Zgjedhjet, të pashmangshme

Aktuale November 15, 2016 - 07:55

Opozita vazhdon të kërkojë me ngulm zgjedhje të parakohshme. Sipas tyre, tanimë ka shumë arsye pse duhet t’u drejtohemi kutive të votimit.

Opozitarët vlerësojnë se mjafton dështimi i Demarkacionit dhe Asociacionit që kjo Qeveri të bjerë dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
Shefi i grupit parlamentar të “Lëvizjes Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka thënë se sa më shpejt që t’iu hapet rrugë zgjedhjeve të reja, do të ishte më mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Dështimi i Demarkacionit edhe brenda mazhorancës ka zëra kritik, ka zëra kundër që thonë se Demarkacioni është bërë në mënyrë të gabueshme, pa kujdesin e duhur dhe se Kosova po humb në këtë proces. Atëherë, këto dy procese janë të mjaftueshme që të shkohet në zgjedhje. Aq më shumë tash që ka edhe probleme shtesë”, ka theksuar Konjufca, duke e quajtur pushtetin aktual edhe si vdekjeprurës, pas vdekjes së aktivistit të “Vetëvendosjes” Astrit Dehari në burgun e Prizrenit.

“Djemtë më të mirë të Kosovës, të burgosurit politik, kanë filluar edhe të vdesin dhe ta humbin jetën nëpër burgje të Kosovës. Kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nuk kemi llogari më ta mbajmë këtë Qeveri, e cila po del të jetë edhe vdekjeprurëse për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Të domosdoshme zgjedhjet e parakohshme janë edhe për “Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”.

Sipas shefit të grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, sa më parë që të shkohet në zgjedhje aq më mirë, pasi nuk ka funksionim të mirëfilltë të asnjë institucioni.

“Edhe pse i kanë numrat kushtetues, nuk ka funksionim të sistemit apo nuk ka funksionim të institucionit. Është për të ardhur keq në çfarë gjendje kemi rënë. Prandaj mund të them lirshëm, që sa më parë që shkohet në zgjedhje, aq më mirë është për qytetarët e Kosovës. Sepse me këtë Qeveri tashmë janë ngopur qytetarët e Kosovës”, ka thënë Lekaj.

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë kundërshtuar as nga zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Është edhe ky një fakt të cilin opozita e sheh si përparësi që të shkohet në zgjedhje.

“Asnjë zyrtar ndërkombëtar nuk është kundër zgjedhjeve, siç ka qenë para 4 apo 5 muajve. Çdo zyrtar ndërkombëtar dhe ambasadat shihini dhe analizojini me kujdes deklaratat e tyre edhe deklaratën e fundit të ambasadorit të Britanisë së Madhe, e cila thotë se nëse nuk pajtohen subjektet politike për tema nacionale, duhet të shkohet në zgjedhje, nuk ka kurrfarë problemi në këtë drejtim”, ka thënë Konjufca, sipas të cilit para një viti nuk ka pasur deklarata të tilla të zyrtarëve ndërkombëtarë.