Bisedime për koalicionin AAK - 'Nisma' - AKR

Aktuale November 05, 2016 - 08:16

Aleanca Kosova e Re (AKR) mund t’i bashkohet AAK-së dhe “Nismës” në koalicionin parazgjedhor. Kështu kanë vlerësuar analistët politikë, të cilët kanë thënë se po qe se ndodh një gjë e tillë, atëherë do të krijohet një parti me fuqi solide politike. E një gjë të tillë nuk e kanë mohuar asnjëra prej këtyre partive. Madje AAK-ja dhe “Nisma” kanë thënë se ka gjasa të jetë biseduar në këtë drejtim.

Përfaqësues të këtyre dy partive opozitare kanë deklaruar se i kanë dyert e hapura për AKR-në dhe për partitë e tjera të vogla për të ecur bashkërisht në procesin qeverisës. Mirëpo, për një çështje të tillë nuk ka dashur të komentojë fare Aleanca Kosova e Re.

Megjithëkëtë, para pak ditësh lideri i këtij subjekti politik, Behgjet Pacolli, tha se i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qenë i vetmi prej opozitës që është treguar konstruktiv. Ndërkaq në një prononcim për gazetën “Zëri” ai tha se vijë të kuqe ka vetëm për PDK-në dhe LDK-në.

AAK-ja nuk i mohon bisedimet me AKR-në

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka thënë se mund të ketë pasur bisedime për një koalicion parazgjedhor AAK – “Nisma” - AKR. Siç është shprehur ajo, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e hapur edhe për AKR-në, edhe për partitë e tjera të vogla.

“Sigurisht, ndoshta ka filluar ndonjë bisedim. Aleanca me ‘Nismën’ e kanë një koalicion parazgjedhor, por ne jemi të hapur edhe për partitë e tjera të vogla, të cilat duan t’i bashkohen këtij boshti opozitar”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Kadriaj më tutje ka thënë se janë duke punuar që të dalin partia e parë pas zgjedhjeve.

“Po mendoj që jemi bosht i fortë opozitar dhe një bosht që synojmë ta arrijmë fitoren në zgjedhjet e ardhshme. Ne po synojmë dhe po punojmë që të dalim partia e parë”, është shprehur ajo.

Megjithëkëtë, nga AKR-ja nuk kanë dhënë detaje rreth kësaj çështjeje.
Ish-deputetja e kësaj partie, Myzejene Selmani, duke mos e mohuar krijimin e një koalicioni të tillë, nuk ka dashur të flasë për të. Nga ana tjetër i pari i AKR-së, Behgjet Pacolli, për “Zërin” para pak ditësh ka thënë se nuk pranon të hyjë në koalicion vetëm me PDK-në e LDK-në.

“Me dy partitë në pushtet, PDK-në dhe LDK-në, nuk shoh asnjë lloj mundësie për bashkëqeverisje”, deklaroi Pacolli.

Kurse para pak javësh, duke folur për opozitën ai lavdëroi vetëm AAK-në dhe liderin e saj.

“Unë me AAK-në nuk kam marrëdhënie as të keqe, as të mirë. Por gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë më reale në shtetndërtim. Në takimet që kemi pasur për të ardhmen e vendit Ramush Haradinaj ka qenë shumë konstruktiv”, u shpreh ai.

“Nisma”: Do të dalim partia e parë në zgjedhje

E nga ana tjetër deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka thënë se dyert janë të hapura për AKR-në dhe partitë e tjera që duan ta ndryshojnë qeverisjen. “AAK-ja dhe ‘Nisma’ kanë një marrëveshje për të garuar me një listë në zgjedhje parlamentare, dyert janë të hapura për të gjitha subjektet të cilat janë gatshme të bëhen pjesë e ndryshimit të madh në Kosovë. Këtu nënkuptohet edhe AKR-ja”, ka potencuar ai.

Deputeti i “Nismës” gjatës bisedës është shprehur i bindur se nëse koalicionit AAK –“Nisma” i shtohet edhe AKR-ja, do të dalin si partia e parë.
“Jo e dyta, por e para dhe të gjithë ata që janë të interesuar t’i japin fund keqqeverisjes në vend jemi të hapur që ta bëjmë frontin e përbashkët kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë”, është shprehur Berisha.

Reagon PDK-ja: Ne do të prijmë sërish!

Mirëpo partia më e madhe në vend aktualisht, PDK-ja, shprehet e bindur se një gjë e tillë nuk do të mundë të ndodhë. Nait Hasani, deputet i kësaj partie, ka thënë se PDK-ja do të jetë ajo e cila sikurse herëve të tjera, edhe në zgjedhjet e ardhshme do të prijë e para.

“Asnjëherë PDK-ja nuk mund të rrezikohet nga asnjë parti politike apo koalicion politik. Po të duan edhe LDK-në le ta marrin dhe të bëhen bashkë të gjithë në njërën anë dhe përsëri do t’i mundim të gjithë bashkë në zgjedhje”, ka theksuar Hasani.

Ndërkaq njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, ka vlerësuar se ekziston mundësia për një koalicion AAK – “Nisma” - AKR. “Liderët partiakë kur vjen puna e interesave harrojnë çfarë kanë deklaruar, kështu që ky koalicion është i mundshëm. Pacolli e di se nuk mund të funksionojë si duhet me PDK-në e LDK-në, andaj kërkon partnerë të tjerë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Kurse ka thënë se nëse këto parti bashkohen, atëherë do ta formojnë një parti me fuqi politike.

“Po qe se bëhen bashkë të tria partitë, atëherë do të krijohej një subjekt me fuqi solide politike”, ka shtuar ai.

Ndërsa politologu, Ramush Tahiri, ka konsideruar se është herët të vendoset për koalicione parazgjedhore. “Është herët të merret qëndrim për koalicionet parazgjedhore sepse ende nuk ka asnjë vendim as institucional e as qëndrim të asnjë forumi për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, ka deklaruar ai.

VLAN-i, mësim për partitë politike

Ai më tutje ka thënë se subjektet e tjera duhet të marrin mësim nga dështimi i koalicionit VLAN. “Edhe partitë politike, edhe opinioni i Kosovës duhet të nxjerrin mësime nga dështimi i VLAN-it. Koalicionet më të qëndrueshme dhe me rezultate janë ato parimore dhe me program e platformë të qartë”, ka shtuar Tahiri.

Pavarësisht këtyre, ai ka thënë se së pari duhet parë se a po miratohet reforma zgjedhore  apo jo.

Kurse profesori universitar, Blerim Burjani, ka vlerësuar se lista zgjedhore mund të zgjidhet shumë lehtë, por jo edhe ndarja e posteve. “E zgjidhur mund të jetë përbërja e listës zgjedhore apo kandidimet, por postet qendrore mbeten më vështirë”, ka thënë ai.

Megjithëkëtë, sipas tij, nëse bëhet ky koalicion partitë pjesëmarrëse do të humbasin tejet shumë.

“Ky koalicion do t’i dobësonte përgjithmonë këto subjekte të vogla individuale politike, pra do të humbin si parti në publik. Këto më mirë është të shkrihen në një subjekt politik nëse mund të arrijnë pajtim e që duket e pamundshme sepse janë ambicioze dhe egoiste”, është shprehur ai. Por pavarësisht kësaj, për ta kaluar pragun, siç është shprehur Burjani, rruga më e mirë mbetet krijimi i një koalicioni të tillë.