Serwer: Kosova nuk po mësohet me demokracinë

Aktuale November 17, 2016 - 08:06

Demarkacioni nuk është temë, ajo po shfrytëzohet për të emocionuar njerëzit. Kurse Asociacioni është kërkesa më e keqe e Planit të Ahtisaarit, por që duhet zbatuar meqë Kosova ka edhe një mori përfitimesh nga zbatimi i atij Plani. Për politikanët e korruptuar analisti amerikan Daniell Serwer thotë se vetëm me votë mund “të hiqen qafe”...

Analisti amerikan dhe njohësi shumë i mirë i politikave, zhvillimeve dhe konflikteve në Ballkan, Daniel Serwer, paralajmëron se Kosova nuk është aktualisht më prioritet në agjendën amerikane. Ai numëron problemet e Kosovës, duke vlerësuar se ky shtet i ri po vuan një moment të vështirë e të mësuarit për të jetuar me demokracinë.

Profesori në Universitetin “Johns Hopkins”, në intervistën ekskluzive për gazetën “Zëri”, bëri me dije se presidenti i ri i SHBA-së, Donald Trump, nuk e njeh Ballkanin sikurse kundërkandidatja e tij Hillary Clinton, e cila e dinte se çfarë kanë bërë amerikanët në Ballkan dhe për pavarësinë e Kosovës si një arritje e madhe. Serwer tha se Rusia vazhdon të mbetet kërcënuesi më i madh për SHBA-në dhe se kjo mbetet problem edhe për Ballkanin dhe shumë vende të tjera të botës. Ndërkohë që temat me të cilat aktualisht po merret skena politike e Kosovës, sipas tij, nuk janë problemet reale që po e stagnojnë Kosovën.

Serwer tha se Demarkacioni nuk është temë dhe se po shfrytëzohet nga opozita për të emocionuar njerëzit. Kurse për Asociacionin e Komunave Serbe thotë se është kërkesa më e keqe e Planit të Ahtisaarit, por që duhet zbatuar meqë Kosova ka edhe një mori përfitimesh nga zbatimi i atij Plani. Për politikanët e korruptuar thotë se vetëm me votë mund të “hiqen qafe”, kurse për “Vetëvendosjen” mendon se duhet të transformohet, të ndalojë të qenit një lëvizjeje e të fillojë të bëhet një parti politike me ambicie serioze për të ardhur në pushtet. Serwer paralajmëron se Kosova dhe as Ballkani në tërësi nuk janë më prioritet në agjendën e SHBA-së dhe se për dallim nga Trump, i cili nuk e njeh Ballkanin.

Zëri: Cili do të jetë efekti i zgjedhjeve amerikane në Kosovë?

 Serwer: Unë mendoj se të dy kandidatët ishin shumë të ndryshëm në lidhje me politikën e jashtme në përgjithësi dhe me Ballkanin në veçanti. Trump është shumë i çuditshëm dhe kontradiktor. Ai nuk ka thënë asgjë në lidhje me Ballkanin, aq sa di unë, pos që e ka gruan sllovene. Sa për Zonjën Clinton, unë nuk mendoj se Ballkani qëndron në listën e saj të prioriteteve sepse Ballkani nuk është prioritet amerikan në ditët e sotme, por ajo e di se çfarë kanë bërë amerikanët në Ballkan, ajo ka njohuri për pavarësinë e Kosovës si një arritje e madhe dhe ajo e di se ruajtja e integritetit territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës po ashtu ka rëndësi të veçantë.

Zëri: Z. Trump hapur po flirton me Rusinë, cili është mendimi juaj duke pasur parasysh relacionin tonë me Serbinë, sa mund të ketë efekt në rrafshin gjeopolitik në raport me Kosovën ky relacion i tij me Putinin?

