Do të vazhdojnë takimet për Demarkacionin
Udhëheqësi i dialogut në mes të subjekteve politike në vend, Naim Rashiti, ka bërë të ditur për “Zërin” se do të vazhdojnë përpjekjet për arritjen e konsensusit për çështjen e Demarkacionit. Megjithatë ende nuk është caktuar ndonjë datë për takim në mes të liderëve.
Përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Bëhet e ditur se janë duke vazhduar konsultimet për këtë çështje, megjithatë ende nuk është caktuar ndonjë datë për takim në mes të liderëve të subjekteve politike. Koalicioni qeverisës thotë se është në pritje të arritjes së konsensusit, ndërsa opozita, pret nga pushteti që ta pranojë rishikimin e marrëveshjes.
Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika, i cili ka organizuar dialogun në mes të subjekteve politike në vend ka thënë për “Zërin” se janë duke vazhduar konsultat për çështjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, megjithatë ka bërë të ditur se aktualisht nuk është duke u përgatitur ndonjë takim ndërmjet liderëve partiakë në vend.
“Konsultat do të vazhdojnë, por nuk kemi ndonjë plan për takime. Do të ketë përpjekje tjera, jemi duke zhvilluar konsulta për të bërë çfarë është e mundur në këtë drejtim, por aktualisht nuk jemi duke përgatitur ndonjë takim të liderëve, ndërsa takime të niveleve tjera kemi mbajtur shumë shpesh”, ka deklaruar Rashiti.
Më tej ai ka thënë se dialogu të cilin po e organizon është platformë e gjerë në kuadër të së cilës do të trajtohen edhe tema tjera.
“Dialogu, është platformë shumë e gjerë, ne e kemi marrë Demarkacionin vetëm pse ka qenë temë e kohës sepse nuk do të merremi shumë me Demarkacionin, por është një prej shumë segmenteve të platformës së dialogut. Do të vazhdojë dialogu edhe në tema tjera”, ka shtuar Rashiti.
Mst: “Vetëvendosje” kërkon të reflektojë Qeveria
Ndërkohë, anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Zgjim Hyseni, ka thënë se ky subjekt e ka dhënë kontributin e vet për gjetjen e një zgjidhjeje. Ndërsa thotë se para se të flitet për takimet e reja në mes të liderëve duhet të ketë reflektim të Qeverisës.
“Ne e kemi dhënë kontributin tonë për daljen nga kriza që e ka shkaktuar kjo çështje, duke prezantuar fillimisht një propozim prej 5 pikave, në të cilat janë përmbledhur veprimet që Ratifikimi i Demarkacionit të bëhet në përputhje me integritetin territorial të vendit, me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe rregullat e së drejtës sonë ndërkombëtare. Qëndrimet tona i kemi shprehur edhe në takimin e liderëve dhe para se të flitet për takime të reja, do të duhej të kishim reflektim nga ana e Qeverisë”, është shprehur Hyseni duke thënë se ekzekutivi është përgjegjës për ecurinë e mëtutjeshme dhe për çdo vonesë.
Ndërsa, zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj ka thënë se ende nuk ka ndonjë risi sa i përket takimeve të këtij niveli.
“Tash për tash nuk ka kurrfarë takimesh për këtë çështje. Nuk e di se çka do të ndodhë më vonë”, ka theksuar Nitaj.
Sherifi: Koalicioni ta pranojë se ka dështuar Demarkacioni
Kurse, sekretari i Përgjithshëm i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi ka thënë se opozita është e gatshme për takime, megjithatë, ai ka thënë se koalicioni duhet ta pranojë që ka dështuar Marrëveshja për Demarkacionin dhe përderisa një gjë e tillë nuk pranohet nga koalicioni, nuk mund të miratohet as deklarata me të cilën pritet që Kosova t’iu drejtohet institucioneve të Bashkimit Evropian për liberalizim të vizave.
“Opozita është e gatshme të vazhdojë takimet për të gjitha çështjet. Sapo koalicioni qeverisës të jetë gati të pranojë faktin se ky version i Demarkacionit nuk kalon, ne jemi të gatshëm ta nënshkruajmë deklaratën në fjalë. Pa gatishmërinë e koalicionit për të rishikuar marrëveshjen kjo deklaratë do të mbetet e pa përfunduar. Vetëm gatishmëria e Qeverisë për ta rishikuar e lëvizë këtë çështje përpara”, ka përfunduar Sherifi.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e koalicionit qeverisës nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, duke thënë se presin arritjen e konsensusit.
Përndryshe më 25 tetor është mbajtur takimi i fundit në mes të krerëve të subjekteve politike në vend, në të cilin pritej të nënshkruhej deklarata në të cilën partitë politike zotoheshin se do ta zgjidhin problemin e Demarkacionit. Por edhe ky takim përfundoi pa marrëveshje për shkak se subjektet opozitare kërkonin që në këtë deklaratë në vend të nocionit “shikim i marrëveshjes” të shkruhej “rishikimi i marrëveshjes”, kërkesë e cila nuk u pranua nga koalicioni qeverisës.