Moskontrollimi i donatorëve të spermës dhe vezoreve, rreziqe alarmante
Të hënën sapo ka përfunduar një cikël provimesh me studentët e Fakultetit të Mjekësisë për lëndën e Gjinekologjisë. Myrvete Paçarada, drejtoreshë e Klinikës së Gjinekologjisë, njëherësh udhëheqëse e Komsionit për Frytnimin e Asistuar Mjekësor (KFAM) ka treguar ekskluzivisht për “Zëri” detaje që ndërlidhen me raportin për frytnimin e asistuar mjekësor. Ajo ka folur edhe për dyshimet që ka KFAM për shitblerjen e spermës dhe qelizave vezë nga ana e spitaleve private që merren me fertilizimin artificial, shkruan sot, gazeta Zeri.
Një fakt tjetër shqetësues që sipas saj e ka vërejtur KFAM gjatë monitorimit është përcaktimi i gjinisë. Kjo, thotë Paçarada shkakton disbalancë gjinore, derisa moskontrollimi i donatorit të spermës dhe qelizave pos rrezikut të bartjes së sëmundjeve, sipas saj, pas 20 vitesh mund të çojë në martesa mes vëllait e motrës.
Zëri: Gazeta “Zëri” e ka siguruar një raport që KFAM, të cilën Ju e udhëhiqni ia ka drejtuar Ministrit të Shëndetësisë, në lidhje me procedurat e IVF-së në Kosovë. Ajo që na ka rënë sy në atë raport janë dyshimet për shit-blerje të spermës dhe vezoreve nga vendet fqinje. Në çka i keni bazuar këto dyshime ?
Paçarada: Ne gjatë monitorimit dhe vizitave që kemi bërë në qendrat e licencuara kemi kërkuar komplet dokumentacionin lidhur me atë se cilat janë rastet që lejohen, e cilat nuk lejohen. Kush janë donatorët, prej ku merret materiali?!
T’ju them të drejtën të dhënat nga institucionet janë të mangëta. Së pari, vërejtja jonë ka qenë se çka është embriolog ?! Ne në Kosovë nuk kemi degë të embriologjisë në Fakultetin e Mjekësisë. Por, me disa trajtime dhe me gjëra që as vetë ata nuk e kishin të qartë.
Këtë përgjigje duhet ta japë Ministria e Arsimit në marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë.
Ekziston një rrezik real që donatori të mos kontrollohet. Ndonëse me ligj është shumë mirë e rregulluar që donatori nuk paguhet përveç mëditjeve të ushqimit.
Por, shtrohet pyetja pse një njeri vjen prej një qendre në qendrën tjetër të bëhet donator. Çka e detyron atë t’i lërë punët e veta e të vijë si donator? A jemi aq human ne apo ekziston edhe diçka tjetër prapa asaj?!
Zëri: Përmendni në raport vendet fqinje…?
Paçarada: Ka mundësi, sepse vendet fqinje importojnë nga donatorët materialet. Në Maqedoni për shembull e kanë qendrën për donacion dhe importojnë donacione nga shtetet e ish Bashkimit Sovjetik. Ne në Kosovë nuk e kemi mirë të rregulluar Qendrën për Donacion. Nuk e kemi qendrën ku vijnë donatorët dhe aty jepet dhe mblidhet materiali. Çka është shumë me rëndësi në këtë moment, duhet që donatori të jetë i kontrolluar.
Ai mund të bartë ndonjë sëmundje trashëguese apo problem gjenetik që nuk guxojmë ta kalojmë pa kontroll.
Zëri: Pak më konkretisht zonja Paçarada. Në raport thuhet decidivisht: Dyshohet se donatorët vijnë nga vendet fqinje, për cilat vende fqinje është fjala ?
Paçarada: Është problemi që ne kemi ngritur dyshimin se pacientët shkojnë edhe në Maqedoni prej këtu, bëhet fertilizimi dhe kthehen. Aty është drejtpërdrejt dyshimi. Prandaj, është interesimi ynë që të dihet kush është donator, çdo njeri nuk guxon të jetë donator. Ky problem duhet të rregullohet patjetër në kuadër të Ministrisë se kush guxon të jetë donator dhe duhet të organizohet Qendra për Donacion.
Zëri: Në raport po ashtu është një detaj tjetër interesant – thuhet se me ligj ndalohet përcaktimi i gjinisë kurse KFAM dyshon se kjo është duke ndodhur. Pse i keni ngritur këto dyshime?
Paçarada: Ky është dyshim i tjetërkujt, jo i yni. Në Kosovë, në konferencat që janë mbajtur me mjekë ekziston një dyshim që në Kosovë kemi më shumë meshkuj se femra. Dhe ka ekzistuar një dyshim që me anë të fertilizimit in – vitro po përcaktohet gjinia. Prandaj, ne kemi dashur që të sqarohet ky problem njëherë e përgjithmonë. Bëhet seleksionimi gjinor megjithëse të gjithë ata kanë qenë kategorik se jo ne nuk e bëjmë seleksionimin gjinor, ne nuk marrim donatorë, ne nuk bëjmë fertilizim in vitro mbi moshën 45 vjeçe kur ne në Klinikë çdo ditë ballafaqohemi me ato raste.