Serwer: Pa dyshim, flirtimi me Rusinë do të jetë problem jo vetëm për Ballkanin, por edhe për shumë pjesë të tjera të botës. Kjo nuk do të zgjasë gjatë. Zonja Clinton ka thënë se ajo dëshiron të rivendosë marrëdhëniet me Rusinë gjithashtu. Nuk do të funksionojë kjo gjë edhe për z. Trump për sa kohë është Putini në pushtet.

 Rusia, kërcënimi më i madh për SHBA-në

Zëri: Cili është kërcënimi më i madh për SHBA-në, ISIS-i apo Rusia?

Serwer: Rusia është kërcënim shumë më i madh për Shtetet e Bashkuara se ISIS-i. Unë nuk dua të minimizojë rëndësinë e ISIS-it në vrasjen e njerëzve, por ata vetëm mund të vrasin njerëz në numër shumë të vogël siç kanë bërë deri më tani dhe, thjesht, kanë vrarë shumë pak amerikanë. Rusia është e aftë të bëjë shumë më tepër dhe manovrimi me Rusinë duhet të bëhet me shumë kujdes nga ana jonë, por afërsia e z. Trump me Putinin nuk është mënyra e duhur. 

Zëri: Pas zgjedhjeve, cilat sfida e presin presidentin e ri të Amerikës?

Serwer: Nuk e di se çfarë do të ndodhë, sepse presidenti do të marrë detyrën më 20 janar dhe nga 21 janari dikush në këtë tokë do të vendosë apo do të dëshirojë për të sfiduar presidentin e ri. Unë nuk do të çuditesha nëse kjo është Rusia, nuk do të mbetem i befasuar nëse është Bashar al Assadi, nuk befasohem nëse është Kina, por edhe nuk do të çuditesha nëse është ISIS-i, dikush do të vendosë për ta testuar presidentin e ri.

 Kosova po e vuan të mësuarit për të jetuar në demokraci

Zëri: Të kthehemi tek çështjet e Kosovës, Z. Joe Biden ishte në Kosovë, mes të tjerash përcolli edhe vërejtjet e tij për korrupsionin, mosratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, reagimet edhe për Asociacionin e Komunave Serbe. Ndërkohë duket se po vonohet edhe më tutje liberalizimi i vizave. Si e shihni gjendjen sot në Kosovë?

Serwer: Kosova po vuan një moment të vështirë e të mësuarit për të jetuar me demokracinë dhe nuk është e lehtë për të jetuar me demokracinë. Unë mendoj se nuk po shihen lëvizje për Marrëveshjen Kufitare me Malin e Zi që meriton 10 minuta konsideratë në Parlament për ratifikim dhe sinqerisht ju e dini, kur kam folur me njerëzit në opozitë, ata nuk pajtohen me këtë që po ndodh, ata vetëm janë duke e përdorur atë, sepse kjo është diçka që emocionon njerëzit. Asociacioni i Komunave Serbe si çështje tjetër madhore është diçka tjetër, pasi përbën një çështje tepër të rëndësishme për Kosovën. Kjo është kërkesa më e keqe e Planit të Ahtisaarit, por erdhi koha për ta zbatuar atë, për shkak se keni një mori përfitimesh nga zbatimi i atij Plani. Tani duhet të paguani një pjesë të vogël të çmimit. Por mendoj se në qoftë se ndiqet këshilla e Gjykatës Kushtetuese, edhe kjo çështje është e menaxhueshme. Nuk është asgjë në lidhje me këtë gjë e pazakontë, ne kemi një mosmarrëveshje kufitare me Kanadanë për njëqind vjet, në fakt ende kemi 5 mosmarrëveshje kufitare të pazgjidhura me Kanadanë. Mali i Zi është faktor i rëndësishëm pozitiv për Kosovën. Mali i Zi është pjesë e NATO-s, Kosova dëshiron të jetë në NATO dhe nuk mund të bëhet pjesë e Aleancës nëse nuk definon kufirin me Malin e Zi, i cili do të ketë të drejtën e vetos në anëtarësimin e Kosovës, kështu që disa krerë të mençur duhet të ulen në Prishtinë dhe të gjejnë një marrëveshje që do të mundësojë demarkacionin e kufirit. Kjo me të vërtetë duhet të ndodhë, nuk ka zgjidhje tjetër. Asociacioni i Komunave Serbe është çështja më e vështirë dhe më e komplikuar, por unë mendoj se i keni faktorët për ta funksionalizuar atë dhe duke u bazuar në elementet e Gjykatës Kushtetuese.

