‘Çdo vonesë në zbardhjen e rastit të Astrit Deharit forcon idenë se Kosova po bëhet vend i pajetueshëm’

Aktuale November 10, 2016 - 19:20

Sot janë bërë gjashtë ditë nga vdekja e dyshimtë e aktivistit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Astrit Dehari.

Vdekja e Astrit Deharit gjashtë ditë më parë në Burgun e Prizrenit vazhdon të mbetet temë kryesore në vend. Ndërkaq, sqarimi i vdekjes së tij vazhdon të jetë sfidë për institucionet relevante, të cilat po merren me rastin.

Analistë dhe njohës të çështjes së sigurisë në Kosovë mendojnë se institucionet e Kosovës duhet të dalin me një version zyrtar, të tregohen seriozë dhe të besueshëm. Sipas tyre, institucionet e Kosovës duhet ta trajtojnë këtë rast si çështje të sigurisë kombëtare.

Analisti politik, Halil Matoshi, ka thënë për “zeri.info” se mosdalja e shtetit me versionin e vet zyrtar krijon hapësirë për spekulime dhe e zbeh besimin në institucione.

“Shteti kësaj here ose duhet të tregohet serioz dhe i besueshëm në versionin e vet, ose nuk do të ketë më qytetarë që i beson këtij sistemi”, ka thënë Matoshi.

Sipas tij, vetë shteti po e rrezikon sistemin me neglizhencë, deklarata kontradiktore të zyrtarëve.

Matoshi mendon se deklaratat e zyrtarit policor, Nexhmi Krasniqi, dhe të zëvendëskryeministrit (ish-ministër Drejtësie, Hajredin Kuqi) po e fundosin idenë e funksionimit të shtetit në tërësi dhe jo vetëm sistemit të drejtësisë.

“Çdo vonesë në zbardhjen e këtij rasti e dëmton rëndë imazhin e shtetit dhe e forcon idenë se Kosova po bëhet vend i pajetueshëm që nuk prodhon siguri për qytetarët, të cilët paguajnë me taksën e tyre aparatin e shtetit që t'ua mbrojë jetën, liritë dhe të drejtat e tyre”, tha Matoshi.

Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet ta trajtojnë këtë rast si çështje të sigurisë kombëtare. Sipas tij, nuk duhet bërë presion për shpejtësinë sa duhet kërkuar transparencë e plotë.

“Besoj që mbi të gjitha institucionet e Kosovës duhet ta trajtojnë këtë rast si çështje të sigurisë kombëtare. Si të tillë, t'i orientojnë të gjitha kapacitetet për ta zbardhur rastin në shpejtësi dhe transparencë të plotë. Nuk duhet bërë presion për shpejtësinë sa duhet kërkuar transparencë e plotë”, tha Ramadani për “zeri.info”.

Ramadani ka thënë se epilogu i rastit, cilido që të jetë, duhet patjetër të jetë i besueshëm për publikun, duke përfshirë këtu edhe familjen Dehari.

“Kjo transparencë kërkoj qasje më të thellë, gjithëpërfshirëse dhe të besueshme. Dorëheqjet e përgjegjësve menaxherial dhe institucional kontribuojnë në transparencë dhe besueshmëri të procesit”, tha Ramadani.

Ndryshe, Dehari kishte ndërruar jetë në qendrën e paraburgimit në Prizren, ku edhe po mbahej si i paraburgosur nën dyshimin se kishte marrë pjesë në organizimin dhe ekzekutimin e sulmit ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës më 4 gusht të këtij viti.