Procesi i integrimit mund të zgjasë 15 vjet

Aktuale November 01, 2016 - 07:42

Pushteti fajëson politikat evropiane për stagnimin e procesit, derisa opozita drejton gishtin tek pushtetarët si shkaktarë të izolimit të Kosovës, shkruan sot, gazeta Zeri.

Procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian do të jetë një proces mjaft i vështirë dhe i gjatë i cili mund të zgjasë për plot 15 vjet. Nisur me një proces të stagnuar të liberalizimit të vizave i cili edhe më shumë e zhargit tërë procesin drejtë BE-së. Pushteti fajëson politikat evropiane për stagnimin e procesit, derisa opozita drejton gishin tek pushtetarët si shkaktarë të izolimit të Kosovës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi para pak ditësh në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian kritikoi BE-në se po përdor standarde të dyfishta karshi Kosovës. Sipas tij, qasja e Bashkimit Evropian kundrejt Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave është krejtësisht e padrejtë. “E konsideroj jo të drejtë këtë qasje të BE-së ndaj Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave”, deklaroi Thaçi. Ngjashëm u shpreh edhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili për ngecjen në procesin e integrimit ia hodhi fajin BE-së po ashtu. Pavarësisht këtyre, ish-shefja e Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme, Catherine Ashton, vlerësoi se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë drejt integrimit.
 
“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë më shumë në përmbushjen e detyrimeve të tyre për të treguar se ato duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian”, tha ajo gjatë javës së shkuar.

VV: Qeveria, fajin kryesor për mosliberalizim

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane, Donika Kadaj-Bujupi ka vlerësuar se qeveria e tanishme mban fajin kryesor për mosliberalizim të vizave, e jo BE-ja.“Duhet sqaruar se fajtori kryesor për liberalizimin e vizave është vetë Qeveria e Kosovës në krye me Isa Mustafën, por edhe të mëhershmet me Thaçin kryeministër. Liberalizimi i vizave nuk na është dhënë sepse në Kosovë mbretëron krimi i organizuar dhe korrupsioni në shkallë endemike, që nuk janë luftuar asnjëherë”, ka deklaruar ajo. Ndërkaq, sipas saj, përgjegjës për shkallën e lartë të korrupsionit janë presidenti Thaçi dhe kryetari i kuvendit Veseli.

“E për krimin dhe korrupsionin, përgjegjës kryesorë pa dyshim janë Presidenti Hashim Thaçi e Kryparlamentari Kadri Veseli, që tash po e bëjnë përgjegjëse BE-në për vonesat në këtë proces. Thaçi e Veseli, së bashku edhe me KM Mustafa janë koka të krimit që e kanë bllokuar Kosovën brenda dhe e kanë izoluar”, ka shtuar ajo. Pavarësisht kësaj, ajo ka vlerësuar se demarkacioni si kriter për liberalizim të vizave për Kosovën është i padrejtë. Sipas Kadaj-Bujupit ky kriter nuk i është caktuar asnjë vendi tjetër nga BE-ja, pos Kosovës. Deputetja e LVV-së tutje ka thënë se Kosova aktualisht është larg nga procesi i integrimit dhe liberalizimit. “Jemi shumë larg. Vërtet është fatkeqësi, por jemi në gjendje tmerrësisht të keqe. Kriminelët kanë kapur secilin institucion dhe vendi po ka regres në secilën fushë”, është shprehur ajo.

AAK: Integrimi do të zgjasë me vite

Nga ana tjetër, Time Kadriaj, deputete e AAK-së, njëherit anëtare e Komisionit për Integrime ka vlerësuar se Bashkimi Evropian ka vënë standarde të dyfishta për Kosovën.

“Është hera e parë që po e dëgjojmë tash prej kryeparlamentarit dhe presidentit të shtetit, se Evropa ka vendosur standarde të dyfishta në raport me Kosovën për integrim dhe liberalizim të vizave. Ne jemi duke e parë qe një kohë të gjatë këtë”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, ka konsideruar se integrimi dhe liberalizimi nuk do të finalizohen shpejt si procese. “Jam shumë skeptike që shpejt do të kemi liberalizim të vizave, e mos të flasim për anëtarësimin në BE e këto të tjerat që janë procese që zgjasin me vite”, ka potencuar ajo. Andaj, ashtu siç ka thënë deputetja e AAK-së, finalizimi i procesit të integrimit mund të zgjasë më shumë se një dekadë. “Në takimet që kemi pasur me vendet anëtare të reja duke e elaboruar punën dhe vështirësitë gjatë procesit të integrimit në faza, ishte një periudhë e gjatë e anëtarësimit diku 10-15 vjet. Domethënë, për të qenë pjesë e BE-së si anëtare e barabartë na duhen 10-15 vjet”, ka theksuar ajo.

