Mesazhi i BE-së: Demarkacionin ose zgjedhje të parakohshme

Aktuale November 16, 2016 - 07:46

Përfaqësuesit e partive politike, të cilët kanë qenë në takim me komisionarin për Zgjerim, Johannes Hahn, konfirmojnë se mesazhi i BE-së ka qenë mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nëse nuk kalon Demarkacioni. Por, Hahn ka thënë se për zgjedhje merren vesh partitë politike në Kosovë dhe jo në Bruksel. Opozita thotë se tani është momenti për zgjedhje të reja

Komisionari për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, u ka dhënë mesazhe të qarta liderëve politikë në vend për mundësinë që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Zëri” ka mësuar se në takimin e liderëve në fund të javës së kaluar Hahn ka thënë se partitë politike në vend mund të vendosin për të shkuar në zgjedhje nëse Qeveria nuk arrin të shtyjë përpara procese të rëndësishme.

Madje kjo konfirmohet edhe nga përfaqësuesit e subjekteve opozitare në vend, përderisa koalicioni qeverisës heziton të flasë për takimin e së premtes.

Ndërsa në konferencën për medie, Hahn nuk e ka fshehur habinë e tij se si një koalicion që ka dy të tretat e deputetëve në Kuvend nuk arrin ta ratifikojë Demarkacionin, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Lëvizja “Vetëvendosje” ka konfirmuar se komisionari Hahn ka përmendur zgjedhjet si opsion në takimin e liderëve. Sipas “Vetëvendosjes” po vërehet pafuqia dhe paaftësia e këtij koalicioni për ta udhëhequr vendin.

“Po, Johannes Hahn ka përmendur zgjedhjet edhe në takimin e liderëve. Mbase nga fakti që po vërehet tashmë qartë paaftësia dhe pafuqia e kësaj Qeverie për të vazhduar me udhëheqjen e vendit. Dhe ne konsiderojmë se ky është opsioni i vetëm në rrethanat që janë krijuar, ku ka ngecje në çdo aspekt dhe kërcënim të vazhdueshëm për integritetin dhe sovranitetin e vendit”, thuhet në përgjigjen e “Vetëvendosjes”.

Më tej, subjekti më i madh opozitar thotë se zgjedhjet janë mundësia e vetme për t'i dhënë fund një pushteti jolegjitim, një pushteti që, sipas “Vetëvendosjes”, e ka shkelur rendin kushtetues dhe t'i hapet rrugë një qeverisje legjitime.

“Sa më shumë që vonojnë zgjedhjet, aq më tepër do të kapen institucionet nga klani ‘Pronto’, do të rrezikohet edhe më tepër shtetësia, s'do të ketë zhvillim ekonomik dhe do të vazhdojmë të mbesim të izoluar në rrafshin ndërkombëtar”, thuhet në përgjigjen e “Vetëvendosjes”.

Kurse kryetari i Këshillit Kombëtar të “Nismës për Kosovën”, Jakup Krasniqi, i pyetur nëse Hahn i ka cilësuar zgjedhjet e parakohshme si opsion, ka thënë se pasi opozita ka argumentuar se në situatën e krijuar zgjedhjet janë zgjidhje, komisionari ka thënë se paritë politike vendosin për zgjedhje.
“Po, është thënë se vendimi për zgjedhje është i partive politike. Pasi kemi argumentuar se në situatën e krijuar zgjedhjet janë zgjidhje. Edhe gjendja brenda koalicionit është e tillë sa e konfirmoni se zgjedhjet janë afër. Vetëm zgjedhjet mund ta ndërpresin këtë krizë politike e institucionale”, ka thënë Krasniqi për gazetën “Zëri”.

Ndërsa anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka thënë se nuk mund të parashikojë nëse vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por, sipas tij, zgjedhjet janë pothuajse të domosdoshme. Nitaj ka thënë se edhe zyrtarët e PDK-së tashmë po kërkojnë zgjedhje. “Që kjo është e nevojshme, ose pothuaj e domosdoshme, kjo nuk ka asnjë dilemë. E pashë që eksponentë të caktuar të LDK-së akoma vazhdojnë ta fajësojnë opozitën që po kërkon zgjedhje të parakohshme, por çuditërisht ata nuk po merren fare me zyrtarë të PDK-së, që kanë filluar t’i kërkojnë zgjedhjet më fort sesa opozita”, ka theksuar Nitaj.

Ndryshe, edhe kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, javët e fundit ka thënë se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme nëse subjektet politike në vend merren vesh për një gjë të tillë.