Apostolova: Nëse vendoset për zgjedhje, do t’ju mbështesim (VIDEO)
Nëse zgjedhjet e parakohshme janë vullneti dhe dëshira e popullit, atëherë natyrisht që edhe ne do t’i mbështesim ato që vijnë nga vetë Kosova.
Kështu ka thënë në një intervistë të përbashkët dhënë gazetës “Zëri” dhe televizionit publik RTK, shefja e BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova.
Sipas saj, Bashkimi Evropian do të mbështeste çdo proces demokratik, mirëpo ka bërë thirrje për kujdes rreth kësaj ideje për shkak se rruga nuk është e qartë momentalisht.
Shefja e BE-së më pas ka folur edhe rreth Raportit të fundit të Progresit, të cilin ka publikuar Komisioni Evropian.
Apostolova ka ftuar deputetët e Listës Serbe që t’i rikthehen punës në Kuvend pasi ajo është mënyra e vetme për të kontribuuar edhe për çështjet me rëndësi për ta.
Sot (dje), keni publikuar Raportin e Progresit për Kosovën. Çfarë mund të themi në këtë fazë për këtë raport, cili është aspekti pozitiv i këtij Raporti dhe çfarë ka mbetur për t’u bërë?
Apostolova: Faleminderit për këtë pyetje dhe faleminderit që më dhatë mundësinë që të komentoj për këtë Raport të rëndësishëm për Bashkimin Evropian edhe për Kosovën. Sot siç e patë, bashkë me disa prej jush, ne patëm një transmetim direkt të komisionarit Hahn, i cili ka paraqitur pakon e zgjerimit, pjesë esenciale e të cilit është edhe Kosova. Siç u theksua tashmë, këto raporte vlerësojnë progresin e bërë nga një vend gjatë gjithë vitit, d.m.th. gjatë vitit 2016. Prandaj nëse do të më duhet të karakterizoj Raportin me një fjalë të vetme, unë do të thosha se ai paraqet një pasqyrë reale. Kuvendi i këtij vendi s’ka funksionuar për një kohë bukur të gjatë, ka pasur kundërthënie, antagonizma të fuqishme në mes të Qeverisë dhe partive opozitare, nuk ka pasur mjete demokratike të opozitës që të shprehë mospajtimin e saj me propozimet e Qeverisë, ata kanë hedhur edhe gaz lotsjellës. Ka pasur disa çështje, siç ka qenë për shembull procedurat e përshpejtuara të Kuvendit, të cilat nuk janë mënyrë demokratike e të funksionuari të një Kuvendi demokratik.
Ky Raport vë theksin mbi këto probleme, por në të njëjtën kohë u bën thirrje të gjithë partnerëve politikë, të gjithë udhëheqësve politikë, të gjithë politikanëve që të tejkalojnë këtë krizë, të punojnë në Kuvend dhe të gjejnë një urë për ta tejkaluar këtë krizë. Një prej kushteve apo shkaqeve të krizës është Demarkacioni, që është shumë me rëndësi për ju, për qytetarët e Kosovës dhe kjo është shumë e rëndësishme në procesin e liberalizimit të vizave. Në anën tjetër, Raporti e përgëzon Kosovën për progresin e mirë të arritur në reformën gjyqësore, në sundimin e ligjit, në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe këtu vërtet dua të përgëzoj pavarësinë e institucioneve gjyqësore dhe punën e Ministrisë së Drejtësisë sepse ata kanë arritur një hap të madh, do të thosha substancial dhe tani shohim rezultatet e këtij progresi substancial. Sa i përket aspektit ekonomik, unë do të thosha se Raporti thekson se nuk është bërë aq shumë gjatë këtij viti sepse, fatkeqësisht prodhimi në Kosovë ende mbetet jokonkurrues në arenën ndërkombëtare. Klima e të bërit biznes akoma nuk është energjizuar.