Po ashtu edhe një problem tjetër që po ‘takohemi’ edhe me nga tre fryte edhe pse është një marrëveshje që të mos “gjuhen” më shumë se dy fryte. Prandaj, qëllimi i këtij monitorimi nuk ka qenë që të ndalohet puna. Por, këto institucione duhet të jenë mirë të kontrolluara nga Inspektorati Shëndetësor i MSh-së dhe duhet t’iu përmbahen normave ligjore.
Zëri: A është e ndaluar që përmes in-vitro fertilizimit të krijohen trenjakë?
Paçarada: Jo, nuk është e ndaluar. Por, shtatzënia me treneqë por edhe me bineqë konsiderohen si shtatzëni të riskut.
Zëri: Pse është me rëndësi të raportohen rastet e shtatzënisë in-vitro mbi 45 vjeç?
Paçarada: Sepse në këtë fazë gratë hyjnë gradualisht në klimaterium dhe paraqiten shumë sëmundje. Andaj tek fertilizimi tek gratë mbi 45 vjeç duhet marrë leje nga KFAM-i.
Zëri: Përmendët punën e një disproporcioni në mes gjinive?
Paçarada: Po, kjo ka qenë edhe në media se çfarë karakteristike kemi ne në Kosovë që kemi më shumë djem dhe ka qenë dyshimi mos fëmijët vajza po abortohen apo gjatë intervenimit in-vitro po bëhet seleksionimi i gjinive.
Zëri: Cila është mundësia më e madhe që e rrit disproporcionin gjinor?
Paçarada: Unë mendoj që prapë fertilizimi in-vitro e rrit më shumë ngase komisioni që lejon abortet në shkallën e dytë në Klinikën e Gjinekologjisë nuk ka lejuar kurrë aborte në baza gjinore.
Zëri: A ka pasur kërkesa të tilla?
Paçarada: Po, ka pasur kërkesa të tilla.
Zëri: Prindi ka ardhur dhe ka kërkuar abort vetëm për shkak të gjinisë?
Paçarada: Po, ka thanë i kam 7 apo 8 vajza. Dua të abortoj. Por, as që kemi dashur të dëgjojmë. Por ka raste që na kanë shtyrë të dyshojmë që është duke ndodhur një gjë e tillë, nëpër këto institucione ku po bëhet IVF-i për shembull. Kemi rastin kur vjen gruaja në Gjinekologji të lindë. Dy apo tre fëmijë vajza i ka lindur normal dhe menjëherë fëmijën e tretë, të katërt apo të pestin shkon dhe bën IVF. Çka e detyron atë grua përveç përzgjedhjes së gjinisë. Thjesht, ky ka qenë dyshim dhe është punë e inspektoratit që t’i hetojë këto dyshime, nëse qëndrojnë apo nuk qëndrojnë.
Zëri: Në përqindje a dihet sa është numri i rasteve që mbesin shtatzënë përmes IVF-it?
Paçarada: Jo, sepse nuk kemi raportim të sigurtë.
Zëri: A po më thoni se është aq i madh ky numër sa të jetë edhe përcaktues i krijimit të një disproporcioni në gjininë e popullatës?
Paçarada: Jo, ne nuk mund ta themi as këtë e as atë. Por, nëse ekziston një dyshim, ai duhet të vërtetohet apo të demantohet nga ana e Inspektoratit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Zëri: E përmendët punën e ekzaminimeve të donatorëve. Pse është e rëndësishme të bëhet kjo?
Paçarada: Kur po kërkoj decidivisht që të bëhet analiza e donatorit, të merret anamneza e tij, të bëhet kontrolli gjenetik dhe po ashtu duhet të dihet saktë në cilat vende donatori ka dhënë materialin e tij.
Zëri: Pse duhet të dihet kjo?
Paçarada: Sepse i njëjti donator mund të japë në dy apo tri vende tjera donacion dhe pas 20 apo 30 vjetëve mund të martohen vëlla e motër.
Zëri: A mund të na thoni nëse keni gjetur diçka inkriminuese gjatë monitorimit?
Paçarada: Jo, nuk kemi gjetur diçka inkriminuese. Po të gjenim diçka të tillë do të alarmonim duke urdhëruar inspektoratin për dyshime në krim. Përkundrazi, ne vetëm kemi tërhequr vërejtjen gjatë kësaj vizite monitoruese që mos të na ndodhin gjëra të tilla dhe donatorët të kontrollohen mirë e këto klinika të kenë të dhëna të sakta për donatorët, çka deri më tani nuk ka ndodhur.