Veteranët: FMN-ja ta ndëshkojë Qeverinë për fryrje të listave!

Aktuale November 13, 2016 - 07:54

Buxheti për pagesën pensioneve për ish-luftëtarët nuk e kalon vlerën e 60 milionë eurove, siç është paraparë dhe vitin e kaluar, por numri i veteranëve i rritur sivjet, e tejkalon këtë vlerë, e që bie ndesh me kërkesën e FMN-së  

Këshilli për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së e ka fajësuar Qeverinë për tejkalim të numrit të veteranëve dhe invalidëve të luftës. Ky Këshill ka thënë se çdo “ndëshkim” për këtë çështje duhet të bie mbi Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tyre nuk ka ndaluar dhe as pastruar listat e veteranëve, nga njerëz që nuk kanë qenë në luftë.

Një delegacion i FMN-së është takuar të enjten me kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, ku pas takimit, përmes një komunikate për medie është thënë se Kosova mbetet brenda programit me FMN-në, si kusht që vitin e ardhshëm të mos tejkalohet masa e mjeteve për veteranë dhe invalidë të luftës.

“Misioni vlerësoi hapat që koalicioni qeveritar ka ndërmarrë gjatë propozimit të Ligjit për Buxhetin për vitin 2017-të, sipas qëndrimeve të harmonizuara, por si kusht që Kosova të mbetet brenda programit me FMN-në, kërkoi që të adresohen konkretisht masat dhe instrumentet që do të siguronin që vitin e ardhshëm të mos tejkalohet masa e mjeteve për veteranë dhe invalidë të luftës dhe rregullimi i tyre me ligj, para fillimit të implementimit të Ligjit për Buxhetin”, citohet në komunikatë deklarata e FMN-së.

Rreziku i paqëndrueshmërisë buxhetore, si pasojë e numrit të veteranëve të luftës, është ndër vërejtjet kryesore edhe në Raport të Progresit. Xhevdet Qeriqi, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së ka thënë se buxheti për pagesën e ish-luftëtarëve nuk kalon vlerën e 60 milionë eurove, siç është paraparë edhe vitin e kaluar, por numri i veteranëve i rritur sivjet, sipas tij tejkalon këtë vlerë.

Ai ka thënë se çdo tejkalim i kësaj shifre kalon në përgjegjësi të Qeverisë. Sipas tij, numri i veteranëve është rritur ndjeshëm nga Komisioni Qeveritar që e ka formuar vetë Qeveria, dhe për çdo tejkalim të buxhetit, Qeriqi thotë se faji i takon Qeverisë që ka lejuar të futen në lista njerëz që nuk kanë luftuar.

“Listat janë fryrë dhe ne për këtë kemi protestuar dhe kërkuar nga Qeveria që të pastrohen listat, madje kemi dhënë rekomandime si të bëhet pastrimi i listave”, thotë Qeriqi.

Ai thekson se në lista janë futur dhe “shokë” të atyre që kanë pasur fuqi ta bëjnë këtë dhe kompetenca te Komisioni.

“Prandaj, edhe nëse ky buxhet tejkalohet që nuk dyshojmë se do të ndodhë, kjo pasi që sipas burimeve tona llogaritet se numri i veteranëve ka arritur diku rreth 50 mijë veta. Qeveria asnjëherë nuk ka dalë dhe nuk del me numër të saktë të veteranëve, asnjë listë nuk po publikohet nga Qeveria”, ka thënë ai, duke kërkuar që të formohet një komision i pavarur që të verifikojë listat apo të bëhet një auditim i tyre.

“Ne nuk do të tolerojmë që të bëhemi viktimë e çfarëdo forme që Qeveria mund të kërkojë për të mos u tejkaluar buxheti, sepse është vetë Qeveria ajo që me Komisionin e saj që ka lejuar të fryhen listat, madje me persona që nuk kanë qenë fare në luftë”. Ai ka thënë se në bazë të disa burimeve brenda Qeverisë ka marrë vesh se edhe 5- 6 mijë veteranë dhe invalidë ende nuk kanë hyrë në sistem të pensioneve. “Njoh disa raste të veteranëve që jetojnë në gjendje ekstrem të rëndë ekonomike edhe ata ende nuk po arrijnë ta gëzojnë pensionin shkaku i mbylljes së zyrës në Qeveri, ku duhet të pajisen me dokumente për aplikim në pension. Në gjendje shumë të rëndë janë veteranët të cilëve iu është pranuar ankesa, por që ende nuk kanë marrë dhe as nuk janë duke marrë pensionin e veteranit”, thotë Qeriqi për “Zërin”.  

Në një nga deklaratat e mëhershme të FMN-së buxhet i theksuar për kategorinë e veteranëve dhe invalidëve të luftës është paraparë 60 milionë euro, derisa shpenzimet mund të shkojnë deri në 100 milionë. Ndërsa buxheti për vitin 2016-të është ndarë 60 milionë euro.