Veteranët, nën 'llupën' e Prokurorisë
Ndonëse statusin e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet ta gëzojnë mbi 46 mijë qytetarë të Kosovës, listat e publikuara për këta veteranë tanimë janë objekt trajtimi i Prokurorisë së Shtetit. Kush me meritë dhe kush pa meritë një numër i madh i qytetarëve do të futen në skemën pensionale për përfitimin e veteranit të UÇK-së. Ndërkaq, fillimi i hetimeve për keqpërdorimin e mundshëm të këtyre listave ka ardhur pas publikimit të tyre nga ana e Qeverisë, ku është parë një numër enorm i personave të të cilëve do t’u njihet statusi i veteranit të UÇK-së.
Organi i ndjekjes në Kosovë, Prokuroria e Shtetit, ka bërë të ditur se prokurorët janë duke e bërë grumbullimin e informatave në lidhje me keqpërdorimin eventual të listave të veteranëve të UÇK-së. Zyrtarja për Informim e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi, ka thënë se hetimet për këto lista janë duke vazhduar.
“...Prokuroritë janë duke marrë veprimet e nevojshme në bazë të kompetencave që kanë dhe më pas varësisht nga grumbullimi i informatave do të përcaktohet nëse ka fakte për ndjekje penale ndaj personave përgjegjës dhe rrjedhimisht edhe për ngritje të aktakuzës. Tani në këtë fazë, ku hetimet janë duke vazhduar në prokuroritë kompetente, nuk mund të bëhen publike informatat tjera”, ka thënë Kozmaqi.
Ndërsa, ata që në fillim i kundërshtuan listat e veteranëve me një numër kaq të madh ishin vetë organizatat, të cilat i përfaqësojnë vlerat e luftës duke bërë kështu të hidhen edhe më shumë dyshime që gjatë përpilimit dhe hartimit të këtyre listave të ketë pasur manipulime të ndryshme.
Qeriqi: Numri i veteranëve është dyfishuar
Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ka thënë se gjatë përpilimit të këtyre listave ka pasur parregullsi të shumta dhe për këtë ai e bën fajtor Komisionin Qeveritar për Njohjen e Verifikimit të Statusit të Veteranëve, Invalidëve, si dhe Pjesëtarëve të UÇK-së. Qeriqi ka thënë se ky numër i cili është aktualisht, është dyfish më i madh sesa ai i veteranëve të vërtetë.
“Që nga fillimi kur kanë dalë listat e para ne e kemi vërejtur se ka parregullsi dhe kemi reaguar. Që nga publikimi i këtyre listave ne kemi kërkuar hetim, vetë Qeveria e ka vërejtur që ka fryrje të listave. Ne jemi të habitur sesi nuk ka reaguar Prokuroria dhe drejtësia në këtë rast sepse padrejtësisht po përfitojnë njerëzit në emër të luftës së UÇK-së...”, ka thënë Qeriqi.
Edhe Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë se ka pasur keqpërdorime në përpilimin e këtyre listave. Gucati ka bërë të ditur se disa nga veteranët e kanë lëshuar edhe punën për të hyrë në skemën pensionale të veteranëve.
“Ne si Organizatë nuk kemi pasur qasje në ato lista, por unë dyshoj dhe e di që ka pasur keqpërdorime. Këtu i kanë fajet edhe Qeveria, edhe politika. Unë i bëj fajtorë Komisionin Qeveritar bashkërisht me Qeverinë...”, tha ai.
Gucati tha që prejse kanë dalë listat shumë veteranë e kanë lëshuar punën, me qëllim të marrin pensionin. “Vetëm prej komunës që unë vij e kanë lëshuar punën 121 veteranë dhe këta të 121-të kanë hyrë në skemën pensionale dhe rrinë te shtëpia e nuk punojnë. Po ashtu edhe pjesa që ka marrë asistencë sociale është tërhequr nga kjo skemë dhe marrin pension”, ka thënë Gucati.
Në listat, të cilat i ka publikuar Qeveria e Kosovës, është bërë e ditur se numri i personave të cilët kanë aplikuar për statusin e veteranit të lutës është mbi 46 mijë veteranë të luftës. Ndërkaq, zyrtarët e lartë të Qeverisë në vazhdimësi kanë deklaruar se ky numër i madh i veteranëve, të cilët pritet t’i marrin pensionet, i ka tejkaluar të gjitha parashikimet dhe qëndrueshmërinë buxhetore të Kosovës.