Natyrisht ka përmirësime në Ligjin për Prokurim dhe kornizën legjislative në këtë aspekt, por pak mbeten për t’u bërë përpjeke. Nëse do të më duhej të përmbledhja, Raporti paraqet një pasqyrë të përzier, por sidoqoftë ka progres në gjyqësor, në sundimin e ligjit, në luftimin e korrupsionit dhe duhet të them se kjo është me rëndësi për të përmbushur kushtin e dytë për liberalizimin e vizave, që janë të arritura të mira në këtë fushë.
Derisa Demarkacioni ka mbetur një çështje ende e hapur, Raporti i Progresit thotë se pak është bërë edhe në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, a do të thotë kjo se liberalizimi i vizave dhe integrimi në BE mbeten larg?
Apostolova: T’i kthehem prapë kësaj çështjeje shumë të ndjeshme që është liberalizimi i vizave. Unë dua të them se vota për Demarkacionin është në duar të Kuvendit të Kosovës. Në këtë Raport, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha partive politike, të gjithë liderëve politikë që të marrin përgjegjësitë që u takojnë, të marrin pjesë në mënyrë aktive në punën e Kuvendit. Kjo thirrje nuk është vetëm për koalicionin qeverisës, kjo është edhe për opozitën dhe këtu dua të përmendi Listën Serbe, e cila faktikisht është larguar apo ka pezulluar punën për në Kuvend për një kohë. Politikanët duhet të kuptojnë se ka çështje të cilat janë në agjendën e gjerë të Kosovës që janë shumë me rëndësi për qytetarët e Kosovës, për të rinjtë, për ata të cilët i kanë votuar pikërisht ata që të jenë në Kuvend. Prandaj është kjo thirrje, e cila është pasqyruar në Raport të këtij viti. Pra politikanët duhet t’i marrin përgjegjësitë e tyre dhe të shikojnë pasqyrën e gjerë dhe të përmbushin këto kushte të rëndësishme që është votimi në Kuvend. Ndërsa sa i përket kushtit tjetër që është suksese në luftimin e korrupsionit, më lejoni të them edhe një herë se kjo është një prej fushave në të cilën ky Raport vlerëson se ka pasur progres të mirë. Është proces i gjatë nuk është një element i vetëm, i cili do të mundë të vlerësohej pa zbatimin e përgjithshëm të sundimit të ligjit në një vend. Është ky një proces, i cili natyrisht ka të bëjë me bërjen e shumë reformave. Vendi është në rrugë të mbarë, siç e thamë edhe më herët. Kemi veprime të mira në luftimin e krimit të organizuar, pastaj në reformën në gjyqësor ku shohim organe të pavarura, shohim edhe dëshmi të mira për luftimin e korrupsionit. Megjithatë, duhet bërë edhe më shumë. Do të jetë proces i gjatë, por kjo është ndoshta një prej fushave për të cilën mund të themi se vërtet Raporti i Progresit shënon shumë progres në vitin e kaluar, gjatë viteve të kaluara.
Kosova ka nënshkruar MSA-në tash e sa kohë, mirëpo për implementimin e saj ka mbetur shumë për t’u dëshiruar. Ende nuk po shihen rezultate konkrete. Çfarë mund të na thoni për këtë?
