SHBA, sinonimi i lirisë së Kosovës
Hillari dhe Klintoni, kosovarë, dëshirojnë që zgjedhjet presidenciale në SHBA t’i fitojë kandidatja demokrate Hillary Clinton. Ndërsa shqiptarët që jetojnë në Amerikë janë të ndarë në mes të dy kandidatëve, Hillary Clinton dhe Donald Trump. Megjithatë, mbështetja amerikane për Kosovën do të jetë e vazhdueshme, pavarësisht fituesit
Zgjedhjet presidenciale, që do të mbahen të martën më 8 nëntor në SHBA, po reflektojnë një garë edhe në shtetin më të ri të Ballkanit, në Kosovë.
Një popull që u la anash duke iu nënshtruar një okupimi gjenocidial, shqiptarët e Kosovës, e që gjetën mbështetjen për shpëtimin e tyre tek SHBA-të, atëherë kur president ishte Bill Clinton, tani po shfaqin simpatinë dhe po i drejtohen bashkëkombëseve të tyre të cilët jetojnë në shtetin amerikan që votën e tyre ta hedhin në kutitë e votimit për Hillary Clinton.
Mirënjohja për familjen Clinton në Kosovë është vulosur në emra njerëzish. Në Kosovë një 15-vjeçar, që jeton në Isniq të Deçanit, mban emrin Klinton Osdautaj, ndërsa Hillari Alidema jeton në Pozhoran, fshat i komunës së Vitisë. Por, vula e këtij mbiemri që personifikon lirinë dhe paqen për shqiptarët e Kosovës gjendet dhe në emërtim të rrugëve, të bizneseve..., ndërsa në hyrje të kryeqytetit kosovar busti i ish-presidentit Bill Clinton tregon se kosovarët do ta ruajnë përjetësisht mirënjohjen për këtë ish-president amerikan. Madje, tek ky bust qytetarët të cilët jetojnë brenda dhe jashtë Kosovës bëjnë edhe foto. Por, Clinton këtu nuk shihet vetëm si i përjetësuar në bust, ai llogaritet i gjallë nga ata që bëjnë foto dhe e hedhin atë menjëherë me krenari në rrjetet sociale.
Kosovarja Hillari fton shqiptarët në SHBA që ta votojnë Hillary Clinton për presidente
Sami Alidema, njeriu që nuk jeton më, qysh në vitin 1995 do t’ia vërë emrin mbesës së tij Hillari, ashtu siç në atë kohë quhej dhe zonja e parë e SHBA-ve, Hillary Clinton. Ai, sipas familjarëve të tij, sikur kishte një parandjenjë se familja Clinton do ta shpëtonte popullin e Kosovës nga humbja e lirisë nën okupimin serb.
“Gjyshi ma ka vënë emrin Hillari. Ai kishte simpati për Amerikën, kështu më ka treguar babai im. Gjyshi gjithmonë besonte se Amerika si vend që lufton për të drejtat e popujve që shkelen do të na ndihmojë një ditë, në ditët më të vështira”, tregon Hillari Alidema për gazetën “Zëri”.
Ajo thotë se në vitin 1995 para se të ndodhte lufta, gjyshi ia kishte vendosur emrin. “Gjyshi nuk e priti çlirimin e Kosovës nga shteti që promovon paqen - SHBA-të”, thotë ajo duke u shprehur krenare që mban emrin e Hillary Clinton. Madje, në jetën e saj të përditshme emri që mban thotë se e motivon më shumë të jetë e suksesshme në studimet e saj. Hillari Alidema studion në vitin e tretë në drejtimin e Logopedisë dhe synimi i saj është që me këtë profesion t’i ndihmojë njerëzit që kanë çrregullime në të folur në komunikim, shkrim-lexim dhe të ndjekë misionin që mban emri Hillary. “Hillary Clinton është emër i së drejtës, ky emër që mbaj është njëlloj shtytje që të vazhdojë shkollimin dhe të arrijë suksese”, thotë ajo. Kosovarja Hillari u bënë thirrje gjithë shqiptarëve në SHBA ta votojnë Hillary Clinton për presidente, e cila, sipas saj, na ndihmoi kur ne patëm më shumë nevojë dhe vazhdon të na përkrahë.
