Specialja 'nis gjahun' në pjesën e parë të 2017-ës

Aktuale November 07, 2016 - 08:25

Pa hyrë në fuqi Marrëveshja në mes të Kosovës dhe Holandës rreth vendit nikoqir të Gjykatës, nuk do të ketë nisje të proceseve gjyqësore. Megjithatë, gjithçka do të qartësohet në pjesën e parë të vitit 2017, kur pritet të jenë edhe akuzat e para për krime lufte. E në Kosovë thonë se në bankën e të akuzuarve pritet të ulen edhe figura të rëndësishme politike

Funksionalizimi i Gjykatës Speciale për Kosovën po shkon sipas planit dhe në koordinim me të gjitha instancat relevante.

Rrjedhimisht edhe akuzat e para për ish guerilët e UÇK-së të dyshuar për krime lufte gjatë viteve 1998-2000, do të nisin në pjesën e parë të vitit 2017.

Në një prononcim për gazetën “Zëri”, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Avis Benes, ka thënë se aktualisht janë duke u zgjedhur gjykatësit dhe presidenti i Dhomave të Specializuara.

Vetëm më pas do të bëhet miratimi i rregullores së procedurës gjyqësore dhe provave nga gjyqtarët, i cili është një dokument kyç që rregullon kryerjen e procedimeve para Dhomave të Specializuara.

Megjithëkëtë, edhe pse Mbretëria e Holandës ka votuar pro ratifikimit të Marrëveshjes që parasheh vendosjen e Dhomave të Specializuara në këtë shtet, kjo ende nuk ka hyrë në fuqi.

Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi, një muaj pasi që të bëhet shkëmbimi i letrave njoftuese ndërmjet Holandës dhe Kosovës.

E krejt në fund, sipas avokatëve kosovarë, në mesin e të akuzuarve pritet që të ketë edhe figura më me ndikim të skenës politike.

Benes: Gjithçka po shkon sipas planit

Në funksionalizimin e Dhomave të Specializuara gjithçka ka shkuar sipas planit fillestar. Kështu ka thënë Avis Benes, zëdhënëse e këtyre dhomave për “Zërin”.

“Procesi i themelimit të Gjykatës është duke shkuar sipas planit të parashikuar dhe nuk ka kurrfarë shtyrje”, ka thënë Benes.

Megjithatë ende ka mbetur punë për tu bërë deri në stabilizimin përfundimtar të saj.

“Dhomat e Specializuara janë operative që nga prilli 2016. Aktualisht ato janë duke rekrutuar stafin e nevojshëm dhe duke realizuar punën përgatitëse në mënyrë intensive në lidhje me procedurat gjyqësore”, ka shpejguar Benes.

Megjithëkëtë, në mënyrë që aktivitetet gjyqësore të nisin, Marrëveshja për vendin mikpritës në mes të Kosovës dhe Holandës duhet të hyjë në fuqi.

“Kjo nuk ka ndodhur ende”, ka thënë Benes.

Një tjetër hap i rëndësishëm në funksionalizimin e Gjykatës është caktimi i gjykatësve dhe presidentit të Dhomave të Specializuara si dhe miratimi i rregullores së procedurës dhe provave nga gjyqtarët.

“Ky është një dokument themelor i cili në detaje do të rregullojë realizimin e procedurave gjyqësore. Për kompletimin e të gjithë këtyre hapave, në mënyrë që të krijohen kushte për fillimin e proceseve gjyqësore, është caktuar afati i përgjithshëm i cili është pjesa e parë e vitit 2017-të”, ka thënë tutje Benes.

Ajo ka konfirmuar se deri më tani kanë pasur bashkëpunime të rëndësishme me autoritetet kosovare.

“Po, ne kemi pasur kontakte me institucione relevante në Kosovë dhe shpresojmë që bashkëpunimi i mirë me ta do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka përfunduar ajo.

Me 1 shtator, prokurori i specializuar, David Schwendiman, në konferencën e parë të tij për shtyp kishte thënë se do të sigurohet personalisht që të mos ketë vonesa të panevojshme në këtë proces.

“Unë besoj fort që ngutja nuk është mike e drejtësisë, por as nuk është vonesë e panevojshme”, ka thënë Schwendiman.

Megjithatë ai kishte shtuar se akuzat e para do të vijnë vetëm atëherë kur të ketë edhe provat në dorë.

“Në fund të fundit, unë do të bëj atë që më bindin provat dhe ligji, kur ne jemi gati – asnjë minutë më herët, asnjë minutë më vonë”, kishte thënë ai.

Gashi: Politikanë të njohur në bankën e të akuzuarve

Avokati kosovar, Tomë Gashi, ka thënë se në mesin të akuzuarve pritet që të ketë edhe politikanë të njohur në vend.

“Me siguri do të ketë politikanë aktivë, politikanë shumë të njohur madje”, ka thënë Gashi.

Madje, ai ka thënë se në momentin e parë që këto akuza do të bëhen publike, në Kosovë do të priten edhe turbulenca të ndryshme politike dhe shoqërore.

“Sigurisht që në momentin që ngrenë akuzat, nëse eventualisht i ngrenë kundër tyre, do të ketë turbulenca apo do të ketë ndryshime politike në Kosovë”, ka thënë Gashi, duke shtuar, “Është e paimagjinueshme që nëse zyrtarë të lartë të partive, do të thotë figurave politike apo ata që e mbajnë pushtetin në Kosovë, nëse eventualisht ndonjëri prej tyre akuzohet nga Gjykata Speciale, me siguri që do të thotë ndryshime politike”,ka thënë Gashi.

Ndërkohë, duke folur për numrin potencial të akuzave ai ka thënë se kjo ende nuk mund të dihet njëherë. Megjithatë ajo çfarë mund të dihet sipas tij tani, është fakti se kjo gjykatë është “raciste”.

“Gjykata Speciale është Gjykatë raciste dhe është formuar për ti gjykuar vetëm shqiptarët. Një shtet multi-etnik, të votohet për gjykimin pjesëtarëve të vetëm një nacionaliteti, pra vetëm shqiptarëve, është katastrofë. Numri i akuzave nuk do të dihet kurrë derisa të vijë koha që Gjykata Speciale të mbyllet”, ka përfunduar ai.