Nisma: Thaçi fajëson të tjerët për dështimet e veta

Valdete Dushica-Bajrami, zëvendëskryetare e Komisionit të Integrimeve, njëherësh deputete e Nismës për Kosovën, ka vlerësuar se qeveria e tanishme i ka sjellë Kosovës vetëm izolim, asgjë tjetër. Sipas saj, krerët shtetërorë tashmë po e fajësojnë edhe BE-në për dështimet e tyre. “Jo që nuk kemi lëvizje të lirë por me udhëheqje të këtyre njerëzve të papërgjegjshëm Kosovës i është ofruar izolim total pikërisht nga mospuna e tyre. Këta nuk ishin të zotë që t'i kryejnë obligimet për të cilat kanë dhënë edhe premtime, prandaj po mundohen ta gjejnë fajtorin fillimisht tek opozita e tash së fundmi edhe tek BE-ja”, ka deklaruar ajo. Dushica-Bajrami tutje, ka thënë se presidenti i tanishëm gjithmonë ka fajësuar të tjerët për mossukseset e tij. “E dimë se z.Thaçi si zakonisht, gjithnjë fajëson të tjerët për dështimet e tij. Shikuar objektivisht, janë pikërisht politikat e tij të papërgjegjshme qeverisëse të cilat kanë lënë pasoja aq të rënda saqë do të duhen vite për ta sanuar gjendjen e krijuat nga politikat e tij”, ka shtuar ajo.

Ujkani: Nuk duhet të fajësohet BE-ja

Kurse, njohësi i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani, ka vlerësuar se nuk duhet fajësohet BE-ja për ngecjet e Kosovës. “Sa i përket ngecjes së Kosovës në agjendën evropiane, mendoj se nuk është e drejtë të fajësohet Bashkimi Evropian”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, nuk mund të justifikohet fakti që institucionet e Kosovës duhet të punojnë më shumë për t’i kryer obligimet e veta, ani pse ende nuk është njohur nga 5 vendet anëtare të BE-së. “Prapëseprapë kjo nuk e justifikon assesi faktin që ne duhet t’i bëjmë detyrat tona, të punojmë më tepër në luftimin ndaj korrupsionit. Natyrisht, çështja e Demarkacionit është e drejtë apo jo, ajo është kriter. Unë mendoj që është kriter pak i rreptë se nuk është dashur, megjithatë është një fakt që duhet ballafaquar me të”, ka shtuar ai. Ndërkaq, sa i përket Rezolutës e cila pritej të ratifikohej në kuvend, e që kërkonte nga BE-ja liberalizim vizash para finalizimit të demarkacionit, sipas tij, nuk do të çonte peshë te Bashkimi Evropian.

“Në qoftë se do të ishte miratuar, do ta ndërronte klimën politike, do t’i shërbente pak a shumë ofrimit të qëndrimeve, përndryshe unë mendoj se në aspektin e agjendës evropiane për liberalizim të vizave kjo nuk do të kishte kurrfarë efekti”, ka theksuar Ujkani.

