Zemaj për rastin Dehari: Përgjegjësia është institucionale, politika të largohet nga hetimet dhe drejtësia

Aktuale November 10, 2016 - 19:36

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se përgjegjësia për rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, është institucionale.

“Humbja e jetës së një të riu në lë hije të keqe, sidomos kur ajo ndodh në një institucion korrektues. Obligim yni është sundimi i ligjit në të gjitha instancat. Vitin e kaluar kemi vizituar disa nga qendrat korrektuese, nga të cilat kemi nxjerr rekomandime për Qeverinë e Kosovës dhe Ministrinë e Drejtësisë. Nuk mund të them që fajtor për këtë rast është shteti, por njerëzit që drejtojnë institucione të caktuara”, ka thënë ai. “Me keqardhje e them se deklaratat e para pas rastit kanë qenë joprofesionale, qoftë nga Policia, qoftë nga Prokuroria. Kërkesa e familjes për të pasur ekspertizë të jashtme tregon se njerëzit më nuk u besojnë institucioneve tona. Përgjegjësia në këtë rast është institucionale. Politika duhet t’i largojë duart nga hetimet dhe drejtësia”.