Në QKUK s’ka as gjilpëra për injeksione
Familjarët të cilët kanë pacientë duke u mjekuar në QKUK nuk po mund ta përballojnë koston e ilaçeve që duhet t’i blejnë. QKUK-ja ka mungesa të ilaçeve dhe materialeve shpenzuese prej më elementareve, duke përfshirë edhe shiringat e gjilpërat
Me një qese përplot ilaçe Behar Rama është futur të hënën në korridorin që çon në Mjekimin Intensiv.
Pak çaste më parë ilaçet i kishte blerë hiç më pak se 19 euro për familjarin e tij që po mjekohet në Intensiven e QKUK-së.
Rama thotë se javën që shkoi të gjithë pa përjashtim kanë blerë shumicën e ilaçeve, pasi ato kanë munguar në QKUK.
“Një doktor këtu bile na tregoi një listë prej 19 llojeve të ilaçeve që mungojnë sepse i vinte keq që të gjitha po duhemi për t’i blerë vetë”, tregon familjari i pacientit, duke folur për njërën nga peripecitë me të cilën ballafaqohen gjatë tretmanit mjekësor.
Mjekimi në Intensivë, sipas tij, zakonisht merr kohë të gjatë dhe shumat e parave që shpenzohen për ilaçe janë të papërballueshme për një familje me gjendje të mesme sociale.
“E këtu ja paramendoni, nuk ka asgjë këtu”, thotë familjari i pacientit tek në telefonin e tij tregon një listë me emrat e 19 ilaçeve dhe 10 llojeve të domosdoshme të materialeve shpenzuese që mungojnë.
Intensivja e QKUK-së pa shiringa, dorëza, kanilla…
“Stafi nuk ka as dorëza, nuk ka shiringa, nuk ka sisteme të infuzionit, mungojnë kanillat, kateterat e nuk ka qe besa as gaza”, thotë ai, tek i referohet materialeve shpenzuese të domosdoshme për funksionim të Intensives, të cilat thotë se shpesh pacientët ua sigurojnë edhe stafit për hir të mbarëvajtjes së shëndetit të familjarëve.
Edhe drejtori i Mjekimit Intensiv Qendror, Nehat Baftiu, konfirmon se një listë prej 13 produktesh mjekësore u mungojnë. Derisa thotë se kanë edhe mungesë bazike të materialeve shpenzuese.
“Janë 13 lloje të ilaçeve që të hënën janë evidentuar se mungojnë, derisa 6 lloje na i kanë sjellë”, ka thënë drejtori Nehat Baftiu.
Ai ka konfirmuar se është e vërtetë që janë 10 lloje të materialeve shpenzuese, duke përfshirë edhe pampersat për pacientët që mungojnë.
Situatë aspak e mirë nuk është as në Qendrën Emergjente. Aty konfirmohet se i posedojnë ilaçet e domosdoshme dhe jetëshpëtuese.
Por, drejtori Basri Lenjani thotë se kanë edhe mungesa të ilaçeve që gjithsesi janë të nevojshme për mbarëvajtjen e punëve.
“Klinika Emergjente disponon me ilaçet jetëshpëtuese, por mungojnë disa barna të rendit të dytë dhe të tretë nga lista esenciale e që janë të nevojshme. Megjithatë për këto që mungojnë ka mundësi për t’u bërë zgjidhje alternative”, ka thënë Lenjani.
MSH-ja gjen ngushëllim tek buxheti, pacientët i blejnë vetë ilaçet
Ai është shprehur se pavarësisht kësaj po u dalin në ndihmë qytetarëve me aq mundësi sa kanë.
“Por kërkojmë që lista esenciale të plotësohet”, ka thënë Lenjani, sipas të cilit kriter kyç për funksionimin e Emergjencës është furnizimi 100 për qind me ilaçe esenciale, si dhe funksionimi i aparaturave.
Për mungesat në furnizim me ilaçe tashmë flasin edhe zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Furnizimi me barna dhe materialë shpenzues për muajin tetor ka pasur një rënie për arsyet tashmë të njohura - buxheti i pamjaftueshëm, si dhe mungesë e urdhërblerjeve, mirëpo nga fundi i muajit tetor ka përmirësime në furnizim”, kanë thënë në një përgjigje me shkrim zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë.
Sipas tyre, Ministria e Shëndetësisë me buxhetin në dispozicion ka arritur që nevojat elementare, të përcaktuara nga SHSKUK-ja t'i mbulojë.
“Dhe se është normale që me mjetet në dispozicion të buxhetit të ndarë për barna të ketë edhe mungesa, sidomos nëse buxheti i Kosovës për shëndetësi dhe në mënyrë specifike për barna krahasohet me atë të vendeve fqinje, të cilat kanë buxhet për barna shumëfish më të lartë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.