Ajeti: Procesi i integrimit do të jetë i gjatë

Dren Ajeti nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka vlerësuar se procesi i integrimit vetëm sa ka filluar dhe se një proces i tillë do të jetë mjaft i gjatë. “Procesi i integrimeve evropiane të Kosovës sapo ka filluar. Me nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit kemi marërveshjen e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së dhe mund të themi se ky është hapi i parë i rëndësishëm i Kosovës në këtë drejtim. Por, ky proces do të jetë i gjatë dhe as që mund të flitet për një integrim të shpejtë të Kosovës në BE”, ka deklaruar ai. Ndërkaq, sa i takon ngecjes së liberalizimit të vizave, ai thotë se faji bie mbi partitë dhe deputetët e Kosovës. “Kurse në lidhje me liberalizimin e vizave, që është një proces i integrimeve evropiane, faji nuk mund t’i lihet askujt pos partive dhe deputetëve të përfaqësuar në Kuvend. Është e vërtetë se ky kusht nuk i është parashtruar asnjë shteti tjetër, por kjo nuk e zhbën faktin se nuk është plotësuar”, ka theksuar Ajeti. Ai tutje ka thënë se partitë politike, në vend se të merreshin me thelbin e problemit u morën me akuza dhe kundërakuza që për rezultat nuk kishin asgjë. “Kjo u vërejt edhe javën e kaluar, kur këto parti nuk arritën të pajtoheshin as për një deklaratë të thjeshtë, që në fund të fundit s’është se do të prodhonte ndonjë efekt. 

Afatet për liberalizim ikën dhe faji për këtë është vetëm i kësaj elite politike”, ka përfunduar Ajeti.

Gashi: Fajin e kemi ne

Ndërkohë, Krenar Gashi, studiues i politikave të Bashkimit Evropian ka vlerësuar se fajin për vonimin e liberalizimit të vizave e ka vetë Kosova. “Presidenti e Kryeparlamentari mund të kenë thënë çfarë të duan, por fajin për ngecjen në procesin e liberalizimit të vizave e kemi vetë ne”, ka deklaruar ai. Ndërkaq, sa u takon akuzave që krerët shtetërorë po i bëjnë BE-së, Gashi ka thënë se një metodë e tillë po përdoret me qëllim që ta shfajësojnë veten. “Sa i përket akuzimit të BE-së se po përdorë standarde të dyfishta në raport me Kosovën, ato nuk janë gjë tjetër pos rënkime rasti duke u munduar që për detyrat e institucioneve ta fajësojnë dikë tjetër”, ka shtuar ai. Duke folur për finalizimin e procesit të integrimit e liberalizimit, Gashi ka thënë se fillimisht duhet përfundojë Marrëveshja e Demarkacionit. “E para e punës duhet përfunduar punët në procesin e demarkacionit. Më pas, gjithçka varet nga agjenda dhe disponimi në Këshill të Ministrave, pra nga vendet anëtare”, ka shtuar ai. Gashi gjatë bisedës ka thënë se Bashkimi Evropian tashmë gjendet në një krizë të thellë. Kjo edhe siç ai potencon ka ndikuar në qasjen e BE-së ndaj Ballkanit. Megjithëkëtë, sipas tij, vëmendja e këtij unioni veçse është shtuar karshi Ballkanit. “Përfundimisht, edhe pse kriza në BE mund ta ketë vonuar anëtarësinë e vendeve të Ballkanit në këtë union, vëmendja e BE-së në Ballkan veçse është shtuar”, ka deklaruar ai.

Abazi: Demarkacioni nuk po zgjidhet qëllimisht

E Haki Abazi nga Rockfeller Brothers Fund ka vlerësuar se nuk ka liberalizim përderisa personat e dënuar braktisin shtetin e tyre. “Nuk ka liberalizim të vizave kur shokët dhe miqtë e presidentit dhe kryeparlamentarit kontrollojnë të dhënat personale, nuk ka liberalizim përderisa njerëzit e dënuar ikin dhe lëshojnë vendin, nuk ka liberalizim përderisa të korruptuarit si Ramdan Muja lavdërohen për qeverisje të mirë”, ka deklaruar ai. Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk janë të afta para ndërkombëtarëve.

“Krejt këto kanë sjellë në situatën që qeveria dhe institucionet e Kosovës janë të paafta dhe jokredibile para bashkësisë ndërkombëtare. Për shkak të këtyre paaftësive dhe krimit e korrupsionit i janë vendosur embargo Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka shtuar Abazi.

Sipas tij, Demarkacioni nuk është një problem që nuk mund të zgjidhet, porse siç ai thotë, kjo çështje nuk po zgjidhet qëllimisht. “Demarkacioni nuk është problem që nuk zgjidhet por strukturat politike nuk duan ta zgjidhin problemin sepse mandej duhet kaluar në rastet e luftimit të korrupsionit dhe krimit që në fakt siç po shihet janë të afërmit e rrethit të parë të presidentit dhe kryeparlamentarit”, ka theksuar Abazi.