'Zhduken' laboratorët nga QMF-të e fshatrave të Drenicës

Aktuale November 04, 2016 - 08:38

Laboratorët në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Qirez, Likofc dhe Runik janë tërhequr në fillim të këtij viti, siç kanë thënë, “për t’u servisuar”, por ata nuk janë kthyer më. Burime përbrenda QKMF-së, thonë se të paktën një prej laboratorëve dhe disa aparatura të tjera kanë përfunduar në ambulanca dhe në laboratorë privatë

Tre laboratorë, në të cilët janë kryer analizat hematologjike (pasqyra e gjakut) në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Qirez, Likofc dhe në Runik të Skenderajt janë “zhdukur” nga atje para më shumë se një viti. Ata janë tërhequr nga QMF-të, me arsyetimin për t’u servisuar, por nuk janë kthyer më, ndërkohë që pacientët shërbimet laboratorike detyrohen t’i marrin në QKMF-në e Skenderajt.

Ndonëse drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, dr. Fazli Kadriu, thotë se laboratorët, apo siç i quan ai, aparate hematologjike janë tërhequr me qëllimin e servisimit të tyre, përbrenda QKMF-së në Skenderaj ka zëra të cilët thonë të paktën një prej laboratorëve (ai i Runikut) dhe një aparat ultrazëri, tashmë kanë shkuar tek privatët.

Por, këtë e ka mohuar drejtori Kadriu, i cili ka precizuar se laboratorët janë tërhequr në fillim të këtij viti dhe se ata janë marrë për t’u kalibruar, e se të gjithë ata janë ndodhur në depon e QKMF-së.

Ndërkaq, ndryshe i ka thënë “Zërit” dr. Ilmi Sahiti, mjek në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Runik. Ai tha se ka mbi 3 vjet që laboratori është marrë nga QMF-ja e Runikut dhe më nuk është kthyer.

“Ka më shumë se tri vjet që laboratori, në të cilin janë kryer analizat hematologjike është marrë nga këtu. Kanë ardhur dhe e kanë marrë, kanë thënë se drejtori i ka dërguar për ta marrë, ku ka shkuar nuk e di. Kanë thënë se duhet ta dërgojnë për t’ia kryer servisimin. Prej atëherë jemi pa të”, ka thënë Sahiti.

“Jo, kjo çfarë ka thënë dr. Sahiti është krejtësisht e pavërtetë, sepse laboratorët, apo aparatet hematologjike i kemi marrë nga QMF-të në Qirez, Likofc dhe Runik në fillim të këtij viti me qëllim të servisimit të tyre, kursesi para tre vjetësh. Eshtë rregull që të gjitha aparatet pas një periudhe të përdorimit duhet të kalibrohen. Ato aparatura janë tërhequr dhe janë në depo, por e keqja është se ka vetëm një operator për kalibrimin e tyre dhe ne po presim që të kryhet servisimi i tyre dhe i aparaturave të tjera. Sigurisht se sapo të kryhet servisimi, apo kalibrimi i aparateve hemotologjike, por edhe i aparaturave tjera do t’i kthejmë atje ku kanë qenë, në shërbim të pacientëve”, ka siguruar drejtori i QKMF në Skenderaj, Fazli Kadriu.

E burime të tjera përbrenda Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj, thonë se aparatura të ndryshme, përfshirë edhe laboratorin që është marrë në Runik janë tretur krejtësisht dhe nuk ndodhen as në depot e QKMF-së. Disa nga mjekët dhe stafi tjetër i QKMF-së, të cilët druajnë të identifikohen për gazetën, por që flasin me kusht anonimiteti, përmendin edhe një aparat ultrazëri që ka qenë në Repartin e Maternitetit dhe i cili është marrë dhe është dërguar në depo, me arysetimin se është prishur dhe i cili nuk është më as në depo.
Sipas tyre, të paktën këto dy aparatura kanë shkuar në ambulanca private.

Në Repartit të Maternitetit i kanë thënë “Zërit” se një aparat ultrazëri ndodhet në repart dhe ai është funksional. Por, ata kanë sqaruar se aparati i ultrazërit që ndodhet aktualisht aty, nuk është ai që ka qenë përpara, por është zëvendësuar me këtë aktual.

Në anën tjetër, drejtori i QKMF, Fazli Kadriu, i pyetur për fatin edhe të shumë aparaturave dhe mjeteve tjera që kanë ardhur si donacion nga organizata të ndryshme të huaja, të shumtën nga Gjermania, është përgjigjur se shumica e tyre janë shpërndarë në terren, por që disa sosh nuk kanë hyrë në punë në QKMF dhe as në punktet shëndetësore në terren dhe ato ndodhen në depot e QKMF-së.

Drejtori i QKMF-së në Skenderaj, ka dhënë në fund një lajm të mirë për qytetarët e Skenderajt. Ai tha se pas një kohe të gjatë është funksionalizuar Reparti i Stomatologjisë në kuadër të QKMF-së në Skenderaj.
“Kemi dy stomatologë që punojnë, stomatologu i përgjithshëm dhe stomatologu për sëmundjet e dhëmbëve tek fëmijët. Nuk mund të kryejnë punë të mëdha, pasi që materiali është shumë i shtrenjtë dhe me buxhetin që kemi nuk mund ta mbulojmë”, ka thënë Kadriu, sipas të cilit, për nxjerrjen e një dhëmbi duhet paguar 2 euro, ndërkohë që nga pagesa lirohen kategoritë e luftës, pastaj pensionistët dhe fëmijët nën moshën 18-vjeçare.