Buja, mision prishjen e koalicionit

Aktuale November 14, 2016 - 08:12

Janë shtuar zërat brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që po kërkojnë prishjen e koalicionit qeverisës me LDK-në e Isa Mustafës.

Pas përmendjes së zgjedhjeve të parakohshme nga vetë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, është deputeti i kësaj partie Shukri Buja ai i cili ka dalë haptas për prishjen e koalicionit, siç e kanë quajtur, të elefantëve.

Ai ka thënë se do të lobojë si deputet dhe anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së që të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Realisht unë individualisht si anëtar i Këshillit Drejtues të partisë dhe deputet, do të insistoj dhe do të loboj në mesin e deputetëve që ky koalicion të prishet dhe ne të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Buja.

Por, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po i merr seriozisht thirrjet e deputetëve të PDK-së për prishje të koalicionit qeverisës.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri ka thënë për gazetën “Zëri” se koalicioni mes PDK-së e LDK-së është ndërtuar mbi bazën e programeve dhe përderisa nuk preket kjo, nuk ka arsye të prishet.

“Ne kemi një koalicion programor i cili është ndërtuar në shtylla programore dhe të zhvillimit të vendit dhe përderisa nuk lëndohen këto parime ne nuk shohim asnjë arsye që të merremi as me deklarata e as me çështje që lidhen me zgjedhje të parakohshme. Përkundrazi, jemi duke punuar në reformën zgjedhore. Reforma zgjedhore në baza kryesore që krijon mundësi për zgjedhje”, ka theksuar Haziri, duke ia kujtuar deputetit Buja, se koalicionin qeverisës PDK-LDK nuk e kanë bërë deputetët, por krerët e tyre, të cilët edhe mund ta prishin.

“Nuk e kanë bërë koalicionin deputetët, por e kanë bërë dy udhëheqësit e dy partive politike dhe ata kanë përgjegjësi edhe vlerësimin për vazhdim dhe vlerësimin për shkëputje eventuale. Deri tash asgjë në këtë drejtim nuk ka, përveç parimisht marrëveshjes për të vazhduar reformën zgjedhore”, ka thënë numri dy i LDK-së. Haziri ka deklaruar se janë të gatshëm dhe nuk frikësohen në qoftë se vendoset për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. “LDK nuk udhëhiqet nga parimi i frikës, por nga parimi programor, kështu që për ne programi është baza kryesore e punës në Qeveri...partitë politike, atë ditë që mbyllen zgjedhjet, fillojnë përgatitjet për zgjedhjet e reja, është “non sens” t’i pyesësh partitë a jeni gati për zgjedhje”, ka thënë Haziri.

Ndërkohë, analistët, shtimin e zërave për dalje nga koalicioni me LDK-në e shohin si rezultat të dhënies së dritës së gjelbër nga vet kryetari i PDK-së Kadri Veseli.

Analisti politik Blerim Burjani ka thënë se Veseli nuk po mund të qeverisë bashkë me LDK-në e cila po duket energjike në qeverisje.

“Zërat po vijnë duke u shtuar nga zyrtarë të ndryshëm të PDK-së me kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Edhe Veseli i ka dhënë sinjalet se me “zor” nuk mund të funksionojë koalicioni, përderisa LDK-ja duket energjike në qeverisje dhe udhëheqje të Qeverisë duke propozuar pakon dy të reformës fiskale që sipas tyre do të hyjë në fuqi vitin tjetër”, ka theksuar Burjani, duke shtuar se është e vështirë të realizohen këto nga ky koalicion, sipas të cilit, zor që mund ta çojë bashkëpunimin deri në mars të vitit 2017-të.

“Nuk dihet se a do të mund të vazhdojë ky koalicion më shumë se marsin e vitit të ardhshëm, e me së largu në qershor do të mund të ndodhnin zgjedhjet parlamentare”, ka deklaruar ai.

Edhe pse ende nuk ka asgjë konkrete nga dy liderët e partive me të mëdha në koalicion, PDK-së e LDK-së, mbajtjen eventuale të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, një proces të tillë do ta mbështeste edhe Bashkimi Evropian në Kosovë.

Këtë e ka konfirmuar shefja e BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova javën që shkoj në një intervistë për gazetën “Zëri”.