Dëmet e luftës 'tejkalojnë' fuqinë e gjykatave kosovare

Aktuale November 11, 2016 - 08:27

Ndonëse jemi në përfundim të dekadës së dytë qëkur ka përfunduar lufta në Kosovë, plagët e kësaj lufte akoma vazhdojnë të jenë të hapura. Krimet e bëra nga Serbia kanë qenë të shumta, përveç humbjeve të mëdha në njerëz, qytetarët e Kosovës kanë pësuar edhe dëme të shumta materiale. Ndërkaq, viktimat e këtyre dëmeve që nga përfundimi i luftës janë duke u orvatur sa një njërën e sa në tjetrën gjykatë të vendit për t’i dorëzuar paditë e tyre ndaj qytetarëve dhe shtetit serb, duke kërkuar kompensim e dëmeve të cilat atyre u janë shkaktuar. Mirëpo, të gjitha paditë e dorëzuara në gjykatat e vendit nuk po shqyrtohen, kjo për arsye se në bazë të disa vendimeve, të cilat i ka siguruar gazeta, gjykatat në Kosovë nuk janë kompetente për të vendosur për kompensimin e dëmeve të luftës.

Jahir Bejta, kryetar i shoqatës “Ngritja e zërit”, i ka thënë gazetës se në të gjitha instancat gjyqësore në Kosovë janë dorëzuar mbi 1 mijë padi të cilat kërkojnë rimbursim të dëmeve të shkaktuara gjatë luftës nga njësitë militare dhe paramilitare të Serbisë. Sipas Bejtës, gjykatat themelore duke u thirre në jokompetencën territoriale të vet, pa shqyrtim hedhin kërkesat lëndore të paditësve, ndërkaq Gjykata e Apelit i refuzon ankesat e paditësve dhe vërteton aktvendimet e gjykatave themelore.

Ai ka shtuar se edhe Gjykata Supreme e Kosovës e trajton si të palejueshëm revizionin e paditësve me konstatimin, juridikisht të paqëndruar si dhe të pabazë se kinse aktvendimet e atakuar nuk janë të plotfuqishme në trajtimin juridik e material të çështjeve lëndore.

Gjykatat të merren me dëmet e luftës

“Rrjedhimisht del se gjykatat themelore të Kosovës sikurse edhe Gjykata Supreme e Kosovës me aktvendimet e veta e kanë interpretuar gabimisht ligjin e aplikuar...Gjykata territorialisht është kompetente për gjykime të çështjeve juridike, kurdoherë që është kryer krimi, dëmtimi moral, përkatësisht material”, konsideron Bejta.

Duke u shprehur me mllef për mosgatishmërinë e gjykatave për të vendosur për paditë për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga Serbia në Kosovë gjatë luftës, Bejta ka sqaruar se Serbia ka ushtruar mbi 100 mijë padi individuale për kompensimin e dëmeve të luftës, ndërsa Kosova asnjë.

“Nuk po na lejohet, se ne do t’i ushtronim mbi 200 mijë padi sepse dihet tashmë për dëmet e mëdha gjatë luftës në Kosovë të shkaktuara nga forcat e uniformuara të Serbisë, djegie e shtëpive, vrasje e civilëve, përdhunimi i femrave, janë mbi 20 mijë femra që janë dhunuar, dëbimit me dhunë nga shtëpitë dhe pronat e tyre”, ka thënë Bejta.

Ndërsa, ato të cilat u kanë drejtuar këto padi kanë thënë se nuk është në kompetencë që t’i zgjidhin këto lëndë.

Përfaqësuesit e Gjykatës Themelore, që është instanca e parë gjyqësore në vend, kanë bërë të ditur se paditë që janë parashtruar në këtë instancë gjyqësore për dëmet materiale të shkaktuara gjatë luftës në Kosovë janë hedhur poshtë. Në vendimet e tyre thuhet se ato nuk janë kompetente për të vendosur për këtë çështje, duke i rekomanduar që këto padi t’i parashtrojnë tek shteti, i cili e ka shkaktuar dëmin.

Në anën tjetër, edhe Gjykata e Apelit, si shkallë e dytë, i ka hedhur poshtë ankesat e këtyre natyrave të cilat kanë shkuar në drejtim të tyre.

Arbër Jashi, zëdhënës i kësaj Gjykate, ka thënë se të gjitha këto ankesa janë “refuzuar si të pabazuara”. 

 Hasani: I paditur nuk mund të jenë shtetet e huaja

“Që nga themelimi i saj më 01.01.2013 e deri më tani kemi pranuar rreth 350 lëndë, ku e paditur është Republika e Serbisë. Gjykata e Apelit i ka shqyrtuar në masë të madhe këto ankesa, me ç’rast ka vendosur në rreth 300 prej tyre. Në të gjitha këto raste ankesa ‘është refuzuar si e pabazuar’. Gjykata e Apelit është gjykatë e shkallës se dytë dhe vendos vetëm në ato çështje të cilat vijnë sipas ankesës, kundër vendimeve të shkallës së parë, respektivisht gjykatave themelore”, ka thënë Jashari.

Në një vendim të Gjykatës së Apelit, të cilën e ka siguruar gazeta, qytetari H. A, nga komuna e Skenderajt, ka ushtruar padi ndaj një qytetari të Serbisë për kompensim të dëmeve të luftës. Mirëpo këtë padi e ka refuzuar kjo Gjykatë me arsyetimin se vendimi i shkallës së parë ka qenë vendim i drejtë.

“Refuzohet si e pabazuar ankesa e paditësit, gjersa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Dega në Skenderaj, nga shkresat e lëndës rezulton se paditësi më dt. 02 maj 2014, ka parashtruar padi kundër të paditurës, për kompensimin e dëmit e luftës të shkaktuar atij, nga forcat ushtarako-policore serbe në vitin 1998-99. Gjykata e shkallës së parë me zbatimin e Nenit 18.1, 39 dhe Nenit 387 të LPK-së e hedh poshtë si të palejuar padinë e paditësit për kompensim dëmi për shkak të jokompetencës siç rezulton nga arsyetimi i aktvendimit të atakuar”, bëhet e ditur në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Ndërsa, sipas kryetarit të Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasanit, paditës ose i paditur nuk mund të jenë shtetet e huaja.

“Gjykatat vendore të Kosovës kanë kompetencë të vendosin për çështje penale dhe civile në relacion me secilin, pavarësisht shtetësinë e kujt e ka personi ndaj të cilit duhet aplikuar ligjet e Kosovës e që do të thotë edhe për kompensimet e dëmeve që i janë shkaktuar kujtdo qoftë në Kosovë (kur palë paraqiten personat fizikë apo juridikë, vendorë apo i huaj), mirëpo palë (paditës apo i paditur) në Gjykatat e Kosovës nuk mund të jenë shtetet tjera, kjo çështje është e rregulluar me të Drejtën Ndërkombëtare”, ka thënë Hasani.