Deçanasi emërtoi djalin e tij Klinton
Por që t’i fitojë zgjedhjet në SHBA për Hillary Clinton nuk po lutet vetëm Hillari Alidema. Pro zgjedhjes së saj presidente shprehet edhe Klinton Osdautaj, në Deçan të Kosovës. Ky 15-vjeçar tregon me krenari certifikatën e lindjes që mban emrin e ish-presidentit Clinton. Në nderim të veprës së ish-presidentit Clinton që ndihmoi çlirimin e Kosovës ai thotë se emrin ia ka vënë babai i tij. Kosovari Klinton thotë se është edhe i lumtur se emri i tij, siç shprehet, përfaqëson mikun e shqiptarëve në ditët më të vështira - Bill Klinton.
Ai shkon në shkollën e mesme të ulët “Isa Boletini”. Klinton Osdautaj tregon se po i përcjell zgjedhjet në SHBA dhe se ka dëshirë të fitojë Hillary. “Kam shumë dëshirë të zgjidhet ajo presidente”. Ai ka një mesazh falënderues për familjen Cliton që familja e tij gjatë luftës kishte shpëtuar me ndërhyrjen, të cilën e kishin bërë SHBA-të për ta ndalur spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë.
Simpatia për familjen Clinton nuk po zbehet, po rritet
Agim Rexhepi, kryetar i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, thotë se sikurse në të kaluarën edhe kësaj radhe shqiptarët e të gjitha trojeve që jetojnë në SHBA e që e kanë të drejtën e votës janë organizuar mirë dhe po ashtu ka grupe lobuese që i përkrahin të dy kandidatët.
“Natyrisht simpatia e dëshira e pjesës dërrmuese të bashkatdhetarëve shkon kah fitorja e kandidatit demokrat znj. Hillary Clinton, por ka veprime të individëve e grupeve që e përkrahin moralisht, materialisht dhe me votë edhe kandidatin republikan z. Donald Trump”, thotë ai për “Zërin”.
Megjithatë, sipas informatave që disponon, Rexhepi thotë se më shumë vota, përkrahje materiale, veprime sensitive, lotuese, mediatike do t’i derdhin kah znj. Hillary Clinton.
“Mendoj se ky është një veprim i drejtë sepse ne shqiptarët nga dy kandidatët në garë për president të SHBA-ve e kemi borxh moral, njerëzor e politikë ta përkrahim znj. Hillary Clinton”, thotë Rexhepi.
Simpatia ndaj familjes Clinton që shfaqet kudo në emërtime në Kosovë, Rexhepi thotë se si veprim apo fenomen i shfaqur pas luftës në Kosovë po vazhdon edhe më tutje. Edhe tash ai bën të ditur se shumë rrugëve, kompanive, shitoreve apo institucioneve të ndryshme u vendoset emri i tyre.
“Pas vitit 2000 shumë fëmijëve u është vendosur emri Bill Clinton, Hillary etj. Megjithatë, ka shumë emra edhe të shumë personaliteteve si Bush, Ollbrajt, Clark, Toni Bler, etj. Kjo e dëshmon faktin se popullit nuk i kanë kaluar pa u vërejtur angazhimet e sinqerta individuale, institucionale e shtetërore të individëve të caktuar që atëherë kur kemi pasur më së shumti nevojë për miq e përkrahës të kauzës sonë na janë gjetur pranë”, thotë Rexhepi.
Madje, ai thekson se edhe shumë këngë e poezi u janë thurur këtyre e shumë personaliteteve ndërkombëtare nga populli ynë.