Apostolova: Faleminderit për pyetjen. Kam kënaqësinë që më në fund po dalim në diçka që është shumë e rëndësishme dhe kjo është Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit, kjo është marrëdhënie kontraktuese në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit përgatit terrenin apo është gur themeli për marrëdhëniet tona. Mekanizmi koordinues, i cili do të krijohet tani shumë shpejt, faktikisht krijon forumet ku në komisione dhe në grupe të ndryshme punuese ekspertët në emër të BE-së do të bisedojnë me ekspertët e ministrive të juaja, nga Qeveria dhe nga të gjitha sferat e jetës sesi do të mundë të përmirësohet bashkëpunimi ynë dhe çfarë reforma mund të ndihmojë Kosovën në zhvillimin e ekonomik. Në mënyrë që të përshpejtohet zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit ne kemi agjendën e reformës evropiane, e cila është miratuar sot nga Qeveria dhe shfrytëzoj këtë rast që t’ju përgëzoj për këtë dhe kjo është ajo vegla apo elementi që në njëfarë mënyre do të vërë implementimin e MSA-së në një shteg pak më të shpejtë. Ajo do të lansohet të premten nga komisionari Hahnn dhe kryeministri Mustafa, por që tani jemi duke punuar në bazë të agjendës së reformës ekonomike evropiane. Jemi konsultuar me të gjitha partitë politike dhe kam kënaqësinë të them se edhe opozita ka dhënë komentet për këtë. Ne jemi konsultuar gjerësisht me shoqërinë civile, me OJQ-të e ndryshme, me komunitetin e biznesit dhe ne mendojmë se kjo do të jetë një vegël dhe instrument i rëndësishëm, i cili do të ndryshojë jetën e njerëzve, sepse pajtohem me ju se liberalizimi i vizave është jashtëzakonisht i rëndësishëm (me rëndësi), për të rinjtë, studentët dhe për tërë popullatën, e cila dëshiron të udhëtojë, por zhvillimi i vërtetë ekonomik dhe ndryshimi i klimës për biznes dhe zhvillimi ekonomik do të sillet përmes zbatimit të MSA-së.
Do të kthehem te çështja e politikanëve lokalë serbë. E kemi Listën Serbe në Qeveri, por ata po bojkotojnë Parlamentin, sa mendoni ju se kjo sjellje ndihmon në qetësimin e marrëdhënieve në mes të komuniteteve në Kosovë, por edhe në rajon për shkak të lidhjeve që Lista Serbe ka me Beogradin. Nga perspektiva evropiane, a është kjo sjellje normale e politikanëve që të jenë në Qeveri dhe ta bojkotojnë Qeverinë?
Apostolova: Unë komentova tashmë në prezantimin e Raportit për Kosovën se ne jemi duke e vështruar me shqetësim se Kuvendi është duke punuar me kapacitetin e vet të plotë. Kemi pasur rastin kur opozita ka bojkotuar Kuvendin dhe tani është Lista Serbe e cila nuk po merr pjesë në punën e Kuvendit. Unë dua të theksoj në përgjithësi se parimet demokratike kërkojnë pjesëmarrjen e të gjitha partive politike qofshin ato në koalicion qeveritar, qofshin ato në pozitë në procesin e vendimmarrjes sepse në fund të fundit kjo është jo vetëm e drejta e tyre, por edhe përgjegjësia e tyre. Kështu që unë do të bëj thirrje dhe e kam bërë këtë edhe personalisht duke u takuar me liderët e Listës Serbe që të marrin pjesë në procesin e vendimmarrjes sepse Kuvendi duhet të miratojë ligje jashtëzakonisht me rëndësi. Këto ligje për shembull janë të lidhura me buxhetin. Kështu që është shumë me rëndësi që do të thotë të jenë pjesë e këtij procesi vendimmarrës edhe nëse janë kundër të ndonjë dispozite të ndonjë ligji, fuqia që ju e keni që ua kanë dhënë njerëzit dhe që u kanë zgjedhur me votë është që të jeni pjesë e procesit të vendimmarrjes. Pra ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike qoftë opozitës, qoftë partnerëve të koalicionit qeverisës që të marrin përgjegjësinë dhe të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes.
Klasa politike e Kosovës ka kohë që është e përçarë dhe e tensionuar, si i keni parë ju veprimet në Kuvendin e Kosovës ku ka pasur edhe gaz lotsjellës dhe a do t’i përkrahnit zgjedhjet e parakohshme?