Zëri: Forca më e madhe opozitare në vend -“Vetëvendosja” këmbëngul në pengimin e miratimit të Demarkacionit dhe krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe si e tillë. Ndërkohë që ndërkombëtarët kushtëzojnë Kosovën në këto dy pika?

Serwer: Shihni, skena politike e Kosovës është veçanërisht e vështirë për shkak se ju keni dy forca antikushtetuese të skenës politike të Kosovës; njëra ka të bëjë me serbët si pjesë e Listës Serbe, e cila është antikushtetuese sepse ajo nuk e pranon pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, por ju keni një tjetër forcë antikushtetuese, ajo është “Vetëvendosja”, e cila është siç thashë më parë antikushtetuese, sepse nuk e pranon integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Është një situatë e vështirë, unë kam qenë në vendet e tjera ku ka forca antikushtetuese gjithashtu, si dhe ne kemi forca antikushtetuese në SHBA, lëvizjet ekstreme që janë kundër dhe kërkojnë ndarjen e Teksasit nga SHBA-ja. Kur kemi të bëjmë me një parti të madhe politike që është e gatshme të hedhë gaz lotsjellës në Parlament, s’ka dyshim se gjërat vështirësohen. Në demokraci kjo bëhet veçanërisht më e vështirë për shkak se ka kufizime në lidhje me përballjen ndaj diktaturës. Ju e dini se kjo mund të trajtohet në mënyrë të ndryshme; por deri më tani ka qenë e trajtuar në mënyrë demokratike.

 “Vetëvendosja” duhet të transformohet nga lëvizja në parti politike

Zëri: Si e shihni Kosovën me ardhjen e “Vetëvendosjes” në pushtet?

Serwer: “Vetëvendosja” duhet të transformohet, të ndalojë të qenit një lëvizjeje siç e quan veten, të fillojë të bëhet një parti politike me ambicie serioze për të ardhur në pushtet. Tani duket se nuk i ka këto ambicie, duke pasur parasysh hedhjen e gazit lotsjellës në Parlament. Në qoftë se do të ketë ambicie serioze për të ardhur në pushtet, në mënyrë të qartë do të ndëshkohet nga votuesit për atë që ata janë duke bërë tani. Unë nuk e shoh demarkacionin e kufirit të Malit të Zi si një çështje parësore të tyre. Por ajo çka realisht po kundërshtohet është pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës, prandaj kjo pikëpamje po i vështirëson gjërat.

