Lugina e Preshevës në luftë me 'eksodin e heshtur'
Shqiptarët në Luginën e Preshevës janë pakica më e diskriminuar në Evropë, e cila në vijimësi po ballafaqohet me shkeljen e të drejtave të njeriut dhe me shpërnguljen e vazhdueshme drejt BE-së dhe drejt Kosovës. Nga papunësia e madhe, zhvillimi ekonomik dhe paqëndrueshmëria politike shqiptarët atje po e përjetojnë “eksodin e heshtur” që po i shkon për shtati qeverisë së Serbisë.
E për këtë shqiptarët në Luginë po e fajësojnë Kosovën dhe Shqipërinë se nuk po gëzojnë përkrahje nga to.
Kryetari i Kuvendit të Bujanocit, Jonuz Musliu, ka thënë se ka intensifikuar takimet me institucionet e Republikës së Kosovës me qëllim të zgjidhjes së probleme që ata kanë. E ndihmë më të madhe atyre u ka premtuar edhe presidenti Hashim Thaçi, por pasi Kosova të integrohet në BE, që i bije pas një dekade.
Pavarësisht këtyre, kryetari i Preshevës vlerëson se vetëm komunikimi me qeverinë e Serbisë mund t’ia kthejë jetën Luginës. Ndërkohë përfaqësues të të Drejtave të Njeriut në Preshevë thonë se banorët e kësaj komune shihen si të lënë krejtësisht pas dore nga institucionet kosovare. Krejt në fund analistët politikë në Kosovë shpëtimin e shqiptarëve në Luginë e shohin në marrëveshjen e nënshkruar në mes të Kosovës, Shqipërisë e Serbisë.
Musliu: Lugina, më e diskriminuara në rajon
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Jonuz Musliu, vlerëson se pavarësisht intensifikimit të takimeve me institucionet kosovare shqiptarët në Luginë ende janë më të diskriminuarit në rajon. Ky diskriminim, sipas Musliut, rrjedh prej mosimplementimit të marrëveshjeve nga ana e Serbisë.
“Në vazhdimësi po ftojmë për mbështetje si të Republikës së Shqipërisë, ashtu edhe të Republikës së Kosovës që ta realizojmë formën e organizimit administrativo-territorial kushtetues me funksion në sferat e gjyqësisë, policisë, arsimit, përdorimit të gjuhës dhe simboleve kombëtare, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, kulturës, planifikimit lokal, planifikimit hapësinor, ambientit ekologjik, resurset natyrore, sferën e banimit dhe shërbimet sociale”, ka deklaruar Musliu. Ai thotë se pavarësisht vullnetit individual nuk kanë konkretizim institucional. “Ne kemi kërkuar që të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës së paku të vendosen në marrëdhënie reciproke me të drejtat e serbëve të Kosovës. Pra, së paku atë që përfitojnë serbët në Kosovë, ta fitojnë edhe shqiptarët në Luginë të Preshevës”, ka deklaruar ai. Musliu ka potencuar se çdo ditë identifikojnë raste të abuzimit me të drejtat e njeriut, vetëm e vetëm se janë shqiptarë. Ai i vlerëson ndodhitë në Preshevë si spastrime “të heshtura” etnike.
Vetëm Serbia mund t’ia kthejë jetën Preshevës
Në anën tjetër kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi, duke treguar për problemet që ballafaqohet komuna, të cilën udhëheq, potencon se vetëm bashkëpunimi me Serbinë mund t’i zgjidhë problemet atyre. “Ne nuk kemi më gjykatë në komunën e Preshevës dhe prokurori, ne e kemi një papunësi prej 70 për qind, nuk kemi deponi të mbeturinave, e kemi shpërngulje të përditshme, kemi ujë të pijshëm, rrjedh nga gypat e hasbezdit, Serbia nuk mund të hyjë në BE derisa nuk ua ndërron shqiptarëve gypat e hasbezdit. Komunikimi duhet të ndërtohet me qeverinë e Serbisë, vetëm me bashkëpunim me Ministrinë e Serbisë ne mund ta kthejmë jetën në Luginë të Preshevës”, ka deklaruar Arifi në një konferencë të mbajtur në kolegjin “ISPE”.
