Të gjithë për zgjedhje të parakohshme, edhe BE-ja

Aktuale November 12, 2016 - 08:05

Të gjitha partitë politike në Kosovë apriori janë pajtuar për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Madje edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian mbështesin subjektet politike për zgjedhje të reja nëse konsiderohen se janë të arsyeshme.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka bërë të ditur se BE-ja do të mbështesë çdo proces demokratik në Kosovë, duke përfshirë edhe zgjedhjet. Deklarata e Apostolovas është mirëpritur nga subjektet opozitare, të cilat shpresojnë se zgjedhjet janë afër. Ndërsa partitë në koalicion preferojnë verën e vitit të kaluar për zgjedhjet në të dy nivelet, lokale dhe parlamentare.

Në anën tjetër njohësit e çështjeve politike janë të mendimit se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nuk ka alternativë.

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë , Natalya Apostolova, ka bërë të ditur se do të mbështesë çfarëdo zgjidhje që mund të vijë nga Kosova.

“Unë vetëm dua të them se Bashkimi Evropian do të mbështesë çdo proces demokratik. Zgjedhjet janë një mënyrë natyrisht, por unë do të isha jashtëzakonisht e kujdesshme për të mbështetur ide për zgjedhje në një moment kur nuk shihni rrugë të qartë para vetes”, ka deklaruar ajo.

Edhe komisionari Johannes Hahn, duket se ka mbështetur idenë e shkuarjes në zgjedhje. Edhe pse zyrtarisht ai nuk i sheh zgjedhjet si opsion, jo zyrtarisht besohet se iu ka thënë liderëve të koalicionit, se nëse nuk janë në gjendje ta ratifikojnë një marrëveshje, atëherë duhet ta rikërkojnë besimin e popullit. 

Analisti politik, Imer Mushkolaj, vlerëson se partitë politike kanë nisur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme, të cilat nuk kanë alternativë tjetër për rregullimin e kaosit politik në vend.

“Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme për ta zhbllokuar situatën politike. Natyrisht, nëse krerët partiakë merren vesh, atëherë BE-ja do të përkrahë vendimin e tyre. Tashmë duket se të gjithë janë të vetëdijshëm se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme nuk ka alternativë, andaj secila parti politike në një mënyrë a tjetër ka nisur fushatën zgjedhore”, ka deklaruar Salihaj. Ai konsideron se sa më shpejt që krerët e partive të merren vesh për zgjedhje, aq më mirë do jetë për pengimin e zvarritjes së proceseve të rëndësishme.

Salihaj: PDK-ja, zgjedhje para se të fillojnë arrestimet

Në anën tjetër në Lidhjen Demokratike të Kosovës, subjekt i cili është partner në koalicionin qeverisës, deklarojnë se ajo që po ngutet të mbajë zgjedhje është Partia Demokratike e Kosovës. Deputeti i këtij subjekti, Adem Salihaj vlerëson se PDK-ja po shpejton që të mbajë zgjedhje para se të fillojnë arrestimet për anëtarët e saj.

“Siç dihet numri më i madh i të arrestuarve do të jenë nga kjo parti politike. Pra PDK-ja po shpejton që të mbahen zgjedhjet para se të mbetet pa lidership, sepse një situatë e tillë do ta defaktorizonte shumë këtë parti politike”, ka thënë Salihaj. Ai ndër të tjera mendon se edhe qasja e opozitës shkon në favor të krimit të organizuar dhe të PDK-së.

“Sipas mendim tim, zgjedhjet është më mirë të mbahen kah qershori apo shtatori i vitit të ardhshëm, së bashku edhe me zgjedhjet lokale sepse deri atëherë do të qartësohen shumë gjëra dhe skena politike e Kosovës mund të jetë më e pastër dhe atmosfera për zgjedhje shumë më e mirë”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë sipas Salihajt, zgjedhjet në Kosovë asnjëherë nuk kanë qenë zgjidhje e problemeve sidomos kur ato i ka kërkuar PDK-ja. “Aq më pak kur zgjedhjet i kërkon PDK-ja sepse kjo parti e bën këtë vetëm për t’i mbrojtur interesat e saj dhe jo interesat e Kosovës”, ka përfunduar Salihaj.

Koalicioni udhëheqës nuk duhet të fshihet pas ndërkombëtarëve

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka përshtypjen  se gjithnjë e më shumë po kuptohet nevoja për të shkuar në zgjedhje.

“Tashmë kjo po vërehet edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Mjafton ta lexoni Raportin e Progresit dhe e shihni sa të domosdoshme janë zgjedhjet. Vendi po vendnumëron. Unë jam i bindur se tashmë edhe partnerët e koalicionit e kanë parë se zgjedhjet janë një mundësi e mirë për të nisur një fazë të re, të domosdoshme edhe në qeverisje edhe në adresimin e temave që e kanë bllokuar vendin”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë Nitaj ka potencuar se zgjedhjet kanë qenë kërkesë e AAK-së tash e një vit. Ai është i bindur se zgjedhjet janë mundësi që do ta nxjerrin vendin prej krize.

Në anën tjetër në partinë opozitare, “Nisma për Kosovën”, deklarojnë se koalicioni në qeverisje e ka fundosur shpresën për një jetë më të mirë në Kosovë.

Deputeti i kësaj partie, Zafir Berisha, vlerëson se partnerët në udhëheqje nuk duhet të fshihen më pas faktorit ndërkombëtar.

“Besoj se edhe znj. Apostolova e ka kuptuar që ky koalicion e ka fundosur shpresën për një jetë më të mirë në Kosovë dhe kjo që e ka thënë është në frymën e asaj se partnerët e koalicionit nevojiten për zgjedhje të parakohshme, të mos e fshihen pas faktorit ndërkombëtar”, ka potencuar Berisha. Sipas tij, zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për të dalë nga kriza e rëndë në të cilën koalicioni PDK-LDK e ka futur vendin.

 Zgjedhjet shihen si mundësi e ardhjes në pushtet

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani, ka konstatuar se subjektet politike në pozitë dhe opozitë zgjedhjet i shohin si mundësi për të ardhur në pushtet.

“Së pari këto parti nuk e respektojnë votën e qytetarit për të punuar për agjendë të mirëqenies sociale, ekonomike, etj. Por këto parti pozitë dhe opozitë zgjedhjet i shohin si mundësi për të ardhur në pushtet dhe për t’i zgjidhur problemet familjare, grupore dhe partiake, kjo ka bërë që qytetari të mos merret me këtë skenë politike, anarkike përfituese”, ka thënë Burjani, sipas të cilit zgjedhjet nuk janë alternativë për qytetarin, por janë alternativë e partive për të riformuluar koalicione të ardhshme.

“BE-ja e ka shumë të qartë gjendjen në Kosovë, krizat artificiale dhe luftën për pushtet që po ndodh. BE-ja nuk ka prononcim për zgjedhje të parakohshme, ajo është pasive në këtë temë sepse është çështje vendore. Këto zgjedhje eventuale janë humbje kohe dhe pa interes për qytetarët siç është liberalizimi i vizave”, ka përfunduar Burjani.