S’ka Asociacion pa shuarjen e strukturave paralele
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se pa shuarjen e plotë të strukturave paralele nuk do të fillojë hartimi i Statutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ndërsa Lista Serbe pret themelimin e menjëhershëm të Asociacionit, pas arritjes së Marrëveshjes për Telekomunikacionin
Pas arritjes së Marrëveshjes për Telekomunikacionin në mes Kosovës dhe Serbisë, ku shteti i Kosovës do të marrë kodin telefonik +383, përfaqësuesit serbë po presin që të fillojë hartimi i Statutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Mirëpo, krerët e institucioneve vendore thonë se nuk është vetëm Marrëveshja për Telekomunikacionin ajo që do të mundësojë zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e AKS-së, por edhe shuarja e plotë e strukturave paralele të Serbisë që vazhdojnë të operojnë ilegalisht në Kosovë. Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë për gazetën “Zëri” se ata do të japin dritën e gjelbër për themelimin e Asociacionit, vetëm kur të bëhet verifikimi i gjendjes në terren se janë shuar të gjitha strukturat paralele. “Asociacioni krijohet vetëm kur të bëhet Statuti dhe shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese. Pra, para se të krijohet ky Asociacion, të gjitha strukturat e mbetura paralele në Kosovë duhet të shuhen. Kur të ndodhë verifikimi i shuarjes, japim sinjalin, apo dritën e gjelbër për themelimin e Asociacionit”, ka theksuar Tahiri.
Ende nuk ka filluar hartimi i Statutit
Mirëpo, edhe pse tashmë është caktuar ekipi prej katër vetave që do ta bëjë hartimin e Statutit të Asociacionit, ky ekip ende nuk ka filluar punën, ka konfirmuar për gazetën “Zëri”, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) Bajram Gecaj. “Ne tanimë e kemi të kompletuar ekipin menaxhues, ekip ky i cili do të duhet të përpilojë draftin e parë të Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (asociacioni), në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, si dhe me misionet e OSBE-së dhe BE-së në Kosovë. Por, ende nuk ka filluar”, është shprehur Gecaj. Themelimi i AKS-së, ka dalë si rezultat i Marrëveshjes së parë të vitit 2013 të arritur në Bruksel dhe e miratuar me dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. “Ne kemi obligim shtetëror themelimin e këtij Asociacioni në bazë të ligjit të vitit 2103, të aprovuar me 84 vota në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka theksuar zëvendësministri Gecaj. Por, sipas tij, e gjithë kjo do të ndodhë në një situatë me të favorshme politike. “Megjithatë, e gjithë kjo duhet të ndodhë në një atmosferë të përshtatshme politike dhe ne shpresojmë se kushte të tilla më të përshtatshme do të krijohen sa më parë që të jetë e mundur”, ka thënë Gecaj.
Parimet e Marrëveshjes për ASK-në nuk janë në frymën kushtetuese
Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë me 25 gusht të vitit 2015 kishin arritur Marrëveshjen për Formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila ishte kundërshtuar ashpër nga partitë opozitare, madje duke hedhur edhe gaz lotsjellës në Kuvend. Pas kësaj situate të krijuar, ish- presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga më 30 tetor 2015 kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretimin e kushtetueshmërisë së Marrëveshjes së 25 gushtit 2015 për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ndërsa, Gjykata Kushtetuese e Kosovës me 23 dhjetor 2015 kishte marrë vendim që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit, të arritur në prill të vitit 2013, në mes të Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, Gjykata me këtë vendim ka konstatuar se parimet e përgjithshme të Asociacionit nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës. “Gjykata mori vendim të konstatojë që parimet, siç janë elaboruar në “Asociacioni/Bashkësia i komunave me shumicë serbe në Kosovë - Parimet e përgjithshme/Elementet kryesore”, nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, me Nenin 3 (Barazia para Ligjit), paragrafi I, me Kapitullin II (Të Drejtat dhe Liritë Themelore) dhe me Kapitullin III (Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhej në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Këto parime, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Formimi i AKS-së të bëhet nga një qeveri e re
Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, opozita e konsideron të mjaftueshëm që ky Asociacion të mos ekzistojë në formatin aktual, pasi është konstatuar shkelja e aktit me të lartë juridik në vend. Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë për “Zëri” se ata janë për integrimin e pakicave, por jo duke shkelur Kushtetutën dhe duke ju dhënë shtet brenda shtetit. “Gjykata Kushtetuese, Marrëveshjen për Asociacionin e ka gjetur si kundërkushtetuese në 23 nene të saj dhe besoj që kjo do të duhej të ishte e mjaftueshme që ky Asociacion në formatin çfarë ka tentuar ta kontrabandojë Qeveria nuk duhet të ekzistojë. Ne kemi thënë se jemi për të bërë çka është e mundur konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve për t'u integruar të gjitha minoritetet, por jo duke ju dhënë shtet brenda Kosovës”, ka thënë Lekaj. Madje, ai e sheh këtë edhe si të rrezikshme, pasi do të rrezikonte që Kosova të bëhej sikur Bosnja, shtet jofunksional. “Me e rrugës është që këto tema të mos ri-inicioheshin derisa nuk legjitimohet një qeveri e re e cila është më e qëndrueshme dhe e pashantazhuar. Që nuk do të luante me sovranitetin dhe integritetin e vendit”, ka shtuar ai, duke ripërsëritur qëndrimin e tyre se ky Asociacion ka vdekur.