LVV: Shqiptarët në Luginë, pjesa më e shtypur e kombit
Ndërkohë Belgzim Kamberi, anëtar i Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe njëherësh kryetar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, vlerëson se shqiptarët në Luginë janë pjesa më e shtypur e kombit shqiptar. “Në vazhdimësi kemi diskriminim dhe Serbia ndonëse po avancon në rrugën e saj evropiane, nuk ka kurrfarë ecurie në fushën e të drejtave të njeriut e pakicave. Serbia shkel të drejtat e shqiptarëve në Serbi, ndonëse e ka të ratifikuar Konventën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut”, ka potencuar ai.
Ndërkohë Kamberi ka deklaruar se interesimi i institucioneve kosovare për ta po zbehet çdoherë e më shumë. “E për më keq, në mesin e shqiptarëve të Preshevës është zbehur edhe shpresa për veprimin e këtyre institucioneve në të ardhmen. Përveç problemit të fundit me libra, po të shohim edhe më herët kemi injorim të vazhdueshëm të shqiptarëve të Luginës”, ka thënë Kamberi, sipas të cilit, problemi qëndron tek mungesa e vullnetit politik e si pasojë e kësaj mungese “kemi edhe politika ditore improvizuese”.
“Kosova konkretisht duhet të mos injorojë shqiptarët e Luginës, sidomos në raport me marrëdhëniet e saj me Serbinë, gjë e cila u tregua kundërproduktive edhe për vetë Kosovën. Kosova duhet të mos vazhdojë me koncesione të dëmshme ndaj Serbisë, të cilat cenojnë edhe shtetësinë e saj, por së bashku me Shqipërinë të ngrenë zërin dhe t’i harmonizojnë politikat për shqiptarët në Ballkan”, ka përfunduar ai.
Zëdhënësi i “Nismës për Kosovën”, Bajram Hasani, vlerëson se janë të pakta veprimet e institucioneve karshi shqiptarëve në Luginë.
“E kemi parë tentimin për t’i furnizuar me tekste shkollore nxënësit shqiptarë të Luginës, por edhe ajo më është dukur më tepër si spektakël medial sepse ato libra kanë mbetur të bllokuara. Gjithashtu edhe Kuvendi i Kosovës e pati miratuar një Rezolutë për Luginën e Preshevës dhe akoma ka mbetur e parealizuar”, ka deklaruar ai, duke thënë se Qeveria e Kosovës do të duhej që ta përfshinte çështjen e Luginës së Preshevës edhe në dialogun e Brukselit.
“Angazhimi për përmirësimin e jetës së shqiptarëve të asaj pjese do të duhej të jetë i përbashkët në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, sepse nuk mjafton vetëm angazhimi i njërës palë. Shqiptarët e Luginës duhet të jenë në krye të agjendave të të dyja shteteve shqiptare”, ka përfunduar Hasani.
Nënshkrimi i marrëveshjes në mes të tria shteteve do ta shpëtonte Preshevën
Politologu Ramush Tahiri si zgjidhje të vetme të problemit në Preshevë e sheh nënshkrimin e një marrëveshje mes Serbisë, Kosovës e Shqipërisë. Çdo gjë tjetër përveç kësaj do të ishte e kotë, sipas Tahirit.
“Ekzistojnë konventat evropiane për të drejtat e komuniteteve dhe për qeverisje lokale që Serbia duhet t’i përmbushë. Është punë e organizimit të shqiptarëve si komunitet dhe e të tria komunave në ligjin si pushtet lokal që të insistojnë në realizimin e këtyre të drejtave dhe t’i fitojnë ato duke i inkorporuar ato në ligje dhe në kushtetutë”, ka thënë ai.
Sipas Tahirit, patjetër duhet të bëhet një plan i zhvillimit ekonomik që t’i evitojnë shpërnguljet e popullatës.
Ndërkohë edhe analisti politik, Krenar Shala, mendon se shqiptarët në Luginë duhet t’u vijnë në ndihmë institucionet kosovare e shqiptare në mënyrë që t’i evitojnë shpërnguljet. “Paralelisht me këtë, Kosova dhe Shqipëria duhet t’i adresojnë problemet lidhur me të drejtat themelore tek Brukseli kur kemi parasysh faktin që Serbia është në proces të negociatave për anëtarësim në BE dhe kur kemi parasysh se njëra ndër kushtet e domosdoshme për t’u plotësuar në kuadër të përmbushjes së obligimeve, që dalin nga kriteret e Kopenhagës, është edhe respektimi i të drejtave të bashkësive pakicë”, ka përfunduar ai.