Apostolova: Pyetje interesante. Do të filloj të përgjigjem duke përsëritur thirrjen që BE-ja ua ka bërë të gjitha partive politike dhe politikanëve që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të jenë pjesë e punës së Qeverisë dhe të Kuvendit. Megjithatë, hedhja e gazit lotsjellës dhe veprimet e tjera të ngjashme konsiderohen se janë jodemokratike dhe nuk janë demokratike. Unë kam kuptuar në deklaratat e tyre se kjo është e vetmja mënyrë që opozita mund të ngrejë shqetësimet e veta dhe unë nuk pajtohem me këtë. Kjo nuk është mënyra e vetme së pari dhe së dyti këto janë mjete të cilat nuk janë aspak të pranueshme sipas vlerave evropiane. Pastaj pyetja e zgjedhjeve të parakohshme. Kjo është pyetje interesante, thashethemet për të cilat janë duke qarkulluar mjaft në komunikimin mediatik. Unë nuk do të komentoj për rastin konkret të Kosovës sepse kjo është çështje e brendshme e institucioneve. Ky është një vendim, i cili duhet të merret nga njerëzit, nga qytetarët, nga Qeveria, nga koalicionet apo nga opozita. Unë vetëm dua të them se Bashkimi Evropian do të mbështesë çdo proces demokratik. Zgjedhjet janë një mënyrë natyrisht, por unë do të isha jashtëzakonisht e kujdesshme për të mbështetur ide për zgjedhje në një moment kur nuk shihni ndonjë rrugë të qartë para vetes. Pyetjet që udhëheqësit politikë duhet t’ia bëjnë vetes duhet të jenë cili do të ishte qëllimi i këtyre zgjedhjeve, çfarë të mirash do të sjellë a do të sjellë diçka të mirë për popullin e Kosovës dhe njerëzit duhet t’u përgjigjen këtyre pyetjeve. Siç e kam thënë edhe më herët, zgjedhjet, kjo është një e drejtë për të cilën duhet të vendosë vetë vendi dhe nëse ky është vullneti apo dëshira e njerëzve, natyrisht ne do të mbështesim çfarëdo zgjedhje që mund të vijë nga vetë Kosova.
Raporti i Progresit përgëzon Kosovën për kryerjen e obligimit rreth ngritjes së Dhomave të Specializuara, kur do të nisin akuzat e para dhe a ka frikë për ndonjë eskalim të mundshëm të situatës?
Apostolova: Kjo është një pyetje për të cilën unë s’do të kem përgjigje të qartë dhe kjo është sepse siç e dimë gjyqësori është krejtësisht i pavarur se si procesi i krijimit të Dhomave të Posaçme do të zhvillohet, kur do të dalin akuzat e para apo rastet e para, mendoj se askush momentalisht nuk e ka as nocionin (opsionin) bazik se kur do të bëhet kjo. Është një proces i vazhdueshëm. Qeveria juaj është takuar me prokurorin special, i cili i ka bërë vizitë këtu para ca ditësh. Mendoj, thjesht duhet të kemi besim të plotë në pavarësinë e këtij gjyqësori dhe duhet ta shikojmë këtë proces duke ia lejuar kohën që i duhet për të punuar. Ndërsa sa i përket pyetjes tënde se sa do të reflektojë kjo në jetën politike, nuk e dimë sepse nuk e dimë se cili do të jetë rezultati i këtyre rasteve apo lëndëve, por natyrisht është me rëndësi që të gjithë njerëzit të cilët në njëfarë mënyre kanë kryer krime të ndiqen penalisht. Nuk po them se kjo do të ketë ndonjë refleksion në jetën politike, por nëse do të ketë, atëherë secili duhet të mbajë përgjegjësinë për atë që ka bërë. Kjo është përgjigjja ime momentalisht. Nuk mendoj se mund të jap ndonjë përgjigje më të qartë për atë se çka mund të ndodhë në muajt e ardhshëm.