Kandidatura e Lladrovcit përçan PDK-në në Drenas

Aktuale November 10, 2016 - 08:06

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zyrtarizuar Ramiz Lladrovcin, ambasador i Kosovës në Shqipëri, kandidat për kryetar të Drenasit.

Menjëherë pas nominimit, Lladrovci ka dhënë dorëheqje nga posti i ambasadorit të Kosovës në Tiranë, ndërsa në Drenas kanë filluar pakënaqësitë, duke e konsideruar nominimin e Lladrovcit si politik dhe të dhunshëm.

Ndërkaq në një letër drejtuar presidentit Hashim Thaçi dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, Lladrovci ka ofruar dorëheqjen e tij, siç ka thënë ai, “për shkak se është nominuar për postin e kryetarit të Drenasit”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Dorëheqja ime sot vjen menjëherë pasi Partia Demokratike e Kosovës e gjeti të arsyeshme të më kandidoj në vendlindjen time, në Drenas, për të vazhduar punën e suksesshme të pararendësve të mi në këtë detyrë. Të jeni të bindur se, duke besuar në verdiktin e popullit të zonës sonë, nëse do të gjej të arsyeshme staturën time politike për ta mbështetur atë, e gjithë puna dhe veprimtaria ime do të jetë e përqendruar në prosperitetin dhe begatinë e banorëve të vendlindjes sime, njëra nga zonat më të spikatura për atdhedashuri, punë dhe përkushtim”, ka thënë mes tjerash Lladrovci në letërdorëheqjen e tij.

Por zyrtarizimi i Lladrovcit për karrigen e të parit të Drenasit nuk i ka pëlqyer fare kryesuesit të Kuvendit të Drenasit, Naim Bazaj, i cili shihej si kandidati më serioz i PDK-së për ta zëvendësuar Nexhat Demakun, pas dorëheqjes së tij.

Madje, nominimi i Lladrovcit ka shfaqur pakënaqësi edhe tek anëtarësia. Vetë Bazaj ka thënë se zarfin me emrin e Ramiz Lladrovcit, të cilin shefi i partisë së tij, Kadri Veseli e kishte sjellë në Drenas, i “ngjason kohës së Rankoviqit”.

“Veseli ka nxjerrë nga zarfi emrin e Lladrovcit, të cilin ai dhe shumë anëtarë të Degës e kanë kundërshtuar. Erdhi Kadri Veseli e solli zarfin nga Prishtina se ku ka për të qenë kryetar dhe e propozoi Ramiz Lladovcin. Në shenjë pakënaqësie si shumë anëtarë të Kryesisë u deklarova se nuk e mbështes këtë propozim. Zarfin që e solli, i thashë se vetëm në kohën e Rankoviqit e kanë sjellë se kush do të jetë udhëheqës i një komune e ti nuk është dashur për të ardhur e për të na përçarë sepse gjithë populli është kundër”, citon fjalët që ia kishte thënë Kadri Veselit Naim Bazaj.

Bazaj, që nga fillimi ka deklaruar se do të jetë kandidat për kryetar të Drenasit dhe se do të jetë fitues i zgjedhjeve, pavarësisht nëse do ta kandidojë partia e tij apo do të kandidojë si i pavarur.

“Do të kandidoj dhe do të jem fitues absolut i zgjedhjeve, edhe nëse nuk më kandidon PDK-ja. Nëse më kandidon PDK-ja dhe më përkrah Qendra jam i sigurt se do t’i marrë 70 për qind të votave në komunën e Drenasit, por edhe nëse kandidoj si i pavarur prapë do të marrë mbi 50 për qind të votave”, ka thënë Bazaj.

Sipas tij, kandidaturën nuk e ka shpallur ai vetë, por qytetarët e Drenasit të cilin e përkrahin atë. “Duke mos më kandiduar mua PDK-ja do të dobësohet edhe më shumë. Mua më ka nominuar elektorati në Drenas, bashkësia më e madhe jona, që i ka 5800 votues, janë zotuar se nuk lëshojnë pe dhe do të më mbështesin pa marrë parasysh a do të jem kandidat i PDK-së apo jo. Kam marrë nënshkrimet e Këshillit Drejtues, të, Kryesisë dhe të drejtuesve të nëndegëve, të cilët personalisht ia kam dërguar kryetarit Kadri Veseli, duke ia bërë të ditur se kam mbështetjen e plotë. Por Veseli ka vendosur ndryshe, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Drenasit dhe të elektoratit të PDK-së”, tha ai. Bazaj shprehet i bindur se Lladrovci nuk do t’i marrë as 20 për qind të votave, as për balotazh.