Zgjedhje, para reformës zgjedhore
Partitë politike janë ndarë dysh rreth reformës zgjedhore. Koalicioni qeverisës mendon se duhet të bëhet reforma zgjedhore, pastaj të organizohen zgjedhjet, derisa, opozita mendon se është e kundërta, njëherë zgjedhjet e pastaj nisja e një reforme zgjedhore të mirëfilltë
Zërat të cilët po kërkojnë zgjedhje të parakohshme janë rritur kohëve të fundit në Kosovë.
Ato po shihen si zgjidhje e krizës politike në vend. Mirëpo, para se të zhvillohen zgjedhjet në vend, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka nisur një iniciativë për reformë zgjedhore.
Por, këtë iniciativë po e kundërshtojnë partitë parlamentare opozitare, të cilat po e quajnë farsë nismën e kreut të shtetit.
Thonë se në Kosovë së pari duhet të zhvillohen zgjedhjet, e pastaj të hyhet në një reformë zgjedhore të mirëfilltë, meqë një gjë e tillë kërkon kohë, e sipas tyre, aktualisht nuk ka kohë për reformë të mirëfilltë.
Po ashtu edhe para më shumë se pesë viteve kishte nisur një reformë zgjedhore, por që asnjëherë nuk përfundoi, pikërisht për fajin e liderëve të partive të mëdha, PDK-së e LDK-së.
Dy komisione parlamentare kishin punuar gati për rreth një vit, njëri për ndryshimet kushtetuese, e tjetri për ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet, por që asnjëherë nuk u votuan në Kuvend.
PDK: Tash është koha për reformë zgjedhore
Partitë në pushtet mendojnë ndryshe. Sipas tyre tani është koha kur duhet të ulen dhe të bisedojnë për të gjitha çështjet rreth reformës zgjedhore.
Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka thënë për gazetën “Zëri” se shumica e partive në Kosovë kanë shfaqur interesim për reformën zgjedhore.
“Nëse nuk ulemi tash të gjithë për të folur për temat, atëherë kur duhet të flasim. Është një moment i mirë për t’u ulur dhe për t’i shfaqur të gjithë kërkesat e tyre, idetë e tyre në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të jemi sa më komod”, ka thënë Pajaziti.
Opozita do zgjedhje pastaj reformë zgjedhore
Mirëpo, ndryshe mendojnë partitë opozitare të cilat ka kohë që kërkojnë zgjedhje të parakohshme.
Shefi i grupit parlamentar të “Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës” Pal Lekaj ka theksuar për “Zëri” se është vonë të mendohet për reformë zgjedhore, ani pse është e nevojshme të ketë reformë.
Lekaj ka thënë se nëse ligji ekzistues respektohet në maksimum atëherë gjithçka do të jetë në rregull.
“Unë mendoj që pasi të mbahen zgjedhjet, pastaj kemi kohë që të bëjmë një reformë të thellë siç duhet për të mirën e sistemit zgjedhor”, ka thënë Lekaj, duke insistuar se zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen para nisjes së reformës në mënyrë që të shpëtohet vendi nga kjo krizë që i ka kapluar institucionet e Kosovës.
Edhe sekretari i përgjithshëm i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi mendon se zgjedhjet duhet të mbahen së pari, e pastaj të fillojë një reformë zgjedhore e mirëfilltë.
“Zgjedhje, pastaj reformë. Nuk kemi kohë tani për reformë të mirëfilltë. Reformat e mirëfillta kërkojnë ndryshime kushtetuese dhe ju e dini që ndryshimet kushtetuese janë të varura edhe nga vota e minoriteteve. Reforma e mirëfilltë dhe e plotë kërkon shumë me shumë kohë”, ka thënë Sherifi.
Në anën tjetër edhe analistët mendojnë se për reformë zgjedhore duhet kohë.
Sipas analistit politik Imer Mushkolaj zgjedhjet po shihen si zgjidhje, para së të fillojë reforma zgjedhore.
“Zgjedhjet po shihen si zgjidhje dhe duhet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur. Kështu që unë mendoj që edhe këto zgjedhje duhet të mbahen sipas ligjit aktual zgjedhor, ndërsa prej zgjedhjeve tjera të vendoset dhe të kryhet reforma zgjedhore”, është shprehur Mushkolaj, duke e quajtur nismën e presidentit Thaçi në favor të zvarritjes së zgjedhjeve.
Nisma e Thaçit, e pasinqertë
Madje, analisti politik Imer Mushkolaj e quan edhe të pasinqertë nismën e kreut të shtetit për të biseduar me partitë politike për të nisur një reformë zgjedhore.
“Nisma e presidentit nuk është e sinqertë, sepse kur ishte në krye të PDK-së Thaçi e kishte zvarritur reformën zgjedhore. Po të ishte aq i përkushtuar për reformë zgjedhore atëherë do duhej ta kishte miratuar më herët në mënyrë që ai të zgjidhej president me vota të drejtpërdrejta të qytetarëve dhe jo nga Kuvendi”, ka thënë ai, duke kujtuar se një proces i tillë nuk mund të bëhet pa pajtimin e tërë spektrit politik në vend.
“Në anën tjetër reforma nuk mund të bëhet vetëm me përfaqësuesit e partive minore dhe ata në pushtet, por natyrisht që duhet të jenë edhe opozita. Kështu që ekziston një mosbesim shumë i madh i opozitës ndaj presidentit dhe unë nuk besoj që do të mund të arrihet një reformë serioze zgjedhore”, ka theksuar Mushkolaj.
Presidenti, të premten e javës që shkoi, mblodhi përfaqësuesit e partive në vend, të shoqërisë civile, për të diskutuar rreth reformës zgjedhore, por ky takim u bojkotua nga partitë politike opozitare.
“Bojkotimin e opozitës e pashë si diçka prej aspektit të opozitës si korrekte, për shkak se një ditë më herët Thaçi u pa me strukturat e PDK-së në Malishevë, ndërsa në mëngjes u dërgoi ftesë partive për takim që në këtë mënyrë nuk tregoi unitetin që duhet ta tregojë ose ta ketë sipas Kushtetutës”, vlerësoi analisti Mushkolaj.
Opozita nuk do të shkojë as herëve tjera kur kreu i shtetit do t’i ftojë në takim me liderët e partive politike.
“Jo, ne nuk do t’i përgjigjemi, te presidenti do të shkojmë vetëm për t’u dakorduar për datën e zgjedhjeve”, ka thënë Lekaj.