Unë do të preferoja më shumë që ata të fokusoheshin në çështjet e korrupsionit të cilat janë në disa aspekte më qenësore, më të rëndësishme dhe më revolucionare edhe sesa demarkacioni i kufirit. Por i takon pikërisht kosovarëve të merren me korrupsionin. I kam kaluar dhjetë vjet në Itali, atje janë ndërmarrë masa të ashpra antimafia, jo vetëm në Romë, por në të gjithë vendin. Përfundimisht këto masa energjike kanë qenë shumë të suksesshme kundër mafies me ndihmën e SHBA-së. Gjëja më e rëndësishme është guximi për ngritjen e padive nga prokurorët italianë që rrezikuan jetën e tyre në këtë luftë. Ju duhen prokurorë dhe gjykatës të guximshëm në Kosovë për ta luftuar këtë. Gjithashtu për mendimin tim ju duhet ndërhyrja evropiane për të bërë dy gjëra për ju: një është për të ndihmuar me inteligjencën, të cilën unë mendoj se ata mund ta bëjnë, dhe tjetra është për të ndihmuar me mbrojtjen e dëshmitarëve sepse ju nuk mund të mbroni dëshmitarët brenda Kosovës, pasi Kosova është një vend i vogël, të gjithë e njohin njëri-tjetrin. Dhe ne i kemi ndihmuar italianët në lidhje me mbrojtjen e dëshmitarëve. Por shikoni, korrupsioni është një problem në të gjithë Ballkanin, Kosova është në fundin më të keq të këtij spektri, por jo në mënyrë dramatike më e keq sesa vendet e tjera. Kosova ka nevojë të përmirësohet, ka nevojë për të përmirësuar mjedisin e biznesit. Kur kam lexuar raportet se çfarë thonë kosovarët për korrupsionin, ata thonë se ka të bëjë me nepotizmin. Nepotizmi edhe është gjithashtu një lloj kërkese në Kosovë, ju pritni që të merrni kushërinjtë në punë, pra kërkohet një ndryshim rrënjësor në mentalitet. Kur ndërkombëtarët flasin për korrupsionin, ata flasin më shumë për korrupsionin thelbësor, abuzimin e pushtetit publik për përfitime personale.

 Vetëm me votë mund t’i hiqni qafe të korruptuarit

Zëri: Në Kosovë kemi politikanë të nivelit të lartë të bërë në milionerë ndonëse zyrtarisht kanë nga një pagë rreth 1000 euro?

Serwer: Shihni, ne kemi këtë problem edhe në SHBA, por janë marrë masa dhe janë ngritur padi.

Zëri: Por në Kosovë nuk janë ngritur padi ndaj këtyre politikanëve, ata vazhdojnë të mbesin të fuqishëm në pushtet?

Serwer: Përsëris, ju keni nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë të guximshëm.

Zëri: A mendoni se duhet lënë hapësirë për brezin e ri në politikë, qoftë edhe brenda partive ekzistuese?

Serwer: Ju keni pak a shumë të njëjtit udhëheqës që pas luftës, jo tërësisht. Presidenti Rugova ka vdekur, disa nga udhëheqësit tuaj që mund t’i njoh janë mjaft të rinj dhe është në dorën tuaj për t’i larguar nga skena politike me anë të votës. Njerëzit më kanë thënë se ne duam për t’i hequr ata qafe, unë do të thosha që mënyra për t’i hequr qafe është të mos i votoni. Nëse doni t’i ndëshkoni ata për ndonjë gjë tjetër, për korrupsion apo për ato çfarë kanë bërë gjatë luftës, mos i votoni apo i dërgoni para drejtësisë.

Zëri: Kosova po vazhdon të mbetet vendi më i izoluar në Ballkan, BE-ja vazhdimisht nxjerr kritere të reja për t’i përmbushur?

Serwer: Mirë se vini në klub. Mendoj se ju e dini se klubi ynë ndryshon rregullat gjatë gjithë kohës dhe ka ankesa për këtë. Serbia ka të njëjtat ankesa për BE-në, ju e dini se janë ashpërsuar kushtet që nga pranimi i Rumanisë dhe i Bullgarisë në BE. E them prapë, ju duhet të përfundoni demarkacionin e kufirit. Është qesharake për mua të them se ata nuk duhet të kërkojnë demarkacionin e kufirit për shkak se shënimi i vijës kufitare duhet të bëhet. Dhe sinqerisht po të isha në Kosovë do të isha shumë i shqetësuar se BE-ja nuk do të ofrojë liberalizimin e vizave për shkak se ata janë shumë të preokupuar tani për emigrantët, kështu që unë nëse do të dëshiroja udhëtimin pa viza për në BE do të bëja çdo gjë në lidhje me përmbushjen e kushteve, do të thotë se është një klub me rregulla të përcaktuara për hyrje dhe u duhen përmbushur kushtet e parashtruara.