“Kjo e dëshmon më së miri se sa populli di t’i përjetësojë në vetëdije kulturën apo në panteonin e vet personalitetet që kanë ditur të veprojnë pro interesave tona”.
Rexhepi thotë se shtatorja e vendosur në Prishtinë e presidentit Bill Clinton, dyqanet afër shtatores me emrat Hillary e Bill dhe jo vetëm aty, por anekënd Kosovës tregojnë se simpatia për familjen Clinton është e madhe dhe se nuk është duke u zbehur.
Fushatë në Kosovë për të fituar Clinton
Në krijimin e simpatisë popullore për familjen Clinton, Rexhepi thotë se ka ndikuar në rend të parë vendimi i presidentit Clinton në koordinim me institucionet vendimmarrëse në SHBA e aleatëve të tyre për fillimin e bombardimeve të Aleancës Veri-Atlantike (NATO), vizitat e tyre në kampet e azilkërkuesve në “Stankovec” e Gjermani. “Prezenca fizike e presidentit Clinton me rastin e inaugurimit të shtatores e vizitat tjera që ia kanë bërë Kosovës, vizitat e shumta në cilësinë e sekretares së Shtetit në Kosovë e Shqipëri të znj. Hillary kanë dëshmuar po ashtu se sa me prioritet e kanë marrë çështjen e Kosovës apo kauzës sonë”, tha ai.
Deklaratat e tyre të përhershme se janë miq të Kosovës apo deklarata se “gjatë tërë jetës sime do të punoj për Kosovën” e presidentit Clinton, thënë më 2009 në Prishtinë, Rexhepi thotë se tek çdonjëri që ka ndjenja patriotike bën që ta çmojë e ta respektojë më shumë se personalitet tjera.
“Gjatë takimeve të shumta me presidentin e dashur Clinton e kam vërejtur dhe e kam dëgjuar se sa e do dhe e respekton popullin e shtetin tonë. Me këto takime kam qenë shumë i nderuar, ngase ka shumë presidentë apo personalitete të larta të shteteve që asnjëherë nuk janë takuar me të. Jam i vetëdijshëm që këto takime më janë mundësuar vetëm e vetëm pse jam pjesëtar i këtij populli”, thotë Rexhepi.
Ai thotë se si Shoqatë e përkrahin moralisht znj. Hillary Clinton, ngase nuk kanë të drejtën e votës. “Për këtë qëllim e kemi botuar një poster sensibilizues që e kemi shpërndarë anekënd Kosovës, me të cilin kemi dashur të ndikojmë tek qytetarët me shtetësi amerikane që u bie në dorë apo tek të afërmit e tyre të orientohen kah votimi pro Hillaryt. Në poster është mesazhi shqip e anglisht ‘Unë jam votues i Hillaryt’”. Po ashtu Rexhepi bën të ditur se së shpejti do të dalë nga shtypi numrin i 9-të i gazetës së Shoqatës me titull “Miqtë e Kosovës”, ku në ballinë është znj. Hillary dhe logoja e fushatës së saj. “Po ashtu, ne kemi bërë shumë marketing përkrahës për zonjën Hillary në rrjetet sociale ‘Facebook’ e ‘Twitter’. Kemi biseduar me shumë bashkatdhetarë tanë me shtetësi amerikane, të cilëve u kemi preferuar që të votojnë për znj. Hillary”.
Rexhepi thotë se qytetarët shqiptarë nuk janë aq të përfshirë në fushatën paralele për zgjedhjen e senatorëve e kongresistëve.
“Mendoj që jomjaftueshëm, ngase është dashur që bashkëqytetarët e institucionet tona të gjejnë mënyra që të përkrahen kandidatët për senatorë e kongresistë, ngase këto dy institucione kanë rëndësi shumë të madhe në vendimmarrjen e presidentit të ardhshëm dhe institucioneve relevante vendimmarrëse”.
