Arrestimet sfidojnë dialogun Kosovë - Serbi

Aktuale November 02, 2016 - 08:13

Shteti serb po vazhdon t’i arrestojë qytetarët shqiptarë nga Kosova me akuzën për “Krime lufte”.

Pas arrestimit të kolonelit të Policisë Nehat Thaçit, ai që ka rënë në duar të policisë dhe të gjyqësisë serbe është Hilmi Kelmendi, i cili apriori është dënuar me 30 ditë paraburgim.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ) deklarojnë se kanë dërguar në Serbi një notë formale ku kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Kelmendit.

Kurse në lidhje me arrestimin e fundit ka reaguar edhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila ka kërkuar nga ndërkombëtarët të ndërmjetësojnë në këtë çështje.

Pavarësisht arrestimeve që po bëhen në Serbi, ministrja Edita Tahiri thotë se kosovarët mund të lëvizin në Serbi pa ndonjë frikë, ndërsa MPJ-ja ka bërë apel tek qytetarët t’i shmangin udhëtimet në shtetin fqinj.

Derisa Qeveria është e pakoordinuar në qëndrimet e saj, opozita e ka vlerësuar si të dështuar dialogun me Serbinë. Kurse analistët konsiderojnë se arrestimet e fundit janë vepër e Qeverisë së dështuar të Kosovës.

Bashmir Xhemaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se arrestimet nga ana e Serbisë po rrezikojnë të arriturat pesëvjeçare mes dy shteteve.

LEXO EDHE: Lirohet Thaçi, frika mbetet

“Kjo situatë po rrezikon gjithë ato që janë arritur gjatë pesë vjetëve, sa edhe po zgjat procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Për më tepër, rrjedha e procesit dhe menaxhimi i tij na kthen, pavarësisht vullnetit tonë, në kohë të cilat jemi të bindur se nuk do të përsëriten, por i japin një shije të hidhur përpjekjeve për normalizim dhe krijojnë dyshime serioze për ekzistencën e motiveve politike në këtë rast”, ka deklaruar Xhemaj.

Po ashtu MPJ-ja i ka dërguar një notë formale Serbisë përmes së cilës ka kërkuar lirimin e Kelmendit.

Tahiri: Arrestimi i Kelmendit, akt arbitrar

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e konsideron si akt arbitrar arrestimin e Hilmi Kelmendit. Ajo ka konstatuar se qytetarët kosovarë mund të udhëtojnë në Evropë edhe përmes Serbisë, sepse një gjë të tillë, sipas saj, e garanton vetë Serbia përmes dialogut të Brukselit.

“Arrestimi i z. Kelmendit nga ana e policisë së Serbisë është një akt arbitrar, i cili është i papranueshëm dhe që dëmton rëndë dialogun mes të dyjave shteteve që po zhvillohet në Bruksel dhe që ka për synim normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore”, ka thënë Tahiri për “Zërin”. Sipas saj, Serbia duke u sjellë në këtë mënyrë nuk po jep sinjale për dialog. Siç thotë ajo, pas arrestimit të Kelmendit reagimi i Ministrisë që ajo drejton ka qenë i menjëhershëm.

“Ne menjëherë kur ka ndodhur kjo ngjarje kemi ftuar Bashkimin Evropian, i kemi theksuar këto sjellje të Serbisë dhe kemi kërkuar angazhimin e BE-së. Ndërkohë edhe Ministria e Punëve të Jashtme si institucion që ka autoritet për t’u kujdesur për qytetarët tanë jashtë vendit ka marrë aktivitetet e saj diplomatike për t’i njoftuar ndërkombëtarët”, ka thënë ajo, duke e ripërsëritur kërkesën e saj për reciprocitet mes shteteve. 
“Ajo që po shoh është një sjellje e Serbisë që është e dëmshme për dialogun në Bruksel. Porosia ime është për faktorin ndërkombëtar që të ndërhyjë në këtë rast, edhe të z. Kelmendit”, ka shtuar më tutje Tahiri.

LVV: Liria e Kelmendit vjen me miratimin e rezolutës

Në anën tjetër Lëvizja “Vetëvendosje” vlerëson se veprimi i duhur, i cili do t’ia mundësonte lirinë Kelmendit është miratimi i një rezolute që kërkon ndërprerjen e negociatave me Serbinë. Deputeti i këtij subjekti, Driton Çaushi, ka deklaruar se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë guxim ta votojnë këtë rezolutë.

“Deputetët e koalicionit PDK - LDK nuk e patën guximin për votimin e kësaj rezolute dhe votuan një rezolutë boshe e pa asnjë peshë dhe më pas ndodhi edhe arrestimi tjetër, ai i Hilmi Kelmendit, prapë me akuzë për ‘krime lufte’”, ka deklaruar Çaushi, sipas të cilit, arrestimet ndaj kosovarëve do të vazhdojnë nga ana e Serbisë.
“Kosova jo që nuk po bën mjaftueshëm për t’i mbrojtur qytetarët e saj, por nga zyrtarë apo krerë institucionalë dëgjojmë deklarata qesharake, pikërisht si kjo e ministrit Hoxhaj, ku bëhet thirrje tek qytetarët që të mos vizitohet Serbia, teksa në vazhdimësi na flitet për normalizim të marrëdhënieve me këtë shtet”, ka vlerësuar ai.

Analistët: Dialogu me Serbinë, vetëm farsë

Njohësi i çështjeve politike, Haki Abazi, mendon se arrestimet e shqiptarëve të Kosovës në Serbi kanë dëshmuar se dialogu me Serbinë është vetëm një farsë. “Arrestimi i qytetarëve shqiptarë të Kosovës 17 vjet pas luftës nën akuzat e regjimit të Millosheviqit tregon se dialogu në Bruksel është farsë dhe sabotim i shtetit të Kosovës, tregon paaftësinë e institucioneve të Kosovës dhe sa joseriozisht i marrin partnerët”, ka deklaruar Abazi, sipas të cilit, BE-ja në vendime është selektive kur bëhet fjalë për drejtësinë.

“Në njërën anë ka ligj për amnistinë e të gjithë pjesëtarëve të njësive policore e paramilitare që kanë bërë krime në Kosovë, ndërsa pjesëtarë e zyrtarë të Kosovës arrestohen në Serbi. Ky është dështim i Edita Tahirit, Hajredin Kuqit, Hashim Thaçit”, ka potencuar Abazi.

Ndërkaq analisti politik Krenar Shala konsideron se Qeverisë së Kosovës i mungon vullneti për të ndërmarrë masa reciproke ndaj Serbisë.

“Mendoj që Kosova vuan për shkak të kredibilitetit të ulët si rezultat i korrupsionit të lartë, rrjedhimisht mungon vullneti i Qeverisë për të ndërmarrë masa reciproke ndaj Serbisë”, ka deklaruar Shala.

Më tutje njohësi i çështjeve politike potencon se Serbia mund të tregohet racionale me Kosovën vetëm nëse vendi ynë vendos masa reciproke ndaj saj.

Edhe analisti Nexhmedin Spahiu mendon se arrestimet e fundit tregojnë pafuqinë e institucioneve të Kosovës në raport me Serbinë.

“Kjo është shprehje e pafuqisë nga ana e Kosovës. Realizimi i sovranitetit të Republikës së Kosovës nuk është një gjë që bëhet për një ditë...”, ka deklaruar Spahiu, sipas të cilit, krerët institucionalë nuk e dinë se cilit komb i takojnë ata, sipas tij, “nuk mund të flasin për interesa kombëtare”.