditës në dialog çështja e të pagjeturve?

Tahiri: Në fazën e tretë që po e përgatisim tema e parë dhe kryesorja që kemi propozuar është tema e të pagjeturve.

Zëri: A keni diskutuar ndonjëherë apo e keni në agjendë diskutimin për ta shtyrë Serbinë ta heq nga Kushtetuta e saj Kosovën që e cilëson si pjesë të saj?

Tahiri: Këtë e bëjmë vazhdimisht gjatë dialogut, fillimisht kemi komunikuar me shkresa zyrtare, si kusht për fqinjësi të mirë dhe për të filluar fazën e një kapitulli paqësor mes dy vendeve kryesore është njohja reciproke mes dy shteteve dhe Serbia ta heqë Kosovën nga Kushtetua e saj. Këto janë propozimet tona që ia kemi thënë BE-së dhe palës serbe.