Shqiptaro-amerikanët, të ndarë se kë do ta votojnë
Shqiptaro-amerikani John Goci, i cili jeton në Michigan, thotë për “Zërin” se do ta votojë Hillaryn. “Arsyeja pse votoj për të është se kur burri i saj ishte në detyrë të gjithë thoshim se ajo ka udhëhequr Shtëpinë e Bardhë, prandaj gjatë udhëheqjes së burrit të saj ne kishim një lidership të shkëlqyer dhe mbështetja e tij për Kosovën dhe popullin shqiptar është e palëkundur, ashtu siç është edhe nga ana e saj”. Goci thotë se nuk ka të bëjë aq shumë me atë që Clinton apo Trump janë zgjedhja e partisë, porse për atë se “ne jemi duke votuar për politika të partisë, të cilat do të ndiqen, prandaj unë dua gjyqtarë liberalë në Gjykatën Supreme dhe jo konservatorë”. Goci thotë se duan edukim publik, një rrjet të sigurisë sociale. “E pëlqej kujdesin e Obamas, prandaj votoj për demokratët”, ka thënë ai për gazetën.
Mirëpo, shqiptaro-amerikanët shprehen se do ta votojnë edhe kandidatin tjetër Trump. Victor John Vulaj, i cili jeton në SHBA, thotë se do të votojë për Donald Trump.
“Arsyeja kryesore që votoj për Donald Trumpin është se ai qëndron prapa çdo gjëje që beson. Ai nuk ka interesa speciale në xhepin e tij për t’i thënë se në cilin drejtim të kthehet. Ai është kundër sjelljes së refugjatëve sirianë në këtë vend. Po ashtu, pajtohem me të në ndaljen e të gjitha emigrimeve në këtë vend për së paku një vit. Ai është për një siguri më të fortë në kufij...”, thotë ai për gazetën.
Vulaj thotë se Trump është për rregullimin e spitaleve në këtë vend...
Ndërkaq Rini Zhaku, një shqiptar nga Maqedonia që ka emigruar në SHBA në vitin 1989, thotë se të jesh në gjendje të votosh në SHBA është një privilegj. “Këtë herë do të jetë e vështirë për të gjithë ne, sepse ne të gjithë e dimë se ish-presidenti Bill Clinton është shpëtimtari ynë dhe hero për secilin shqiptar në botë, por duket se vota ime do të shkojë për z. Trump dhe arsyeja për këtë është politika e tij vendore dhe qasja e tij konservative ndaj sloganit të tij për ta bërë Amerikën sërish të madhe”. Kjo, ai thotë se, bën të besoj se ka nevojë për një ndryshim në Uashington.
Manifestim në Prishtinë për zgjedhjet në SHBA
Ndërsa, të dielën në sallën e “Pallatit të Rinisë” në Prishtinë do të mbahet një manifestim në nderim të familjes së presidentit Clinton. OJQ “Energy Plus”, nga Gjermania, në bashkëpunim me grupin e artistëve vullnetarë “Dëshmorët e kombit” nga Kastrioti, organizojnë manifestimin kulturor, paqësor me moton “Ta mbështesim kandidaturën e znj. Hillary Clinton për presidente të SHBA”. Ky manifestim do të fillojë të dielën, në orën 12:00.
Fatmir Muqolli, përfaqësues i OJQ-së “Energy Plus” për paqe dhe bashkëpunim internacional, ka thënë për “Zërin” se ideja për organizimin e këtij manifestimin nga i cili do të bëhet thirrje për t’u votuar kandidatja Clinton lidhet me politikën që Hillary Clinton do të ndjekë, siç shprehet ai, për të promovuar paqen kudo në botë. Ai thotë se shqiptarët e kanë obligim për çdo ditë t’i falënderohen familjes Clinton, që në momentet më të vështira për popullin e Kosovës reaguan dhe e përkrahën. Ai tregon se manifestimi që do të mbahet për nder të presidentes Clinton dhe në qendër të këtij manifestimi do të jetë thirrja që vota të shkojë në adresë të znj. Clinton.

Hillari Alidema
