Schwendiman sjell mesazhe 'drithëruese'

Aktuale November 09, 2016 - 09:14

Edhe pse nuk u precizua saktësisht se kur pritet të shpallet akuza e parë për “Krime lufte”, prokurori David Schwendiman, sipas njohësve të drejtësisë, ka sjellë në Prishtinë mesazhin përgatitor. Ai ka njoftuar lidershipin se duhet të jenë gati për aktakuzat e para në fillim të 2017-ës. Arrestimet, sipas ekspertëve, pritet ta tronditin skenën politike vendore  

Akuzat e para për “Krime lufte” ndaj ish guerilëve të UÇK-së, pritet të tronditnin skenën politike kosovare në fillim të vitit 2017-të. Ndërsa, prokurori special, David Schwendiman gjatë qëndrimit në Prishtinë, sipas njohësve të drejtësisë, ka sjellë mesazhe të qarta për  lidershipin kosovar, se Gjykata Speciale po konkretizohet dhe Kosova duhet të jetë e gatshme për bashkëpunim.

Madje, ai ka qenë i qartë se asnjë politikan apo komandant nuk do të jenë imun ndaj Gjykatës Speciale. Përkundrazi, funksionet politike do të bëhen joekzistuese kur të finalizohet kjo Gjykatë. Vetë Schwendiman pohoi se shumë shpejt do të nisin procedurat lidhur me këtë çështje. Sipas tij, i tërë procesi do të jetë objektiv dhe nuk do të ketë drejtësi selektive.

Sipas njohësve të drejtësisë, arrestimi i mundshëm i politikanëve të caktuar, do të ketë ndikim të madh në skenën politike.

Mirëpo, të kundërtën e thonë përfaqësuesit Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së. Sipas tyre, kjo nuk ka të bëjë aspak me drejtësi. Madje, ata akuzojnë Schwendiman se ai nuk e di se çfarë masakrash janë kryer nga serbët në Kosovë.

Schwendiman: Nuk do të ketë drejtësi selektive

Prokurori special, David Schwendiman, gjersa po qëndron në Kosovë ka thënë se në kuadër të Gjykatës Speciale nuk do të ketë drejtësi selektive.

“Procesi do të jetë objektiv, nuk do të ketë drejtësi selektive, sepse të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe do të gjykohet përgjegjësia individuale e jo përgjegjësia e ndonjë grupi apo përgjegjësia e ndonjë organizate”, ka deklaruar prokurori special.

Ai ka thënë se veprimet procedurale do të ndërmerren sa më shpejt që është e mundur. Gjersa po qëndron në Kosovë, Schwendimen u takua me ministren e Drejtësisë Dhurata Hoxha, e cila u zotua që do ta respektojë pavarësinë e prokurorit.

Prokurori special u takua edhe me kryeprokurorin e shteti Aleksandër Lumezi, i cili shprehu gatishmërinë e tij për të kontribuar në fuqizimin e sundimit të ligjit, me ç’rast i ka ofruar Schwendimanit bashkëpunim të plotë.

Miftaraj: Arrestimi i figurave politike do të ketë ndikim

Ehat Miftaraj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ka vlerësuar se po qe se ndodhë arrestimi i figurave politike, atëherë do të ketë mjaft ndikim në skenën politike.

“Pa dyshim se arrestimi i personave me fuqi politike do të ketë ndikim në skenën politike”, ka deklaruar ai. Sipas tij, prokurori special po synon që të gjejë bashkëpunim me autoritetet kosovare dhe serbe, pasi që gjykata shumë shpejt pritet të jetë funksionale.

“Prokurori Shchwendiman si duket është duke e shfrytëzuar këtë periudhë kohore për të kërkuar bashkëpunim me autoritetet kosovare dhe sipas nevojës edhe me autoritetet serbe për rastet që mund të paraqiten pranë gjykatës speciale”, ka shtuar ai.

Ai më pas, ka thënë se Gjykata Speciale është në fazën finale të funksionalizimit dhe se pas kësaj, siç është shprehur ai, edhe prokuroria mund t’i paraqesë aktakuzat e para.

“Me funksionalizimin e gjykatës atëherë edhe prokuroria do të mund t’i paraqesë aktakuzat e para duke i përfshirë edhe arrestimet e mundshme”, ka përfunduar Miftaraj nga IKD.

Smaka: Arrestimi i funksionarëve të lartë krijon situatë serioze

Kurse, njohësi i çështjeve kushtetuese Riza Smaka, ka vlerësuar se politikanët nuk do të jenë imunë ndaj Gjykatës Speciale.

“Kur është në pyetje përgjegjësia penale nuk njihen funksionet politike, domethënë ato bëhen sikur të ishin joekzistuese”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, po qe se Gjykata përfshin politikanë me pozita të larta, atëherë kjo do të paraqiste situatë mjaft serioze. “Situata ndryshon nëse në pyetje është kreu i një partie politike ose një funksionar i lartë që akuzohet apo arrestohet, atëherë natyrisht se krijohet situatë serioze”, ka shtuar ai në një prononcim për “Zërin”.

Gjykata ,sipas Smakës mund të funksionalizohet në fillim të 2017-ës, sado që, sipas tij, nuk ka parametra të sakta rreth kësaj.

Ndërkaq, eksperti i çështjeve kushtetuese Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se prokurori special David Schwendiman ka ardhur në Kosovë për t’i paralajmëruar institucionet shtetërore për funksionalizimin e Speciales.

“Sigurisht ai ka ardhur pikërisht për atë, që t’i paralajmërojë institucionet tona se shumë shpejt pritet funksionalizimi i Gjykatës”, ka deklaruar ai. Megjithëkëtë, sipas Baraliut,  ndërkombëtarët janë vetë ata të cilët e kanë zvarritur finalizimin e Gjykatës Speciale.

Më tej, Baraliu ka thënë se nuk mund të dihet se kush do të preket nga Specialja.

“Mendoj që askush nuk e di me saktësi përveç zyrtarëve evropianë që janë kompetentë”, ka shtuar ai. Sipas tij, funksionalizimi i kësaj gjykate nuk mund të ndikojë në defunksionalizimin e institucioneve të Kosovës.

“Mendoj se nuk do të ndikojë në defunksionalizimin e shtetit të Kosovës dhe institucioneve të saj”, ka shtuar Baraliu.

Qeriqi: Akuzat, krejtësisht politike

Ndërkaq, Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, ka vlerësuar se formimi i kësaj gjykate nuk është aspak i drejtë.

“Përderisa kjo gjykatë do të merret vetëm me krimet e pretenduara të kryera nga UÇK-ja dhe në anën tjetër këta ndërkombëtarë heshtin apo mundohen ta fshehin krimin e kryer nga shteti serb në Kosovë, e shohim si një tendencë për ta njollosur Luftën Çlirimtare për liri”, ka deklaruar ai.

Qeriqi tutje ia ka përkujtuar prokurorit special David Scwendiman, se në Kosovë ende rezultojnë mijëra të zhdukur. “Mos të harroj t’ia përkujtoj këtij prokurori se edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës kemi mijëra shqiptarë të pagjetur dhe nuk dimë për fatin e tyre”, është shprehur ai. Kurse, ka konsideruar se prokurori mund të mos ketë dëgjuar fare për të zhdukurit e masakrat e shqiptarëve të kryera nga serbët në Kosovë. Qeriqi më tej, ka vlerësuar se akuzat e tilla janë krejtësisht politike.